Hoqa shqiponjën nga flamuri...!

Kultura

Hoqa shqiponjën nga flamuri...!

Nga: Sejdi Berisha Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 14:36
Ilustrim

Shikoja flamurin

Mendueshëm valonte në erë

Flladi i puthitej për trup

Gjithnjë kështu

Derisa nga pëlhura e kuqe

Hoqa shqiponjën

 

Fluturo e lirë kah të duash

I thashë

Ajo mori krahë

Dhe u zhduk shkrepave

 

Edhe ngjyrën e kuqe

E nxora nga pëlhurë e flamurit  

Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut

Edhe asaj i thashë

Iku si të mos kishte qenë

Kush e di se kah

Shprushte gjakun e njeriut

 

Një ditë

Sërish shikoja flamurin si valonte

Në te ishte kthyer shqiponja

Edhe ngjyra e gjakut

Këtu e kemi vendin-thanë

Dhe s’lëvizim dot

Jemi shekujt duke i përcjellë

 

I ndrydhur nga ethe gjaku thashë:

Po sa shumë janë të lidhur

Shqiponja me ngjyrën e kuqe

Po kush mund të bëjë mëkat

Nëse këto dy madhështi përpiqet t’i ndajë

Të mbështjella me libra krenarie

Me dhembje e lumturi në gji

 

Pëlhura

Ngjyra e kuqe dhe shqiponja

Sa herë janë copëtuar

Sa herë janë djegur

Sa herë janë futur në gji

Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut

Sa herë janë bërë grimë-grimë

Dhe sërish janë të lidhura bashkë

Çfarë dashurie është kjo

Që nuk peshohet me barrën e shekujve

As dot nuk e ndryshkin kohërat...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat