“Udha e brezave”, një histori mes Shqipërisë dhe Kosovës

Kultura

“Udha e brezave”, një histori mes Shqipërisë dhe Kosovës

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 13:13
Ndrec Molla

Në 106 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e pa dritën e botimit libri “Udha e brezave”, i autorit Ndrec Molla.

Ky libër i cili është i ndarë në dy pjesë, përshkruan ngjarje historike dhe në anën tjetër përmban edhe poezi të cilat kanë prapavijë ngjarjet historike që karakterizuan Kosovën dhe Shqipërinë.

Leon Molla, djali i autorit Ndrec Molla, thotë se në këtë libër, ndër të tjerash, janë dëshmi e të dhëna të padëgjuara më parë. Libri nis me të dhëna për gjeneral Zdrenin, për të cilin Molla thotë se është paraardhës i tyre.

Molla: Libri është sa historik edhe poetik

“Libri “Udha e brezave” është libri i babait tim, i cili është sa historik, po ashtu edhe poetik. Në këtë libër tregohet eurogjina jonë që në kohën e gjeneral Zdrenit, ish gjeneral i Gjergj Kastriotit, që në veprën e Marin Barletit përmendet si i pari që ka luftuar kundër forcave osmane që donin të depërtonin brenda territorit të arbërit. Po ashtu, vijon rreth viteve 1561 që tregohet lufta e Vërdovës, që trashëgimtari i Zdrenit Gjoni me gjashtë djemtë e tij, Pepa, Gjini, Gjoka, Kola, Marku dhe Lazri luftuan kundër forcave osmane”, thotë Molla.

Në këtë libër, ndër të tjerash tregohet edhe për jetën e autorit Ndrec Molla, i cili për një kohë kishte jetuar e shkolluar edhe në lagjen Arbanë të Prizrenit. E biri i tij tregon se ata kanë pasur edhe një lokal aty, të trashëguar nga gjyshi i tyre.

Molla tregon familjarët e tij u larguan nga Prizreni pas një incidenti që u ndodhi pikërisht më 28 nëntor të vitit 1944, kur babai i tij, Ndrec Molla kishte vendosur flamuj shqiptarë në lokalin e tyre.

“Në lokalin e gjyshit tim në kafenenë “Shatërvani” në Prizren, e kishte mbushur lokalin me flamuj shqiptarë, por nga mbrëmja, një oficer serb me dy xhandarë ka hyrë brenda ambienteve të lokalit në të cilin ka bërë provokime, ka marrë flamurin shqiptar dhe e ka shkelur me këmbë dhe pas reagimit të një mirditori i quajtur Frrok Rradaqi, oficeri serb e ka nxjerr armën dhe e ka qëlluar dhe e ka lënë të vrarë në vend. Po ato momente, oficeri serb me dy xhandarët e tij janë ekzekutuar. Pastaj kanë marrë të dy xhandarët serb dhe oficerin e tyre dhe i kanë sjellur në sheshin e Shatërvanin, ndërsa Frrok Radaqin gjyshi im Mark Mollën e disa shqiptarë të tjerë e kanë marrë trupin e tij siç ishte dhe e kanë varrosur në varrezat e Prizrenit”, deklaron Molla.

Në libër thuhet se familja e Molla njihet edhe për faktin se për herë të parë kanë aplikuar të drejtën e gruas për trashëgimi në pronë. Leon Molla tregon për historinë e Lenës, vajzës së Pepës, për të cilën thotë se xhaxhallarët e saj i dhanë prone, kur asaj iu vra familja në një sulm në Gjakovë.

Molla: Dera e Mollajve për herë të parë u dha pronë bijave dhe nipave

“Dy xhaxhallarët i dhanë pronë, po ashtu i ndërtuan shtëpi dhe pas kësaj, dhe dy vëllezërit e Gjonit, domethënë dy xhaxhallarët e gjashtë vëllezërve, Pjetri dhe Gjini, ndihmuan dhe morën në pronat e tyre nipat dhe bijat. Këtu del për herë të parë që dera e Mollajve ose ndryshe trashëgimtarët e gjeneral Zdrenit dolën për herë të parë që të merrnin nipat në pronat e tyre dhe për këtë, Kanuni i Lekë Dukagjinit që drejtohej nga dera princërore e Mirditës, Gjon Markaj, u shkrua si rregull për të respektuar dhe për ta pronësuar bijën apo nipat”, tregon Molla.

Leon Molla beson se ky libër do të pritet mirë nga lexuesit, pasi që siç thotë ai, libri “Udha e brezave” është i depolitizuar.

Molla: Libri nuk e përfshin politikën

“Libri nuk ka përfshirë politikën, libri është i depolitizuar, aty ka të shkruar ngjarje dhe rrëfime për vrasjen e Dedë Gjo Lulit, janë përfshirë emra të krimeve që janë kryer nga regjimi komunist, në vitet e para të regjimit komunist që janë vrarë në Mirditë, po ashtu në këtë libër do të gjenden dëshmi të ndryshme të asaj periudhe, që vet babai i ka përjetuar dhe i ka dëgjuar”, thotë Molla.

Ndërkaq, edhe te pjesa e poezive, një hapësirë i është kushtuar edhe Kosovës, veçanërisht me poezinë “Gjaku i Kosovës”, të cilën i biri i autorit e reciton me emocione.

Përndryshe, Leon Molla, njëherësh redaktor i librit në fjalë, ka njoftuar që ky libër do të përkthehet edhe në gjuhën frënge.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat