Hafiz Ali Korça, një jetë në shërbim të fesë dhe kombit

Kultura

Hafiz Ali Korça, një jetë në shërbim të fesë dhe kombit

Nga: Prof. Eroll Veliu Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 16:39
Hafiz Ali Korça

Në këto pak rreshta do të mundohem të shkruaj për një nga personalitetet më të shquar shqiptarë, me hak, dhe pa i mohuar asgjë; fjala është për hafizin e drejtë, dijetarin, enciklopedistin, poliglotin, gjuhëtarin, letrarin, fetarin dhe atdhetarin e flaktë, Hafiz Ali Korça.

Ai lindi në Korçë, në vitin 1873, u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit gjatë kohën që jetoi, në Stamboll, dhe më pas u kthye për t’i shërbyer vatanit dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindjen e tij, pastaj në Tiranë, pastaj në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të pashpirt ndaj një prej figurave dhe personaliteteve më të njohur shqiptar, siç ishte Hafiz Ali Korça.

Periudha kur Hafiz Ali Korça jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar në aspektin politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare, atdhetare dhe patriotike. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar. Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkëfetarët e tij myslimanë, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë, dhe në shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë laramani shkrimesh dhe temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.

Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë.

Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë dhe i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri, por ne këtu, me pak rreshta do të mundohemi të shpalosim disa nga veprimtaritë e tij më kryesore, kulturore, fetare, arsimore e atdhetare.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre tek populli.

Mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku që në moshën 12 vjeçare atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë hafiz. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e diturive të tij.

Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e osmanishtes (dhe të turqishtes) i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu, në Stamboll mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë.

Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe në të gjitha trojet shqiptare.

Veprimtaria dhe kontributet e tij fetare

Hafiz Ali Korça, që kur mori titullin hafiz në moshën 12 vjeçare, pastaj vajtja për studime akademike islame në Stamboll, bënë që ai të jetojë dhe t’i përkushtohet parimeve dhe diturisë së fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për vatanin dhe popullin e tij.

Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai kontributin e tij më të madh, përveç ligjëratave të ndryshme fetare që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926) prej arabishtes në shqip, ishte një nga arritjet më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.

Ngjitja e tij profesionale si figurë e lartë fetare islame ishte kur ai u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924.

Gjithashtu, ai ka qenë mësues për një kohë të gjatë në Medresenë e Tiranës.

Botimet e tij fetare si “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914),“Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931) ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat) e shumta të mbajtura prej tij në xhami si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat u lexonin me ëndje të madhe nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.

Veprimtaria dhe kontributet e tij në aspektin atdhetar

Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar si një “kuçedër e zezë” për popullin shqiptar, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët që e njihnin si “hoxhë latinxhi”, si nga shqiptarët pas krijimit të Shtetit Shqiptar, ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes së vet vitet e fundit të jetës së tij në këtë dynja, ku ndërroi jetë në vitin 1956.

Këtë veprim, ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit intelektual të tij për kombin dhe popullin tonë të zbatoheshin në praktikë.

Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë dhe serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë si ai i komunistëve.

Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer ditën e Kijametit.

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet thotë:

Për Shqipërinë u përpoqa

rezikova jetën t’ime

Nuk rëfehet se sa hoqa

se shteti m’i njihte krime.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 Korrik 1909, ku përveç tij, merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima (të cilit Hafiz Ali Korça i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë. Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres ishte kryesorja, dhe për këtë kongres dhe vendimet e saj kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi në librin e tij “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918) si dhe Haki Sharofi në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi.

Për veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare shqiptare si dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, kanë shkruar dhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 (1894) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 (1903).

Veprimtaria dhe kontributet e tij në aspektin arsimor

Për përkrahjen dhe nismat e Hafiz Ali Korçës në aspektin arsimor të popullit shqiptar, kontributet e tij janë të shumta, shumica e të cilave janë shkruar në histori.

Në vazhdim po përmendim vetë disa nga kontributet e tij në praktikë në këtë aspekt:

Ai ka qenë ndër mësuesit e parë në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës ku ka bashkëpunuar ngushtë me Pandeli Sotirin;

ka qenë përkrahës i Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Elbasanit; në vitin 1916 ka qenë drejtor i arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme;

ka marrë pjesë në themelimin e Normales së Elbasanit;

ka qenë ndër themeluesit dhe nismëtarët e ndryshimit të mësimdhënies në Medresenë e Naltë të Tiranës, etj..

Veprimtaria dhe kontributet e tij në aspektin publicistik, kulturor dhe letrar

Shumë shkrime të ndryshme për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë, Hafiz Ali Korça i ka botuar në gazeta të ndryshme në Shqipëri, Turqi dhe Iran.

Ai gjithashtu është autor dhe përkthyes i mbi 13 librave dhe shumë shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta dhe revista në shqip dhe gjuhë të huaja, dhe të gjithë këto libra dhe shkrime janë botuar sa ishte gjallë. Ndërkohë sot, një stërnip i tij, ka arritur të gjejë mbi 300 faqe dorëshkrim nga Hafiz Ali Korça, të pabotuar ndonjëherë, të cilat shpresojmë të përgatiten dhe të botohen sa më shpejt për lexuesin e etur shqiptar për veprat e tij.

Nga krijimtaria e Hafiz Ali Korçës, padyshim nuk mund të lëmë pa përmendur shkrimet e tij në gjuhën turke dhe perse, të cilat i shkruante dhe i dërgonte për botim në gazetat kryesore të asaj kohe në Turqi dhe Iran, si p.sh.: në gazetën “Ittifak” (Bashkimi) në Stamboll, ndërsa gazeta “Aksi Sada” në Stamboll i kërkonte shkrime Hafiz Ali Korçës, siç thoshte “për të zbukuruar shtyllat e gazetës”.

Nga veprimtaria publicistike e Hafiz Ali Korçës mund të përmendim dhe përkthimet e mrekullueshme të librave “Gjylistani dhe Bostani”, “Rubaijjati” si dhe “Jusufi me Zelihanë”, me anë të të cilave bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj Saadiu dhe Omer Khajjami.

Të flasësh për një figurë shumëdimensionale si ajo e Hafiz Ali Korçës, duhen vite për të studiuar dhe kuptuar jetën dhe veprimtarinë e tij, por megjithatë ai do të mbetet gjithmonë një nga emblemat më të njohura vizionare të kombit shqiptar. Gjithashtu, besoj se veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare do të jenë, dhe duhet të jenë, baza për mendimin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të myslimanëve në veçanti.

" Shih pra nuk mbetën fare ndërtesa

Ndër këmbë' u muar e shenjta besa,

Xhami e kish s'lan' i rrënuan,

E kësi punësh djajt i shënuan,

Priftërinjt e hoxhët si kec i grinë,

Inteligjentët në dhet i shtrinë. "

” Nuk duhet të mbushim gjuhen tone engjullore me gjemba e me ferra se nuk i qërojmë dote më vonë.”

"...fqinjet tona nga ana e arsimit kanë arrirë shkallën më të lartë, na për fat të keq kemi mbetur si populli i Afrikës së mesme".

Kongresi i Dibrës , mbajtur më 1909.

* Fjalët e Hafiz Ali Korçës ishin në kuadër të kërkesës së tijë për hapjen e shkollave shqipe .

* Pasurinë mund ta vjedhin, por diturinë jo !

** Ai që ta ruan të fshehtën të do me shpirt !

Veprimtaria e tij në lëmin e atdhetarisë dhe arsim-kulturës shqiptare

Hafiz Ali Korça (Ali Iljaz efendi Kadiu), lindi në Korçë më 1873. Mësimet fillore dhe të mesme i mori në Korçë, përkatësisht në shkollën iptidaije dhe atë idadije. Studimet e larta i kreu në universitetin e Stambollit. Në lëvizjen kombëtare hyri që më 1889, kur zuri të jepte mësime falas në shkollën shqipe të djemve në Korçë dhe pas një viti edhe në idadijen e Korçës. Veprimtarinë kombëtare dhe dijet i ndërthuri në një të vetme. Në maj 1894 u dërgua në Bullgari, ku u takua me atdhetarët që asokohe vepronin atje: Dhimitër Mole e Kristo Luarasi, Shahin Kolonja dhe Jusuf Turabi Kërçova. Kur po kthehej në Stamboll, policia që e ndiqte vazhdimisht, gjatë kontrollit që i bëri në Siqerxhi, i gjeti librat: “Qerbelaja” e “Skënderbeu”, si edhe disa fletore të ndaluara. Për këtë e mbyllën në burgun “Beshiktash” dhe më pas e mërguan në qytetin Sinop. Këtë ndodhi, fletorja “Sabah” e 30 majit 1894 e bënte të ditur me këto fjalë: “Po merret vesh se Hafiz Ali Korça, kur po dilte prej trenit që vinte nga Bullgaria në Stamboll, në Siqerxhi, me qenë se i gjetën përsipër shumë fletore e libra shqip, në atë ças u kap dhe u mërgua në Sinop”. Dajës së vet, Abdurrahman Pashait, me ndikim të madh në Oborrin e Sulltanit, iu desh të ndërhynte deri tek Sulltani, që Hafiz Ali Korça të mos dergjej në qelitë e Sinopit.

Cilësitë e tij të vyera e vunë në krye të çetës devollite që në vitin e parë të Shekullit XX. Patriotizmin dhe burrërinë e tij e pasqyron më së miri parrulla që mban në dorë i ndodhur ndërmjet bashkëluftëtarëve, ku me gërma të mëdha shkruhet: “SHQIPËRI A VDEKJE”.

Puna e Hafiz Ali Korçës dhe e bashkëpunëtorëve të tij, u ndërpre sërish me goditjen që iu dha shkollës shqipe dhe mësuesve të saj nga pushtetarët në bashkëpunim me organet kishtare të Korçës. Fletorja osmane “Aksham” me dt.09 (23).07.1903, me atë rast shkruante: “Sikush e din që Korça është çerdhja e latinxhinjve.[1] Atje ndodhet një grup shumë veprues, i cili prej një kohe të gjatë po merret me propoganda; mundohen për të ringjallur vetqeverimin kombëtar. Tani, për t’i derdhur ujë squfuri në rrënjët e tij, shkolla shqipe po mbyllet dhe kryetarët e kësaj lëvizje atdhetare që ishin nga treva të ndryshme të Shqipërisë, u internuan: Hafiz Aliu në Spartë të Konjës, Orhan Beu[2] në Marash, Emin Malka në Urfë, Hysejn Qani Ballanca në Tokat, Sulejman Ohri në Nikdë dhe Thimi Mihal Marko në Manastir”. Drejtori i shkollës, Nuçi Naçi dhe i vëllai, Loni, u mbyllën në burgun e Manastirit, ndërsa Agjah Korça e Hafëz Shevkiu, në burgun e Korçës.

Pa u ndalur para pengesave të herëpashershme, Hafiz Ali Korça, duke qëndruar gjithnjë në pararojë të atdhetarëve korçarë, u gjend para ngjarjeve të mëdha që ndezën kryengrijen dhe mundësuan shpalljen e kushtetutës së dytë osmane. Duke bërë fjalë për ato ngjarje, Hafiz Ali Korça, vëren se shtytjen kryesore atyre ua dha shqetësimi që shkaktuan vendimet e Carit Rus dhe Perandorit Austro-Hungarez, gjatë takimit të tyre në Reval të Austrisë (1903). Sipas atyre vendimeve, Sulltanati Osman, fshihej nga harta e botës dhe së toku me të, vetvetiu edhe Shqipëria, si pjesë përbërëse e tij. “Ata që mendonin të ardhmen-shënon Hafiz Ali Korça-derthnin lot gjaku e iu dridhej buza kur kujtonin copëtimin e paracaktuar”. Më tej ai vijon: “Atdhetarët e çmueshëm, duke vënë vdekjen në syt, themeluan shoqërinë e fshehtë “Ittihat ve Terekki” (“Bashkim e Përparim”) më 1908 në Manastir.

Hafiz Ali Korça, ishte ndër pjesëtarët më të zjarrtë të kësaj shoqërie. Pak ditë më pas një grup ushtarakësh të garnizonit të Manastirit me mirallaj (kolonel) Niazi Fehmi Resnjën në krye, dolën maleve të Mokrës e të Ohrit dhe shpallën kryengritjen. Si Niaziu edhe i vëllai i tij, Osmani, kishin qenë nxënës të Hafiz Aliut në idadijen e Korçës. Për të shpejtuar e fuqizuar veprimet kryengritëse, nga Manastiri në Korçë, arriti bimbash (major) Remziu me taborin e avxhive (ndjekësve), gjoja për të ndjekur Niazinë me shokë. Ndërkaq, boshnjaku Shemsi Pasha me dy-tre taborë, u bë gati që të derdhej në Ohër, Starovë, Korçë e qendra të tjera të kryengritësve, dhe t’i shkatërronte ato, pastaj të godiste e të shpartallonte kryengritësit e prirë nga Niaziu. Mirëpo, më 22.07.1908. , kur po hynte në karrocë, për t’u nisur në buzë të lumit Drahor, u vra nga ysteimen (toger) Hatifi prej Çanakalasë. Të nesërmen, kur në Korçë u njoftua shpallja e kushtetutës, fjalimin e parë e mbajti Hafiz Ali Korça. Në ngjarjet që rrodhën më pas, ai ishte përherë ndërmjet prijësve kryesorë, gjë që bëri të zgjidhej qysh në fillim edhe deputet në mexhlisin e II-të osman, e që ai me zemërgjerësinë që e dallonte, mandatin e deputetit, ia fali Shahin Kolonjës.

Hafiz Ali Korça, ishte një nga përfaqësuesit e Korçës në Kongresin e Manastirit, i cili i zhvilloi punimet ndërmjet datës 10-23 nëntor 1908. Pa e lënë pas dore mësimdhënien në idadije-meqë tanimë shkolla shqipe e djemve ishte mbyllur- nëpërmjet fletores “Korça” dhe të disa fletoreve osmanisht, që shpesh përkrahnin abecenë shqipe me gërma latine, iu përvesh një pune të dendur e të dobishme. Ai shkruante edhe në osmanisht që “Korça” botonte herë pas here; ato ishin aq të thekura sa edhe shkrimet shqip. Mjaft të goditura si nga pikëpamja artistike, ashtu edhe nga pikëpamja politike, ishin vjershat që botonte në “Korça” në mbrojtje të abecesë dhe të çështjes kombëtare në tërësi. Ndër to mjafton të përmendet shkrimi që ai, me emrin Hafiz Ali Shqiptari, e botoi në “Korça” nr.2, me datë 24.12.1908 (06.01.1909), dhe shkrimi e vjersha e botuar në po atë gazetë me nr.5. Në të parin, pasi tregon se gjëja më parësore për shqiptarin dhe shqiptarët ishte shkollimi, ngulmonte që ai të bëhej doemos në gjuhën amtare. “Njeriu vetëm me gjuhë të tij mund të vejë përpara...me gjuhë të huaja kjo s’mund të bëhet kurrë”. Me atë rast, ai përmendte edhe mënyrat se si duhej vepruar që të arrihej një gjë e tillë; vërente edhe se burimet e mirëqenies dhe të mbrojtjes si njerëz e si komb, ishin zejet e ndryshme. “Po s’mësuam mjeshtërira, po s’ditëm si bëhet baruti, si bëhet pushka, si bëhet topi m’i qëruar e m’i shpejtë që ta hedhin plumbin e gjylen më larg se prej armëve të armiqve, si bëhet anija e zjarrtë e luftës, me se do të mbrojmë mëmëdhenë?”. Dhe tërë ato mjeshtëri s’mund të përvetësoheshin pa qenë të ditur. “Po të dish-vërente ai - bën edhe armët më të mira se ato të armiqve, e kështu mbron mëmëdhenë e veten”. Padituria e masës sonë kombëtare-sipas tij-ishte shkaku kryesor që fqinjët në vitet 1878-1881 vendin tonë“e qethën në të gjitha anët: Greqia, Nartën e krahinën e saj; Serbia, Nishin, Vranjën e Pirotin me qindra mijë shqiptarë; Mali i Zi, Ulqinin, Shpuzën, Podgoricën, Nikshiqin e Kollashinin”. Pasi përmendte këto, u bënte thirrje shqiptarëve t’i përvisheshin punës për të mësuar dijet në gjuhën amtare, duke dhënë edhe këtë gjykim: “Them me zemër të djegur: Në u përpjekçin kështu, atëherë mundemi të themi se rrojmë dhe kemi për të rrojtur të përparuar e të mbrothçim”. Më në fund ai theksonte se gjëja më e keqe për njeriun ishte jetesa me nëpunësi shtetërore.[4]

Hoxha i përndjekur

Midis hoxhallarëve të përdjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është dhe Hafiz Ali Korça i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor Korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngriten lart emrin e tij. Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofije-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “ Bolshevizma e çkatërrimi i njerëzimit “.

Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari ntensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen : “ Mevludi “ ( 1900 ), “ 303 fjalë të Imam Aliut “ ( Botuar në Korçë më 1910 ), “ Historia e shenjtë dhe të katër halifetë “ ( Botuar në Tiranë më 1931, fq. 288 ), “ Jusufi me Zelihanë “ ( Botuar në Elbasan më 1923 ), “ Gjylistani “, përkthim nga Saadiu, ( 1918, “ Shtatë Ëndërrat e Shqipërisë “, poezi, ( Botuar në Tiranë më 1944 ), “ Tefsiri i Kur’anit “, ( mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z. ) punuar gjatë viteve 1920-1924, “ Rubaijjati Khajjam “ ( Hajjam, përkthim nga O. Kajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë ).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si : “ Abetare shqip “ ( 1910 ), “ Fe Rrëfënjësi morali “ ( 1914 ), “ Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht edhe fjalime “ ( 1916 ). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh.

Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si “ Gjylistani “, “ Rubairat “ si dhe “ Jusufi me Zelihane “, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O. Kajamin etj.

Hafiz Ali Korça qe ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i asaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj.

Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë : Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.

Jeta e tij është një shembull i përsosur i atdhetarit të devotshëm, që nuk ndan fjalën nga veprat e poetit që fton bashkëpunëtorët të punojnë për mëmëdheun, të mos e braktisin.

Takohemi në Ditën e Gjykimit

Hafiz Ali Korça

Si ay ta duam iman’ e vatanë

Për udhë rrefenjës mjaft kemi Kur’anë.

Po mbajtmë Kur’anë, mbajtmë lumtërinë,

Me të munt ta mbajme din’ e kombësinë

ps. Pra ne kete rast Patrioti dhe teologu Hafiz Ali Korca do tju tregoje tere muslimaneve te shqiperise se duhet ta duam atdheun tone ashtu sic e donte edhe njeriu shembull per ne Profei Muhamed as.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat