“Skënderbeu” i regjisorit Limani udhëton nëpër botë

Kultura

“Skënderbeu” i regjisorit Limani udhëton nëpër botë

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 12:51
Xhevat Limani

Njihet si themeluesi i Teatrit Shqiptar në Amerikë që funksionon tash e 16 vite. Regjisori Xhevat Limani thotë se ideja për themelimin e këtij teatri i erdhi pas një incidenti që kishte pasur në Maqedoni.

Në një intervistë për KosovaPress, Limani thotë se ai nuk u lejua nga qeveria maqedonase që të shfaqë programin “Luftojmë terrorizmin” në 2002, vit për të cilin deklaron se u sulmua me urdhër të kësaj qeverie.

Limani: Më sulmuan tetë agjentë dhe afro 60 policë

“Pesë minuta para se të fillonte programi, më vunë pistoletën në kokë e më nxorrën nga salla dhe më sulmuan nja tetë agjentë dhe nja 60 policë gati, mirëpo rrahja doli në rrugë dhe më shpëtuan nja 600 – 700 qytetarë, i zhveshën policët, ishte rast i montuar politik. Më deklaruan edhe të vdekur nëpër televizione lokale, mirëpo shpirtin e jep perëndia, nuk e jep qeveria dhe mua më mori në mbrojtje ambasada amerikane, fat i mirë ishte që gjithë këtë dramë, këtë rast të montuar e pa një punëtor i sigurimit të Ambasadës Amerikane.

Pas këtij incidenti, Limani tregon se ishte transferuar në Amerikë, siç thotë ai, pa ditur asnjë fjalë anglisht. Por kjo nuk e pengoi që ta hapte teatrin e parë shqip në ShBA.

Limani: Me tre personazhe përshkrova historinë e shqiptarëve të Kosovës

“Më 26 dhjetor 2002 bëra premierën e parë dhe hapin e parë të themelimit të teatrit shqiptar në Amerikë, Albanian Theatre in America. Drama kishte tre personazhe, me qëllim e bëra dramë më të thjeshtë, se ishte problem ku do të mbanim prova dhe bëra tre personazhe, Zoti, Djalli dhe Engjëllina. Engjëllina ishte Kosova, Zoti ishte opozitë, djalli ishte pozita e ligësisë e së keqes, dhe aty zhvillova gjithë historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë”, ka thënë Limani.

Përmes këtij teatri të konceptit lëvizës, Limani shfaqi vepra të ndryshme, siç tregon ai, me frymë kombëtare. Së fundmi ai erdhi edhe në trojet shqiptare, që për nder të 550-vjetorit të Skënderbeut, ta shfaqë dramën për Gjergj Kastriotin. Drama ka dy personazhe, Skënderbeun që luhet nga vetë regjisori Limani, Donika, që e interpreton aktorja Era Hoxha, si dhe narratorja Merita Çoçolli.

E kjo dramë, siç njofton Limani, i mori afro një dekadë punë.

Limani: Drama për Skënderbeun më mori 9 vite kohë

“Unë e kam luajtur me shumë mall, me dashuri, këtë shfaqje e kam bërë për mesazh, me porosi të qartë, me detyrë konkrete, rikthimin e motit të madh, për arsyen e vetme, kur shkrova dramën i humba nja nëntë vite pasi që kisha lexuar prej nga Marin Barleti e deri te Sabri Godo, gati rreth 34 a 35 veprash shqip dhe anglisht, nuk isha i kënaqur as edhe me tragjedinë të cilën e kisha luajtur nga viti 93/94, Skënderbeun vet dhe atëherë krijova një personazh tjetër, një dramë tjetër, një poemë dramatike të cilën e shkrova vetë në bazë të kronikave dhe fakteve, dëshmive që unë hulumtova, arkivave dhe bibliotekave të huaja të botës”, tregon Limani.

Limani ka edhe një porosi për institucionet shqiptare. Ai kërkon nga ato që të investojnë më shumë në kulturë e arsim, ndërsa, artistët shqiptarë i quan diplomatët më të mirë të vendit.

Limani: Shqiptarët duhet të investojnë më shumë në arsim e kulturë

“Besoj se në të ardhmen, meqë shqiptarët deri tani nuk kanë bërë as shtëpi kulture, as shkolla, kanë bërë vetëm kisha dhe xhamia, nuk kam asgjë kundër çështjeve fetare, është çështje e besimit, e vullnetit të lirë të individit, por mendoj se ata duhet të investojnë pak më tepër në shkolla dhe institucione të artit e kulturës, meqë nëse kanë diçka me të cilën mund të krenohen shqiptarët, domethënë mund të krenohen vetëm me sport, me art, me kulturë, me këngë. Shihni, tre-katër këngëtaret më të mira në botë sot, figurojnë se janë këngëtare të Kosovës”, ka thënë Limani.

Regjisori Limani ka thënë se Teatri Shqiptar në Amerikë, e në veçanti kjo shfaqje po pritet shumë mirë nga audienca.

Përndryshe, kjo dramë, përpos në vendet e Amerikës, gjatë këtij muaji është shfaqur edhe në trojet shqipfolëse. E së shpejti kjo dramë do të botohet në një libër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat