Skenderbeu në librin shkollor

Kultura

Skenderbeu në librin shkollor

Nga: Ramiz Spahiu Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 07:11
Pamje nga promovimi

Trojet shqiptare  prisnin dikë që t’i printe drejt një lufte të madhe. Kështjella priste një dorë për t’a ngritur flamurin me shkabë. Dhe, Zoti na fali Skenderbeun, një burr me dhunti të veçanta: mendjemprehtësi e aftësi gjeniale të artit ushtarak, dhe me një fizik të lidhur mirë e tipare morale deri në përsosmëri.  Skenderbeu u bë shembull i një prijesi e luftëtari me moral të lartë, e “gjendja morale në luftë, përbën tre të katërtat e lojës”  thot Bonaparti”.

Kryengritjet e deriatëhershme kishin treguar se perandoris osmane, nuk mund ti bëhej ball me popull të pabashkuar. Kështu, Skenderbeu si një hyjni, para se t’i hynte betejave me shpatë, arriti një mrekulli, Beslidhjen e Madhe, në Kuvendin e Lezhës. Veprimtaria e Skenderbeut, tregon ç’mrekullira mund të bëj një gjeni, para vështirësive të mëdha e të pakapercyeshme. Vullneti, qëndrueshmëria, ndjenja e lartë e përgjegjësis, vetëbesimi, dlirësia, dorëhapësia, gadishmëria e pranimit dhe shqyrtimit të ideve të reja etj, janë disa nga tiparet e personalitetit të gjeniut tonë.

Figura e Skenderbeut si burrshteti e strateg i artit ushtarak dallonte me mbretërit e princërit evropian të kohës. Kujdesej të njihte prirjet e njerëzve dhe shkallën e zotësis se tyre, me qëllim që t’i jepte secilit detyrën e merituar. Hartonte planin e luftës, udhëheqte ushtrinë dhe njëkohësisht luftonte edhe vetë, me krah të shpërvjelur, si një ushtar i zakonshëm, duke u bërë burim frymëzimi për luftëtarët. Në personalitetin e tij, Skenderbeu sintetizoi vlerat më sublime të etnopsikologjisë shqiptare dhe ne, aq pashkoqshëm identifikohemi me kryetrimin, sa qenia jonë nuk do të kishte kuptim pa të. Kështu Skenderbeu dhe populli shqiptar e përplotësojnë kuptimsinë e ndërmjetvetme,  në një pikë përbashkuese, si thot Fatos Arapi: /Populli?  – Po ai është Skenderbeu.  /Skenderbeu?  – Po ai është populli.   Për heroin janë shkruar vepra të shumëllojta e shumëgjuhëshe. Dhe, ne duhet ta falënderojmë Zotin që na e fali një gjeni, një përbashkues e shtetformues prej të cilit sot e gjithmonë kemi çka mësojmë.                 

Nga një hulumtim i teksteve të shkollës fillore: Abetare, Leximi, Gjuha shqipe, Edukata muzikore, Edukata figurative, Histori, Edukatë qytetare;  gjithsejt 53 tituj me 6653 faqe, shihet se  127 faqe ose 1,90 %  e tyre përmbajnë të dhëna mbi Skenderbeun, (poezi, prozë, kengë, foto-ilustrime etj). Mesatarja e botimeve të ketyre librave është mbi dhjetë herë (10,09), ndërsa 21 prej tyre janë rishikuar.

Nga klasa I – V, janë hulumtuar 27 tituj me 3231 faqe; 51 faqe, ose 1,57%  e tyre flasin për Skenderbeun. Mesatarja e botimeve të tyre është 10,88 here, ndërsa 18 prej tyre janë rishikuar. Përqindja e përmbajtjeve për Skenderbeun nepër klasë është nga 0,49 deri në 3,27% .  Ndërsa nga klasa VI – IX, janë hulumtuar 26 tituj me 3422 faqe, prej nga shihet se 76 faqe, ose 2,22% e tyre flasin për Skenderbeun, e mesatarisht janë botuar 8,92, afër nëntë herë. Në këto tekste, nga 1,13%  deri në 3,56%  sillet përqindja e përmbajtjeve për Skenderbeun.

Këto të dhëna mbi kryeheroin gjenden në 25 prej 53 titujve të hulumtuar, ndërsa prej 28 titujve të papërmbajtje mbi Skenderbeun, 20 janë ribotuar mbi dhjetë herë e 11 prej tyre edhe janë rishikuar.  Kështu Edukata qytetare me tetë tituj, të botuar prej 7 deri 13 herë, dhe pesë prej tyre të rishikuar, me 862 faqe, nuk përmbajnë asgjë mbi Skenderbeun, asnjë monument kulture të asaj kohe, asnjë fjalë për organizimin e shtetit të Arbërit, Kuvendin e Lezhës, tolerancën fetare, tiparet morale të personalitetit të tij etj. Dhe, këtu do të mund të shtonim se filozofia edukative shqiptare duhet ta shikoj Skenderbeun shumëdimensional, siç është vërtetë, e jo njëanshëm, vetëm si luftëtar.  Edhe Leximi 2, është ribotuar pesëmbëdhjetë herë, është rishikuar, dhe nuk përmban asgjëfare mbi Skenderbeuen. Sigurisht kjo tregon nivelin e politikave botuese të ne, nivelin e politikave tona arsimore, kulturore, shkencore e shtëtërore.

Pavarsisht mundësive të shumta që nxënësit sot i kanë për t’u njohtë me krejtë atë që është e ditur për Skenderbeun, literatura apo interneti, prap them se, figura e burrështetasit tonë, duhet të ketë vend të bollshëm në librin tonë shkollor. Sepse, siç thot një studiues i Barletit: “Pa penën e shkodranit të zellshëm, kujtimi i Skenderbeut, do të ishte shlyer nga mendja e njerëzve brenda një kohe të shkurtër, ose figura e tij nuk do të ishte aq popullore dhe e paharruar për shekujt e se ardhmës.  Dhe, përfundojmë: me ketë prezencë hapësinore të Skenderbeut në librin tonë shkollor, kam frikë se figura e tij do të zbehet në kujtesën e nxënësve tanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat