Siç të dua

Kultura

Siç të dua

Nga: Nexhat Halimi Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 17:53
Nexhat Halimi

ja pse shkruaj për ty pikërisht siç të dua

me kuptim rrjedhë rrymë e frymë e art

të shkruaj me gjak e të dua në dritë jetike

ta ndiej aromën e përhershme të shpirtit

me shtambë nga zbret për ujë në krua

ec udhë majës së malit shihesh me mua

me zjarr më djeg e përsëri më ngjallë

tash veç të kujtoj e të kam gjithnjë mall

e në iluzion vetmisë ecjes shtegut mitik

pa mendim të ri pa ritëm e aspak muzikë

çirren krijues varrës së fjalës së tyre kot

‘kujt i lidhet ky poet modern abstrakt

tërë kohën mbyllur në guacë hermetike’

  

s`ka abstrakti nga fjala rrjedh krua

e zjarr i shpirtit shfaqet i qenë e cullak

e shfaqet ylberi mbi ty me kaq  ngjyra

e fusha në mes barit ka kaq lule e flutura

e në rrjedhën e ujit lumit dëgjohet lira

e unë zgjedh mendimet e format e bukura

e ndihem kaq  poet për  ty Kosovë

ja pse shkruaj për ty dhe pse kaq të dua 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat