Dhuratë e çmuar për festen e Pavarësisë, për Muzeun e Krujës!

Kultura

Dhuratë e çmuar për festen e Pavarësisë, për Muzeun e Krujës!

Nga: Leonora Laçi Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 10:54
Muzeu i Krujës

Sot, Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës gumëzhinte nga vizitorët si asnjëherë tjetër, dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe pasi festa e flamurit trokiti në zemrat e shqiptarëve. Edhe ne u përfshimë nga emocionet e rëndësisë së datës së 28 nëntorit. Udhëtuam nga Shkodra në drejtim të Krujës së bashku me; dom Nikë Ukgjinin, dom Nikolin Tomen, dhe Dom Martin Jakun.

Dita e pavarësisë pati një festim ndryshe këtë herë, morëm pjesë në aktin e dhurimit të pullave shqiptare të Gjergj Kastriotit, të cilët u bënë pjesë e ekspozimit sot për herë të parë, nga filatelisti Hysen S. Dizdari.

U mirëpritëm nga Drejtori i Muzeut z. Mehdi Hafizi dhe stafi i tij, ku ndoqëm me interes promovimin e librit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017” nga z. Hysen S. Dizdari.

Hysen Dizdari prezantoi librin dhe i dhuroi pullat postare origjinale për Gjergj Kastriotin, Muzeut Kombëtar të Krujës, duke e pasuruar më tej këtë muze.

Image

Aktiviteti u drejtuar nga z. Klodjan Loka, punonjës i Muzeut, ku bëri një historik të shkurtër të Muzeut dhe i dha fjalën studiuesit dr. dom Nikë Ukgjinit (Drejtor i Qendrës Muze Domë Ndre Mjeda), i cili referoi temën “-Gjergj Kastrioti Skenderbeu në veprën e At Giuseppe Valentinit” duke u ndalur konkretisht tek veprat e tij kushtuar heroit tonë kombëtar, ku i jepet rendësi botimit të 25 vëllimeve në gjuhën latine të “Acta Albaniae Veneta” (Aktet shqiptare të Venedikut). “Për Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij janë rreth 2.890 dokumente arkivorë prej 3.128 faqesh. E në dorëshkrim ka mbetur vëllimi i 26-të me rreth 700 dokumente të tjera.” Dom Nikë Ukgjini solli fakte interesante për figurën e Gjergj Kastriotit në veprat e At G. Valentinit.

Më pas, Drejtori i Muzeut përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi punën e H. Dizdarit dhe e falënderoi për dhurimin  e pullave dhe të librave të tij, po ashtu foli dhe për rolin e Muzeut Gj. Kastrioti Skënderbeut në edukimin atdhetar dhe patriotik të brezit të ri.

Edhe autori i librit përshëndeti të ftuarit dhe i falënderoi për praninë, dhe na bëri një rezyme të shkurtër të librit-album Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017”, dhe aty bënë periodizim të ndikuar nga ngjarje të ndryshme historike në të cilat ka kaluar shteti shqiptar.  Aty shpalosen vlerat kulturore, historike, artistike, dhe kombëtare të realizuara me mjeshtri të larte artistike nga piktorët e skulptorët më të njohur të vendit tonë dhe të huaj. Libri ndahet në tre pjesë; Pjesa e parë; përfshin emisionet e pullave të emetuara nga viti-1913-1944. Pjesa e dytë; përfshin emisionet e pullave të emetuara nga viti-1945-1990. Pjesa e tretë; përfshin emisionet e pullave të emetuara nga viti-1991-2017.Botimi është në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht. Përmes larmisë së informacionit dhe të ekspozimit të historisë pullave postare, ky libër nxit interesin e koleksionistëve shqiptar dhe të huaj.

Image

Në mbyllje, Drejtori i Muzeut z. Mehdi Hafizi i dhuroi z. Dizdari certifikatë mirënjohje me motivacionin “Për kontributin e dhënë në pasurimin e Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me një pjesë të koleksionit personal të pullave mbi Skënderbeun, kontribut i cili merr vlera më të mëdha në këtë Vit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.

Pasi vizituam ekspozitën e pullave, drejtori na shoqëroi për të bërë një vizitë dhe në Muzeun Etnografik ku ndoqëm me interes shpjegimet plot pasion të punonjësit të Muzeut. Muzeu ishte i pasur me orendi shtëpiake, vegla pune, pajisje të tjera, veshje kombëtare, që na njohën me jetën e shqiptarëve në periudha të ndryshme historike.

Më këtë rast,  ishte vërtet një ditë feste në Krujën legjendare të Gjergj Kastriotit në këtë vit jubilar të 550 vjetorit të vdekjes, duke e rikujtuar veprën e tij heroike e atdhetare qoftë edhe neper gjurmëve të pullave postare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat