Agushi: Pushtetarët e Preshevës mbyllën Shtëpinë e Kulturës

Kultura

Agushi: Pushtetarët e Preshevës mbyllën Shtëpinë e Kulturës

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 12:42
Edon Agushi

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë “Pre Foto” që mbahet çdo vit në Preshevë sivjet u mbajt pak më ndryshe.

Ky festival sivjet u mbajt nën qiellin e hapur pasi që Shtëpia e Kulturës në Preshevë u mbyll me urdhër të autoriteteve komunale.

Edon Agushi, drejtor artistik i festivalit “Pre Foto”, në një intervistë për kp thotë se mbyllja e Shtëpisë së Kulturës u bë me ndërhyrjen e pushtetarëve.

Agushi: Për mbylljen e Shtëpisë së Kulturës ndërhynë pushtetarët e Preshevës

“Këtu kishte një ndërhyrje nga vetë pushtetarët e qytetit të Preshevës, pikërisht për ta goditur festivalin ‘Pre Foto’ një ditë para festivalit. Ata nuk e kishin menduar që ne do të organizohesishm jo vetëm si staf, por edhe si qytetarë dhe mund ta mbanim ekspozitën edhe jashtë, edhe pse është -10 gradë. Salla ndoshta që e patëm menduar më herët për ta mbajtur ekspozitën në ambientet e Shtëpisë së Kulturës, nuk do t’i kishte zënë gjithë këta njerëz. Kjo ishte një mbështetje jo vetëm për ‘Pre Foto-n’, por për artin e kulturën për rininë preshevare që po mundohen t’i sjellin diçka qytetit tonë”, ka thënë Agushi.

“Pre Foto” këtë edicion u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ajo e Serbisë, komuna e Bujanocit e disa biznese private, por jo edhe nga komuna e Preshevës, në të cilën mbahet. Agushi thotë komuna nuk kishte paraparë fonde për këtë projekt, e sipas tij, e refuzoi me arsyetime tjera.

Agushi: Komuna e Preshevës nuk kishte ndarë fonde për festivalin “Pre Foto”

“Kishim aplikuar siç aplikojmë çdo vit në komunën e Preshevës, nuk i di arsyet, besoj që do jenë arsye  koti sepse projekti ishte realizuar dhe kishte fituar në Ministrinë e Kulturës së Serbisë, të Kosovës, që është vështirë nga katër projekte në gjithë Serbinë që i kemi marrë si pakicë shqiptare, që e kemi fituar, dhe e nxorën si mungesë dokumentacioni, gjëra për të cilat unë u interesova dhe nuk kishte mungesë dokumentacioni, por nuk kishin paraparë fonde për këtë festival, kishin paraparë fonde për gjëra tjera”, thotë Agushi.

Ai thotë se përmes këtij festivali, synojnë t’ia prezantojnë botës një Preshevë më ndryshe nga se jemi mësuar ta shohim.

Agushi: Duam ta promovojnë Luginën përmes kulturës

“Ne prej edicionit të parë kem dashtë që përmes Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike ‘Pre Foto’ ta promovojmë vetë Luginën e Preshevës, sepse dihet që gjithmonë kur përmendet Lugina e Preshevës është për gjëra të tjera e jo për kulturë, dhe këmi dashtë të krijojmë diçka ndërkombëtare këtu në Preshevë, dhe gjithë pastaj të tjerët të njihen me Preshevën nëpërmjet kulturës dhe jo nëpërmjet gjërave tjera”, ka thënë Agushi.

E pavarësisht tensioneve politike Kosovë-Serbi, ky festival po sjellë në Preshevë edhe fotografë nga Serbia, disa prej të cilëve edhe u shpërblyen me çmime. Agushi thotë se pavarësisht tensioneve që mund të kenë shtetet, artistët i bashkon arti.

Agushi: Arti i bashkon njerëzit

“Dëshirojmë që edhe ne këtu si Luginë, me mungesë të aktiviteteve kulturore të shkëmbejmë eksperienca, sepse ka edhe artistë të shumtë nga qyteti i Preshevës dhe qyteti i Bujanovcit, t’i shkëmbejmë eksperiencat edhe me fotografë nga Beogradi, edhe me fotografë nga Prishtina, edhe ata që janë nga Evropa, sepse ne jetojmë në një botë shumë të vogël dhe pse mos të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Arti i bashkon njerëzit, nuk është që i ndan”, thotë Agushi.

Përndryshe, edicioni i tetë i festivalit “Pre Foto” u përmbyll javën e kaluar  dhe në mesin e fituesve kishte fotografë edhe nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Rusia, Belgjika e Gjermania.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat