Interneti sfidë për të drejtat e autorit në Kosovë

Kultura

Interneti sfidë për të drejtat e autorit në Kosovë

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 11:51
Pamje nga konferenca rajonale me temën “Të drejtat e autorit në kohën digjitale”,

Interneti po del të jetë sfidues për të drejtat e autorit. Një vepër e autorit lehtësisht mund të gjendet në platforma të ndryshme online, pak kohë pasi ajo plasohet në treg.

Kështu është thënë në konferencën rajonale me temën “Të drejtat e autorit në kohën digjitale”, që është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për kreun e Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashin, duhet të punohet edhe më shumë për të siguruar mbrojtje më të mirë për të drejtat e autorit. Ndërkohë që konferencën rajonale me temën për të drejtat e autorit në kohën digjitale e ka quajtur shumë të rëndësishme për zhvillimin e kësaj të drejte në Kosovë.

I pari i Kulturës, ka thënë se si Ministri janë duke ecur përpara dhe sigurt për të krijuar një ambient ku të drejtat e autorit zbatohen dhe autorët gëzojnë mbrojtje dhe përfitime ekonomike nga vepra e tyre. Madje, ai u shpreh se Kosovë çdo ditë e më shumë po e mbron autorin.

Gashi: Krijuesit të mbrohen dhe kompensohen edhe në kohën digjitale

“Në kohën digjitale veprat e autorit krijohen me shumë mund dhe investim, ndërsa teknologjia e ka bërë të mundur që kopjet digjitale të veprave të bëhen shpejt dhe me shumë pak shpenzime e mund. Ne, vendi ynë duhet të siguroj që krijuesit, inovatorët dhe investitorët të mbrohen dhe kompensohen edhe në kohën digjitale. Puna jonë ka qenë e bazuar në krijimin e sistemit të së drejtës së autorit dhe luftimin e piraterisë fizike dhe ashtu fal zhvillimit të teknologjisë. Institucionet ligj zbatuese në kuadër të task-forcës kundër piraterisë, inspektorati i tregut, policia dhe doganat, të koordinuara nga zyra për të drejtën e autorit kanë marrë masa të vazhdueshme kundër shkeljeve të së drejtës së autorit. Mijëra mallra pirate janë sekuestruar dhe janë konfiskuar, por ne duhet të punojmë edhe më shumë dhe me vendosmëri për mbrojtjen e të drejtës së autorit në ambientin digjital”, tha Gashi.

Gashi ka thënë se vendi duhet të sigurojë mbrojtje më të mirë të së drejtës së autorit.

Ai ka përmendur se pas 5 vitesh negociata, në vitin 2018 është arritur marrëveshja e parë për tarifat e përgjithshme të muzikës për transmetuesit.

Gashi, premtoi se Ministria që ai udhëheq deri në fund të marsit të vitit 2019 do të propozojë tarifat edhe për operatorët kabllor.

Ndërkaq, drejtori i zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Valon Kashtanjeva, ka thënë se Kosova ka një sistem të ri të të drejtës së autorit dhe se është në fillim të krijimit të një sistemi funksional, ku të drejtat e autorit zbatohen dhe ku krijuesit përfitojnë nga e drejta e autorit.

Kashtanjeva ka përmendur disa nga sfidat me të cilat përballet e drejta e autorit në Kosovë, ku ka potencuar se interneti dhe mungesa e një domeni të internetit për Kosovën është sida më e madhe.

Ai ka përmendur se në Kosovë janë sekuestruar me mijëra mallra pirate dhe se në gjykata ka shumë lëndë që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit.

Kashtanjeva: Sfidë për të drejtën e autorit për Kosovën është mungesa e domenit të internetit

“Sfidë për të drejtën e autorit në kohën digjitale për Kosovën është edhe për shkak se vendi ynë nuk ka domen të internetit. Kjo paraqitet një sfidë për luftimin edhe të piraterisë, po edhe sfidë për shpërndarjen e materialit të cilin krijuesit tanë e krijojnë. Ne duhet patjetër që në vitet në vijim do të kemi një domen të vendit tonë. Ne përveç tjerash këtë vit janë miratuar tarifat për menaxhimin kolektiv për shfrytëzimin e muzikës, është një e arritur, dhe këtë vit kemi miratuar edhe tarifat për mediat e zbrazëta, të cilat futen në territorin e Kosovës. Këto veprime të cilat janë marr, duke filluar nga legjislacioni natyrisht që janë veprime që do të ndikojnë që t’i ndihmojnë Kosovës, krijuesve tanë, përformuesve, atyre që investojnë që të arrijnë qëllimin dhe të përfitojnë nga ekonomia digjitale”, tha ai.

Ndërkaq, Kashtanjeva është shprehur se mbrojtja e të drejtave të autorit është shumë e rëndësishme për kulturën dhe ekonominë e Kosovës.

Kashtanjeva: E drejta e autorit ka rëndësi për kulturën

“E drejta e autorit ka rëndësi për kulturën, e drejta e autorit ka rëndësi për ekonominë dhe e drejta e autorit ka rëndësi për shtetin në përgjithësi, për shkak se edhe klima e investimeve, kompanitë e mëdha do të investojnë më shumë kur vendi ka një sistem ku të drejtat e autorit zbatohen më mirë dhe ku krijuesit dhe ata që investojnë kompensohen për punën dhe veprën e tyre”, është shprehu ai.  

Konferenca rajonale për të drejtën e autorit në kohën digjitale është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, ku përveç përfaqësuesve të Kosovës në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe nga Shqipëria, Hungaria, Mali i Zi dhe vende të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat