“Një luftë personale” rrëfen historinë e korrespondentes së luftës, Marie Colvin

Kultura

“Një luftë personale” rrëfen historinë e korrespondentes së luftës, Marie Colvin

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 18:07
Marie Colvin

Rosamund Pike interpreton gazetaren e cila humbi jetën gjatë rrethimit të Homsit dhe që gjatë jetës së saj raportoi nga Kosova, Sri Lanka, Iraku dhe Siria

Filmi “A Private War”, “Një luftë personale” i regjisorit Matthew Heineman që ka në qendër korrespondenten e luftës Marie Colvin të gazetës “Sunday Times”, e cila raportoi nga frontet e lufës në Kosovë, Sri Lanka, Irak dhe Siri, hedh dritë mbi rrezikun për jetën me të cilin përballen korrespondentët e luftës, ndërsa rrëfejnë historitë e viktimave të luftës. Rosamund Pike, kandidate për çmimin Oscar interpreton gazetaren Colvin. Regjisori Heineman dhe aktorja Pike folën me gazetaren Penelope Poulou të Zërit të Amerikës, dhe shpjeguan se pse “Një luftë personale”, ishte një projekt pasioni artistik, një dokudramë që depërton në botën e brendshme të gazetares Marie Colvin, e cila humbi jetën në Homs të Sirisë, gjatë rrethimit të qytetit.

“Në zona lufte, prindërit bien të flenë natën, pa e ditur nëse fëmijët e tyre do të jenë gjallë në mëngjes. Është një lloj frike që unë nuk do ta provoj kurrë”. Kështu shprehet aktorja Rosamund Pike në filmin “Një luftë personale”, ku luan Marie Colvin, një gazetare e guximshme, trime dhe kureshtare, që ia kushtoi jetën raportimit mbi mizoritë në gjithë botën.

Ajo nuk u tërhoq as kur humbi syrin e majtë nga shpërthimi i një granate në Sri Lanka në vitin 2001. Por konfliktet lanë gjurmë psikologjike dhe fizike. Rosamund Pike i përcjell me vërtetësi betejat e brendshme të gazetares Colvin.

"Momenti më i lumtur është kur pi një vodka martini, por nuk e duroj dot që zhurma në mendjen time nuk fashitet pa pirë një shishe të tërë vodka. E urrej kur jam në një zone lufte, por nga ana tjetër nuk i rezistoj dot shtysës për të parë gjithçka me sytë e mi”, thotë ajo në një moment.

“M’u desh të mësoja që të isha bindëse kur pija cigare, sepse për Marinë çdo gjë ishte më mirë shoqëruar me një cigare: çdo bisedë, çdo udhëtim me makinë. Duhet të studioja sesi bënte gjeste me duar, i kishte gishtërinjtë larg njëri-tjetrit. Duhet të mësoja se si fashoja në sy, ia ndryshonte mënyrën se si e mbante kokën. Si mund të depërtonte dhe të blinte me një sy, po me aq force sa ç’e bënit të tjerët me dy”, thotë aktorja Rosamund Pike.

Për të rrëfyer historinë e saj, regjisori Matthew Heineman studion kompleksitetin e karakterit të gazetares Colvin, kurajon dhe forcën e saj. Ai tregon se si asaj nuk iu drodh syri, as nën bombardimin e qytetit Homs në Siri nga Bashar al-Assadi në vitin 2012.

“Ajo e ndjente si detyrë të tregonte historinë e 28 mijë civilëve në Homs që ishin nën rrethimin e regjimit të Assadit dhe askush tjetër nuk po fliste për ta. Ndjesia e saj ishte, si edhe here të tjera më parë që ‘nëse nuk e bëj unë, atëherë kush do ta bëjë?’”

Si autor dokumentarësh, Heineman donte që filmi të kishte elementë autentikë. Në një skenë ku Colvin zbulon një varr masiv në Irak, gratë dhe burrat vendas që mblidhen për zi, janë viktima reale të luftës.

“Dhe në fund të skenës, si në çdo dokumentar që kam bërë, ndodh diçka e paparashikuar. Ata fillojnë të qajnë të vdekurit dhe të luten për ta”, thotë ai.

Rosamund Pike kujton një përvojë të ngjashme gjatë xhirimit për një skenë pa skenar me një refugjate me fëmijët e saj në Homs të Sirisë.

Përmes një përkthyeseje, gruaja i tregon aktores se si e ushqen foshnjën e saj vetëm me ujë me sheqer sepse i ka ikur qumështi nga trauma, kur i vdiq një nga fëmijët në një sulm me bombë.

“Dhe pastaj gruaja më thotë mua që po portretizoja Marie Colvin dhe gjithçka u kap në kamera ‘Të lutem, nuk dua që kjo që po tregoj të jetë vetëm fjalë që i merr era. Dua që bota ta marrë vesh se këtu një brez i tërë po vdes. Dua që bota të mësojë historinë time”, tregon aktorja.

Pike thotë se pikërisht në atë moment, ajo e ndjeu se çfarë e motivonte korrespondenten Marie Colvin, përgjegjësinë solemne për të dëshmuar vuajtjet njerëzore, pavarësisht nga kostoja.

"Ndoshta do të kisha dashur një jetë normale. Por ndoshta thjesht nuk di se si”./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat