Guxo! – shpirti dhe amaneti i Ndre Mjedjes

Kultura

Guxo! – shpirti dhe amaneti i Ndre Mjedjes

Nga: Xhahid Bushati Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 13:49
Ndre Mjedja

1. Për Mjedjen dhe krijimtarinë e tij poetike për fëmijë, prej kohësh më ka munduar pyetja: “A ishte një fenomen letrar Mjedja? Nga studimi im për këtë figurë madhore, më rezulton se ishte dhe mbetet i tillë edhe sot e kësaj dite. Siç thotë studiuesi Sabri Hamiti: “Të lexohet Mjedja sot. Të shkruhet për Mjedjen sot: përpara del një problem me ngarkesë të dyfishtë. E para, poezinë e tij e kemi pasur jo vetëm lekturë të obligueshme, po edhe të dashur që nga mësimet e para të letërsisë në fillore. Shumë ide të tij, vargje të tij, shumë vjersha të tij, jo vetëm se i kujtojmë përmendësh, po i kemi bërë edhe pronë të dijes personale, na kanë hyrë në mënyrën e të menduarit. Pra, lexuesi jo rrallë i përdor si vlera të vetat. Vështirësia rritet mu këtu: si të hidhet përpara në fushën e analizës teksti, i cili njëherë është pranuar me adhurim.”

Duke qëmtuar shkrimet për Mjedjen, të cilat janë të gjinive dhe zhanreve të ndryshme, si dhe studimet; qasjet ndaj kësaj letërsie fëmijërore mjedjane, janë përqëndruar kryesisht si objekt shqyrtimi tek vëllimi me poezi “Guxo”. Gjithashtu, në vite, ka edhe shqyrtime të tjera si këto: 1.Larmia e motiveve dhe e formave artistike, 2.Vlerat artistike dhe edukative në poezinë fëmijërore të Mjedës, 3.Karakteristikat e vargjeve të amla, 4.Poet i gjuhës ‘si diell pa hije”, 5.Veçoritë e rimës në poezinë e Ndre Mjedës, 6.Struktura e vargut, 7.Vjersha të motivuara nga realiteti jetësor i botës së fëmijëve, etj.

2. 152-vjet kaluan nga lindja e atij njeriu zëmadh që fëmijëria e tij bashkëjetoi me varfërinë e skamjen. Sot na vjen më i dritshëm se kurrë, më real se kurrë, më madhështor e hapësinor, më i ëndërrt se kurrë. Plaku i moçëm Ndre, i fundmi i Rilindasëve dhe i pari i Modernëve, për kohën që jetoi dhe udhëtoi edhe përtej saj, ishte poeti më interesant, më i papërsëritshmi në rrëfimin e poetikën të poezisë shqipe për fëmijë. Mjedja vazhdoi traditën e gjithë rilindasve, e në mënyrë të veçantë të N. Frashërit, S. Frashërit,K. Kristoforidhit, etj., të cilët, nëpër librat shkollorë botuan edhe krijime për të vegjëlit. Aq shumë e çmuan këtë brezni, sa i falën edhe shpirtin e talentit. Ndaj, poezia e Mjedjes mbartëte një realitet magjik. Me këtë magji e nektar mbushi zemrat e shpirtrat e fëmijëve (carrokëve). Se, vetë, shpirti i Mjedjes ishte i drithshëm si një gjethe, si një pupël zogu, i dridhshëm si ajri, si një agim i bekuar. Bekoi çdo poezi me vargje muzikale (të lëmuara), me plot figura si bukureza në një natë maji. Se, vetë, shpirti i Mjedjes (Mjedologjisë) ishte amanet: Guxo! Guxo – ishte lejtmotivi i këtij cikli të gjerë, me shumë rrezatime kushtuar fëmijëve e poezisë së kësaj moshe. Duke iu drejtuar kësaj moshe, vargjet e Mjedjes kanë si bërthamë elementin edukativ e moral, përmes së cilave ai shpreh dëshirën që fëmijët të rriten trima, të mësuar, të thjeshtë, të pastër  (me virtyte), të sjellshëm me shokët dhe prindërit, me të gjithë njerëzit e punës. Brenda kësaj substance ishte dhe thirrja diturore, dhe porosia prej Mësuesi e Didakti, prej Prindi e Poeti : “Çfarëdo sendi me fitue, / Trimni lypet e guxim.” E, kur “Lundërtar-i qi s’rrezikohet, / Kur a deti shkum’ e valë”, sepse ‘shëtit’ nëpër hapësirat poetike të vjershës “Guxo”, më sjell në mendje një poezi të Friedrich  Nietzsche, i cili thotë: “Që kur u lodha së kërkuari, / Unë mësova të gjej. … Që kur një erë më ngadalësoi anijen / Nisem për lundrim sapo fillojnë erërat”.

Gjithashtu më sjellë në mendje edhe një arsyetim analitik plot dije dhe kulturë të Prof. Vehbi Balës që portretin e Mjedjes si stilist, e shikon në këto rrafshe: “*Mjeshtria teknike – figurative e Mjedës është për t’u çmuar vërtet. *Metrika dhe prozodia shqiptare kanë se çfarë të trashëgojnë nga arritjet e tij profesionale. *Gjuha poetike e Mjedës është shumë e pasur në fjalor dhe në ndërtimin elokuent të frazës, … . *Figuracioni i tij artistik është po aq i pasur dhe i ngritur me shije të hollë prej liriku dhe pikëzuesi plastik.”

3. Mjeda edukator, edukon fëmijët me shenjtërinë e tij: poezinë. Fëmijët, -thotë Mjeda, - duhet që të dëgjojnë më shumë, të shohin më shumë, të punojnë më shumë, të flasin pak, shkurt dhe saktë. Në këtë kalejdoskop porosish të vyera, Mjeda kapërcen kohën e vet dhe mbetet aktual edhe sot. Dhe në këtë vazhdë, jo më kot portretin e këtij poeti e ‘qëndisin’ fjalët: urtia, puna, nderi, djersa, bleta punëtore, thnegla (milingona), dallëndysha. Kjo e fundit, përmes një shqiptimi përkëdhelimor e mirësie, poeti ‘vendosë’ të paraqesë misionin e saj-simbol:

“M’buz’ t’nji strehe, o n’kulm t’shtëpisë /  Rri dalldysha tue punue, / Tue godit’ rri çerdhen fmisë,  Deri nata t’vin’ punon.”

Mjedja për vetë natyrën e tij të magjishme poetike, edhe vargjet i përzgjedh si ato gurët e çmueshëm, që përmes frymëzimit, si në rastin edhe të kësaj poezie, ai himnizon dashurinë ndaj prindërve dhe veçanërisht nënës. Në fillim po citoj nga vjersha “Nëna me buzë në gaz”:

Se lulet qi n’prenverë / Fillojn’ në kopsht m’u rritë, / Mue nana, kur m’shikon, / Me buz’ në gaz m’gazmon.

Në këtë poezi Mjeda, e shkruar me ndjenjë si zakonisht, na flet për shpërblimin që duhet t’i japë fëmija nënës me sjelljen e vet të mirë, për përkujdesjet e saj plot dhembshuri. Fëmijës asgjë nuk i duket aq e bukur në qiellin me yje se sa nëna, që ia shton jetën dhe gëzimin.

Mjeda i urren veset. I qorton me forcë fëmijët që i mbartin dhe i manifestojnë, si: lakmia, mendjelehtësia, rrena (gënjeshtra), mos i bje shoqit, etj. Jo vetëm i qorton, jo vetëm i këshillon, por Mjeda arrin të brengoset dhe kthehet në një britmë, kur thotë: “Vesh’ me t’arta e zhele t’shkreta / Nderen plaku e meriton; / Dhun’ e kore, po, i shkoft’ jeta / Faqeziut që s’e nderon.” (poezia: “Nderoni pleqtë”) Nuk e di pse gjithmonë kam menduar se i lumtur është ai fëmijë që rritet me gjysh e gjyshe. Jo më kot një filozof ka thënë: “Profesioni më i vështirë në botë është i të qënurit gjysh.” Gjysh dhe gjyshe – një pasuri e vyer që nuk duhet braktisur, mënjanuar, zemëruar, humbur dhe goditur...

Mjeda peizazhist. Si një piktor i zoti përdor ngjyrat, përgjithësisht të ngrohta e të ëmbla, si në poezitë: “Agimi”, “Zani i nades” (mëngjesit), “Filloi toka me u përtri”, “Mbramja”, “Vera”, “Vjollca”, “Të nisunit e zogjve”, “Moti”, “Zambaku”, etj. Mënyra e përshkrimit, tonet, detajet e përdorura me finesë, etj., “shpërndajnë një aromë” që s’mund t’i shqitesh. Bën të largohesh e nuk largohesh dot. Kthehesh e i merr erë (erakande), dhe si në përrallë kthehesh, vetë, në aromë. Ndoshta është fuqia ‘çudibërëse’ e poezisë mjedjane. Ajo është vërtet!..

Mjeda fabulist. Vështrimet dhe konceptet estetike të Mjedës për këtë gjini, ruajnë mëvetësi dhe origjinalitet. Ofrojnë në disa aspekte me poezitë, por edhe largohen. Por gjithsesi, poeti, ruan me fanatizëm identitetin e fabulës. Mbase kujtojmë përfundimet e fabulave, si: “Dhelpna e bretkosa”, “Fëmija dhe zogu”, “Thnegla dhe pllumbi”, “Fili dhe mzati”, “Gomari dhe kali”, “Lari (dafina) e drandofillja”, “Krapi”, etj. Mësimet fabulore mbeten aktuale edhe në ditët tona. Ndaj dhe rrëfimet e Mjedës nuk njohin moshë, rendja e tyre është drejt përjetësisë.

Po ta kqyrim e ta vlerësojmë poezinë e Mjedës në suksesin e saj, mbase do të ndalojmë detyrimisht te fuqia e përfytyrimit që te poeti ishte shpirtëzuar dhe shkrirë bërë një, si dhe te tuga (*tuje) e zemrës që te poeti ishte gëzim i madh, hare, kënaqësi, lumturi, me të gjithë të mirat e dheut.

Po tjetër ç’mbartëte dhe ushqente poezia për fëmijë e Mjedës? –Figuracion plot fantazi e art. –Fisnikëri. – Himnizim. –I kursyer në fjalë. –Nuk bie në thjeshtëzime. – Ka emocion. – Shquhen për tonin tregimtar, për gjetjen e subjektit dhe për mënyrën e shtjellimit të ngjarjes. Po tjetër ç’mbartëte dhe ushqente poezia për fëmijë e Mjedës? – Njohu mirë realitetet familjare. – Njohu mirë marrëdhëniet prindër-fëmijë. –Njohu mirë psikikën e fëmijës, moshën e lodrat (lojërat) e tij. Mjeda në poezinë e tij i mëshon me forcë edukatës, virtytit e moralit. Ndaj, ka jetëgjatësi kjo natyrë poezie që e përceptoi dhe e krijoi, kurdo dhe kurdoherë lexohet me ëndje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat