Përsiatje filozofike në nje libër te vogël

Kultura

Përsiatje filozofike në nje libër te vogël

Nga: Tahir Bezhani Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 08:14
Kopertina e librit

Ismet Tahiraj, një krijues i ndjeshëm, modest, me  vargun poetik te gdhendur mirë e mirë, pa bujë, na vjen me poezi të  reja  në librit “Shenjtëresha Këmishëbardhë”,ku secili varg në secilën poezi, mbart peshën e vet filozofike, me  refleksion e mesazh shume dimensional poetik.

Në këtë rast, si rrallë te ndonjë poet tjetër, gjatë leximit të librit  në fjalë, që në fillim hasim në fjalën  Këmishëbardhë, imagjinuar si bashkudhëtare në pesëmbëdhjetë poezitë e këtij libri, ku trajtohen temat që dalin nga një shpirt i ndezur poeti me gjitha përplasjet e kohës së përjetuar. Një qasje poetike nga I-XV,poezitë, me te njëjtin titull, ku  gërshetohet e trajtohet bukur tematika  jetësore  te përjetuar nga  poeti, Ismet Tahiraj. Semantika e ndërtuar në këto vargje poetike, është  një  fuqi intelektuale, shumkuptimore e poetit me përvojë të pasur pune e jete,në këto hapësira tona...

Nuk është e thënë, që të jesh krijues i njohur,të kesh shumë shkrime-libra te botuara. Ka rëndësi të posaçme, që shkrimet të kenë vlerat  artistike, tok me rregullat letrare ku spikat mesazhi, stili, figura, estetika, ndërtimi i vargut e shumë gjëra tjera. Mendoj se në këtë kuptim, ”Shenjtëresha Këmishëbardhë”,e autorit Ismet Tahiraj, ka arritur që me sukses t’i prezantohet lexuesve të tij, lexuesve në përgjithësi, sepse vargu poetik i këtij autori,me figuracionin e stilin personal, ka arritur atë piedestalin artistik të nevojshëm,duke komunikuar në mënyrë artistike me publikun e gjerë. Për këtë arsye e disa te tjera,ky libër,kam bindjen se do jetë i mirëpritur prej secilit lexues, dashamirë i artit poetik,pikërisht edhe për faktin e përcjellës së porosive të çarta.

Mbushja dhe zbrazja e katarsës poetike te poeti Isme Tahiraj,i ngjanë “kaskadave që shtrojnë vrullin e rrëmbyeshmërisë ndjesore”, kur shpirti kërkon lirim nga përplasjet e brendshme. Autori rrëmbehet  nga tematikat e forta që krijojnë presion mbi intuitën e poetit. Dashuria e dhimbja janë shtylla kryesore të ndërtimit të vargut melankolik. Në poezinë “Këmishëbardha VII” lexojmë se sa rrjedhshëm e me pedanteri poetike shprehë  dufin e tij, poeti:”Puth,puth/Se digjesh i etur/Tërë jetën/Dita e përcillte/Avullin e deteve/Drejt qiejve sovran”.

Në trajtimin e temave, poeti Ismet Tahiraj, nuk u rri “borxh” fenomeneve  jetësorë, ku trajtesa është tejet elegante,për t’ia ofruar edhe lexuesit,duke u futur në të gjitha labirintet e jetës e kohës, nga tradita jonë e përgjithshme, pra duke kaluar kronologjikisht në psikologjinë e popullit me gjitha aspektet mundimshme të kohës. Thelbësore e këtij libri poetik qëndron  shkathtësia poetike e përdorimit të një emri imagjinativ, (Këmishëbardhë-a), ku personifikohet me si shokun-poeten  bashkudhëtare  valëve të jetës në të mirat e të këqijat e saj, si  përjetim apo  synim....

Një vend të veçantë e mjaft të spikatur në këtë libër zënë edhe redaktori-recensenti i këtij libri,zotëri Xheladin Çitaku,i cili me pedanterinë e tij,njohurinë që posedon për artin poetik,gjetjet shembullore të fjalëve adekuate për ta vlerësuar poezinë e autorin,me kanë lënë mbresa gjatë leximit të këtij vëllimi poetik. Përdorimi tepër racional i fjalëve,futja aty ku e do arsyeja dhe merita e poezive,janë të mirëpritura për lexuesit kohëve të fundit. Këto vlera redaktoriale,e bëjnë më atraktiv librin dhe vlerën e autorit.

Gjitha këto së bashku,librin “Shenjtëresha Këmishëbardhë”, me autorë Ismet Tahiraj,është edhe një botim i mirëseardhur për autorin dhe poezinë në tërësi,i cili libër, do jetë në raftet e   bibliotekave shkollore e universitare.

Suksese autorit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat