Bujanoc: Vazhdojnë emisionet speciale me shkrimtarët në mesin e nxënësve - Bota Sot
Bujanoc: Vazhdojnë emisionet speciale me shkrimtarët në mesin e nxënësve

Kultura

Bujanoc: Vazhdojnë emisionet speciale me shkrimtarët në mesin e nxënësve

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 08:16
Foto nga takimi

Gjatë vikendit, që e lamë pas, në Tiranë, kryetari i Akademisë “Stoa”, prof. Bejzad Avdiu nga Lugina e Preshevës, zhvilloi një takim miqësor me shkrimtaren, gazetaren, përkthyesen, veprimtaren e Shoqërisë Civile për të drejtat e grave, zonjën Diana Çuli.

Qëllimi i këtij takimi ishte parapërgatitja e radhës për zhvillimin e emisioneve speciale “Shkrimtari në mesin e nxënësve”, të cilën Akademia e talenteve të reja, ka vendosur ta zhvilloj me shkrimtaren e mirënjohur të letrave shqipe Diana Çuli.

Njeriu i parë i Akademisë “Stoa”, prof. Bejzad Avdiu, pati kënaqësinë ta njoftoj për së afërmi shkrimtaren Diana Çuli, rreth  kalendarit të veprimtarisë së Akademisë së talenteve të reja nga Bujnaoci, një organizatë joqeveritare, që merret me zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare.

Gjatë muajit dhjetor kjo Akademi e talenteve të reja, ka paraparë në agjendën e veprimtarive të saj, të zhvilloj një emision special me zonjën Diana Çuli, e cila me shumë dëshirë e ka pranuar ftesën, të jetë në mesin e talenteve të reja, për të rrëfyer për krijimtarinë e saj në fushën e letrave shqipe.

Personazhi i emisioneve në vazhdim “Shkrimtari në mesin e nxënësve”, Diana Çuli, është një emër i njohur i kulturës shqiptare. Ajo ka botuar një varg librash, të cilat janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj, duke u pritur mirë nga kritika letrare dhe lexuesit. Në mesin e librave të botuara deri tani dallohen: Jehonat e jetës (1980), Zeri i larget (1983), Dreri i trotuareve (1986), Rekuiem (1992), ... dhe nata u nda në mes (1993), Diell në mesnatë (2000), Engjëj të armatosur (2006), Gruaja na kafe, (2009) etj.

Vlen të ceket se Diana Çuli, nga Juria e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, është zgjedhur shkrimtarja më e mirë e vitit 2007.

Akademia e udhëhequr nga profesor Bejzad Avdiu, tashmë, ka bërë emër në realizimin e emisioneve speciale me personalitete të shquara të kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, Kosovë, Shqipëri etj.

Misioni kulturor i kësaj Akademie, ndër vite, ka sjell një varg emisionesh edukativo – arsimore dhe kulturore, shumë me rëndësi për adhuruesit e fjalës së shkruar artistike si: Idriz Ajeti, Dritëro Agolli, Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Qerim Ujkani, Adem Demaçi, Nazmi Rrahmani, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Ylljet Aliçkaj, Flora Brovina, Besnik Mustafaj, Sabile keçmezi – Basha, Sabri Maxhuni, Mehmet Rukiqi, Sali Bashota, Gani Xhafolli etj.

Emisionet me këto personalitete të mirënjohur të kulturës shqiptare, janë emetuar nëpër televizionet lokale dhe rajonale të Luginës së Preshevës, në mediet e shkruara dhe të transmetuara në portalet elektronike dhe youtube.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera