Kur ta jep Agim Vinca, të tjerët mund të japin vetëm çmime

Kultura

Kur ta jep Agim Vinca, të tjerët mund të japin vetëm çmime

Ilir Hajdari Nga Ilir Hajdari Më 24 nëntor 2018 Në ora: 13:15
Kopertina e librit

Ndonëse në thelb poet i jetës e jo i librave, Ilir Hajdari është krijues që asimilon përvojën më të mirë të poezisë sonë. Dhuntia e vrojtimit dhe kultura e leximit përftojnë unin e krijuesit. Ka thënë ndër të tjera,  redaktori i librit, Agim Vinca.

Publicisti dhe poeti nga Gjakova, Ilir Hajdari, ka nxjerrë para lexuesve librin e tij të dytë poetik “Xhevap Për lirinë”, nën siglën editoriale të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është kjo një përmbledhje e cila, në Mitingun e 54 të Poezisë në Gjakovë, morri çmimin e madh “Din Mehmeti” për veprën më të mirë të botuar në mes dy mitingjeve.

Image

Agim Vinca: Ilir Hajdari, krijues që asimilon përvojën më të mirë të poezisë sonë

Poeti Ilir Hajdari duket se e shkruan poezinë ashtu siç jeton: natyrshëm dhe pa hipokrizi. Në vjershat e tij kryesisht të shkurtra e astrofike, ai artikulon ndjenjën e dhimbjes dhe të trishtimit që i fal jeta dhe mjedisi ku jeton. Subjekt lirik i këtyre poezive është njeriu që sheh, dëgjon, heton, vrojton dhe revoltohet me atë që sheh, andaj klith, proteston. Por edhe përsiat, mediton. Vlerë e kësaj poezie është transponimi i emocionit jetësor në tekstin poetik, në fjalë, imazhe, figura dhe gjetje artistike që, herë-herë, të habisin me freskinë e tyre.

Ndonëse në thelb poet i jetës e jo i librave, Ilir Hajdari është krijues që asimilon përvojën më të mirë të poezisë sonë. Dhuntia e vrojtimit dhe kultura e leximit përftojnë unin e krijuesit. Kemi të bëjmë, gjithsesi, me një poet të talentuar, që premton për të ardhmen.

Besim Muhadri: “Xhevap për lirinë”, alarm për abuzimin e lirisë nga ana e klasës politike

Përmbledhja poetike “Xhevap për lirinë” është libri i shqetësimeve njerëzore dhe intelektuale, i cili lëshon alarmin për keqkuptimin e konceptit liri dhe të abuzimit me të nga ana e klasës së ashtuquajtur politike. Këtë shqetësim poeti e shpreh që në moton e këtij libri të vendosur si dedikim popullit të trazuar, të cilin siç shprehet poeti, e pret tragjedia e radhës - gjenocidi intelektual.

Image

“Xhevapi” poetik i poetit Ilir Hajdari, nuk është vetëm një kumt i trishtë për atë që po ndodh në atdhe dhe me atdheun e poetit, por edhe një alarm nga i cili duhet kthyer vëmendjen për të ruajtur atë që mund të ruhet dhe për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet.

Përmes një gjuhe shumë të drejtpërdrejtë, përmes një poezie plot imazh dhe figuracion poetik, poeti Ilir Hajdari, tregon se është jo vetëm mjeshtër i vargut, por edhe një mjeshtër i kapjes së problemeve esenciale, për të përçuar te lexuesi mesazhin e duhur poetik dhe për t’ia dërguar e shpërndarë botës “xhevapin” se diç e keqe e ka pllakosur atdheun e tij. Sipas Hajadrit “Kosova nuk është më një atdhe i përgjakur, as tokë heronjsh dhe mall mërgimtari, e as një zë që thërret, as gurë që peshon e as djep që përkund shqiptarin, por një monedhë në xhepin e pushtetarit”.

Prandaj, poezia e Ilir Hajdarit mund të konceptohet dhe interpretohet si një trokitje e fuqishme në (pa)ndërgjegjën e atyre që e përdhosën lirinë e sapolindur e të shumëkërkuar nëpër shekuj të atdheut, për të cilën u sakrifikuan breza të tërë shqiptarësh, por edhe një alarm për vetëdijësim për atë që i ndodhi dhe po i ndodh atdheut, nga i cili, në mungesë perspektive, po ikën shtresa më vitale e kombit, rinia dhe ajo intelektuale...

Ilir Hajdari: Librin ia kam dedikuar popullit tim, çmimin ia dedikoj Agim Vincës

Çmimi për veprën më të mirë në mes të dy mitingjeve ka ardhur si një befasi e papritshme. Ishte hera e parë që morra pjesë në Mitingun e Poezisë dhe mora një çmim të rëndësishëm nga klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, siç është çmimi “Din Mehmeti”. Për këtë sukses, meritë të veçantë ka edhe redaktori i librit tim, prof. Agim Vinca, i cili ia dha vulën historike atij. Nëse librin “Xhevap për lirinë” ia kam dedikuar popullit tim, atëherë këtë çmim ia dedikoj profesorit të nderuar, Dr. Agim Vincës. Sepse, marrjes së çmimit në Mitingun e 54 të poezisë, kam konsideruar se kur ta jep Zoti, ta jep edhe Agim Vinca, kurse të tjerët mund të japin vetëm çmime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat