Në Vlorë nisin punimet restauruese në shtëpinë e Marigosë së flamurit

Kultura

Në Vlorë nisin punimet restauruese në shtëpinë e Marigosë së flamurit

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 20:09
Marigo Posio

Në shtëpinë e patriotes Marigo Posio, e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali vijojnë punimet restauruese në kuadër të projektit të restaurimit të qendrës historike të qytetit bregdetar.

Marigoja me dorën e saj qëndisi shqiponjën e flamurit që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 Nëntor të 1912.

Ky projekti i rëndësishëm synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm.
Shoqata TID Vlora ( Zona për Zhvillimin e Turizmit), një organizatë jo-fitimprurëse që përfaqëson interesat e bizneseve dhe pronarëve të zonës bën të ditur se “ndërkohë që festat e Nëntorit po afrojnë, vijojnë punimet restauruese tek shtëpia e patriotes Marigo Posio e cila qëndisi shqiponjën në flamurin [?]  që ngriti plaku i mençur Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912”.

Projekti për restaurimin të qendrës historike të qytetit bregdetar është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Pranvera e ardhshme është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.

Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave përveç Shtëpisë së Marigosë edhe Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Kush është Marigoja

U largua nga vendlindja e saj Hoçishti i Korçës dhe u vendos në Vlorë. Shkak i braktisjes së vendlindjes ishte persekutimi që po i bëhej atdhetarëve nga reaksioni osman. Në vitin 1904, bashkë me të shoqin u vendos në një shtëpi të lagjes Muradie, në rrugën që mban emrin e gazetarit francez Justin Goda. Shpejt ajo u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare, por edhe me qëndismat që bënte.

Kur solli plaçkat nga Korça në fund të sëndukut kish vënë një flamur të qëndisur me dorën e saj. E kishte mbuluar me gazeta të vjetra të ngjitura me brumë, që të mos diktohej në rast kontrolli. Ajo u thoshte vajzave vlonjate: “Dëgjoni vajza. Në pajën tuaj duhet të keni medoemos një flamur, atë u a qëndis unë”.

Kjo intelektuale e shquar, patriote e flaktë, gjente kohë të lexonte libra e shfletonte gazeta. Ishte e vetmja grua që aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës, duke u bërë edhe një shembull për masën e grave. Në shtëpinë e Marigosë, që u bë vatër atdhetare, hynin e dilnin Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Ibrahim Shyti, Jani Minga, Musa Çakërri. Në shtypin e kohës citohet se Marigo Posio, mori pjesë në Komitetin e parë që u formua në Vlorë për shpëtimin e Atdheut dhe ndihmoi me të holla.

Sipas të thënave, shoqet e fëminisë, Marigonë e thërrisnin Shqiponja. Kishte një arsye që e thërrisnin kështu. Dhe një arsye më shumë, ishte se ajo qëndiste qindra shqiponja me duart e saj.

Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan: “Flamurin Kombëtar, që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, është hartuar nga duart e Marigo Posio, mbi copën e blerë tek tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes, që kishin vizatuar patriotët Don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë fakt e dinin edhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj, ajo punoi edhe 500 flamuj për t’i vendosur në zyrat e shtetit të ri shqiptar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat