Casa – Casino

Kultura

Casa – Casino

Nga: Bajram Sefaj Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 13:45
Casa – Casino

Si i urituri, kur qëllon edhe gurman, që papritur gjendet para tryezës së pasur shtruar për festat  e fundvitit, me pjata plot specialitete, ndër më të ndryshmet dhe më sublimet, (kur as shishët e verës që vijnë drejtë e nga Ishulli i Verës, nuk mungojnë), që bie në siklet e nuk di nga t’i qaset, edhe unë kam hall të ngjashëm, kur gjendem para atyre njëqind e tridhjetë faqeve të romanit “Casa - Casino” të romansierës Ljuljeta Dano, nga Tirana, që tashmë është emër i njohur në letërsinë më të re shqiptare. Bashkë edhe me një Luljetë (Lleshanaku), me një Mimoza (Moza) Ahmeti, dhe tjetra. (Këtu e këpus këtë avaz, ngase “shejtankat” shkrimtare, janë më të ndjeshme se letra e cigares. Nuk janë të lehta për krahasime, si “gjethet e vjeshtës” të Kadarésë! Ato mbase nuk durojnë as numërimin: e para, e dyta, e treta... E marrin ters, si shkallëzim apo rang.

*Romani i shkurtër e kompakt, bonbone, “Casa - Casino, si një xhep mbushur me perla e xhevahire, plot florinj e diamante, i autores Luljeta Dano, lexuesin e saj e vë në siklet të madh, si atëherë kur e lexon herën e parë, por edhe kur iu rikthehet, pas vetëm pak ditësh,  e lexon më një frymë, po aq herë sa ta lexon. Ngarkohet me mbresa të thella sa nuk di nga t’ia mbaj e ku të shkoi.

 Ç’është e vërteta, ndërkohë ai ishte i botuar në Durrës, apo diku tjetër, e parëndësishme kjo!

 Të mos e humb filli...

Romani Casa – Casino (shtepiza), e Luljetës, ka dy banorë  kryesorë – Barbara dhe Elisé Dhertilis. Edhe atëherë kur përmendet emri i tyre,  ata janë të pranishëm në çdo faqe të këtij romani, të vogël nga volumi e të madh  nga vlera artistike, janë të pranishëm në të dyzet kapitujt e shkurtër të tij. Lidhja e tyre është aq e ngushtë dhe e thellë, sidomos e Barbarës ndaj dyzetvjeçarit Elisé, sa që “Casa – Casino” pa fije hezitimi, mund të quhet, roman dashurie. I një dashurie të madhe. Një sagë dashurie, jo çfarë dashurie., madje.

Në qoftë se është e vërtetë, e pse mos të jetë e vërtetë, që autori (autorja në ketë rast), shkrihet ose identifikohet me personazhet, atëherë në pah dali dy xhelozi të mëdha përnjëherë: pse nuk je në vendin e Elisé Dhertilisit, kur një bukuroshe shtatë-tetëmbëdhjetë vjeçare, marrëzisht, deri në ekstrem, dashurohet në të, sa që më çdo kusht e çmim do të këtë fëmijë me të, dhe e dyta xhelozi, hiç më pak përvëluese e se e para, ndaj autores Luljetë, xhelozi e madhe në mjeshtërinë e saj të shkrimit e të rrëfimit.

Pa hy në detaje, Luljeta është kursimtare e madhe, nuk harxhon shumë fjalë badihava, pa inflacion fjalësh e blla-blla kallëzimesh të pafund, nga e si u takuan ata, në Ishullin e Vogël (pra logjikisht, ka edhe një Ishull i Madh), është e parëndësishme fare, atë punë më se miri e di Barbara, respektivisht rrëfyesja (jonë) Luljetë. Ketë arsye romani i saj brilant “Casa  Casino” i saj ka vetëm 130 faqe, kur lirisht ka mund t’i ketë 330, ndoshta edhe më shumë. Megjithatë, pavarësisht nga vëllimi, në atë roman të ngjeshur e me pak faqe, ka shumë dashuri (veç u tha!), ka histori, ka gjeografi. Ka personazhe shumë. Ka lëvizje e zhvendosje të shpeshta, sa këtu, sa atje, ka çka nuk ka në ato faqe të këtij romani duket. Që fillon (me të cilin ka mund edhe të përfundoi) më këtë dialog misterioz, mund të quhet:

Ç’bën, si je, i dashur?

Atje larg,

Atje lart në malin mbi det

Dora jote lëkund detin.

Para se të vihet pika përfundimtare “point final”, ( si thonë francezët), në fund të këtij teksti modest dhe aspak pretendues,  ndjej kënaqësi të veçantë  që këtë roman, tejet modern, tejet evropian, është botim i ShB “Faik Konica”, nga Prishtina, drejtues i se cilës është shkrimtari i spikatur, Nazmi Rrahami. Kjo është hera e dyt që kjo autore serioze nga Tirana¨. Paraqitet me roman para opinionit të gjerë lexues të Kosovës. Hera e parë ishte në vitin 2000,  kur romani  i saj “Orët e shahut” (Letër me gjasë romani), rrëmbeu çmimin e dytë të konkursit për roman, shpallur me rastin e dhjetë vjetorit të themelimit të  Shtëpisë Botuese “Buzuku” të Prishtinës. Po atë vit dhe po nga ky botues, krejt natyrshëm, romani i Luljetës pa dritën e botimit.

Do të ishte mirë që edhe botuesit nga Shqipëria të ndjekin rrugën e reciprocitetit e, herë pas herë, të botojnë ndonjë vepër letrare të autorëve shqiptarë nga Kosova e mos të kënaqën me praktikën e dy shtëpive botuese (Onufri dhe Toena ) që herë pas herë botojnë, rrallë e për mall. nga një autor, jo më shumë, edhe  atë, një herë në dy-tre vjet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat