Na ndihmoni “ta duam tonën”

Kultura

Na ndihmoni “ta duam tonën”

Nga: Agon Gashi Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 07:47
Agon Gashi

Dashuria duhet të jetë dyanshme: ta duash po edhe të të dojë. Kjo lloj dashurie është afatgjate, mbase e përjetshme. Ndërsa e njëanshmja është platonike, e çastit, e përkohshme; zbehet me kalimin e kohës. Çdo njeri i vetëdijshëm, e do të veten, e ruan me fanatizëm, e xhelozon, i duket më e mira, bile më e mirë se të gjitha tjerat. Ndërsa të huajat janë s'janë ashtu, sidomos kur janë të armikut, i cili me çdo mjet të ka luftuar: të ka mbytur, të ka dhunuar dhe vazhdon të mos të njohë si subjekt, madje lobon që të mos të njohin të tjerët, e ata që të kanë njohur, të tërheqin njohjen.

Prandaj, na ndihmoni! Të ndihmohemi "ta duam tonën". Kjo s'bëhet vetëm me një parullë të thatë. Kjo bëhet me dashuri, me sinqeritet e sakrificë të dyanshme. Kur të prodhoni diçka për popullin tuaj, kijeni parasysh standardin e "një nëne mesatare". "Nëna mesatare" mund të përgatisë diçka që është e dëmshme për fëmijët e saj apo vendos ndonjë përbërje të dëmshme në ushqim, vetëm se shpenzon më pak lirë, ose se do të sjellë më shumë përfitim për të? Apo, të kundërtën, do të mundohet që atë ushqim ta bëjë sa më të shijshëm që fëmijët e saj të mos lakmojnë ushqimet e fqinjëve?

Kështu duhet që edhe ju të doni prodhimet vendore. Kur ju lind një fëmijë ta mëkoni me qumësht vendor e jo me qumësht të huaj e më të shtrenjtin në treg, me arsyetim se ky është fëmijë biznesmeni. Të blini veshmbathje nga prodhuesit vendorë, e ato që nuk i prodhojmë t’i blini nga shitësit vendorë, në mënyrë që tatimi të mbetet në Kosovë. Jo të shkoni në Romë, Paris e Stamboll për veshmbathje për të se ai na qenka fëmijë i një të pasuri. Mundohuni të shkoni në pushime ku shkon populli juaj. Të hani ushqim nga gjellëbërësit vendorë, restorantet vendore, e jo t’i jepni përparësi markave të huaja. E në fund, lejoni konkurrencën brenda vendit, lejoni të rinjtë të prodhojnë, të zhvillohen, ndihmoni ata, mos i ndalni me çdo kusht që të ruani monopolin.

Për pak të harroja: silluni me punëtorët si me fëmijët tuaj, mos i detyroni të shkojnë në vende të huaja. Për ta dashur njëri-tjetrin s'ka nevojë për asnjë kufizim kufitar. Të tjerët populli do t’i kufizojë me mos konsumim.

Ne ju duam, doni edhe ju! Popull, bëni gajret edhe pak, dojeni tuajën edhe pak, se kur të fillojnë prodhuesit vendorë të na duan, do të kalojmë mirë e do zhvillohemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat