Krijimtaria- Rrugë e Gjatë Dhe e Vështirë

Kultura

Krijimtaria- Rrugë e Gjatë Dhe e Vështirë

Nga: Manushaqe Halili - Tiranë Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 15:05
Manushaqe Halili - Tiranë

Libër që më ngjalli emocione dhe kënaqësi njëkohësisht. Prandaj, këto mbresa vendosa t’i hedhë në letër e t’i ndajë me autoren e këtij libri shumë të veçantë, por edhe me lexuesit e tij në Kosovën time, që e dua shumë.

 E dashur Ajete!

Librin tënd të tretë, e lexova deri në faqen e fundit dhe sinqerisht, të them, se u kënaqa. Dhe jo vetëm se isha edhe unë aty brenda, dhe për këtë, të falënderoj që më kishe vënë të jem pranë këtyre intelektualëve të shquar, për të cilën ndjehem e nderuar. Por ti, kishe ditur të zgjidhje personalitete për biseda, duke ndjerë kënaqësi intelektuale, sepse ke dhënë mundësinë, të njihesh me krijimtarinë dhe aktivitetin e tyre të gjerë, gjë që të shtynë e të nxitë të njohësh dhe lexosh veprat e tyre.

 Por, janë shumë, shumë fare! Z. Ramadan Mehmeti, me 40 librat e tij, duke drejtuar edhe shtëpi botuese, të befason; e i cili herë pas here ndihmohet dhe nga institucionet e kulturës.

 Dhe duke lexuar dhe u njohur me krijimtarinë e tyre, unë u mundova të mbaja ndonjë shënim rreth veprave të tyre, që brenda mundësive të mija kohore, të mund t’i lexoj. Por, kam frikë se s’do ta kënaq vetveten: unë s’kam më kohë, sepse në këtë pak kohë që më ka mbetur (në qoftë se më ka mbetur, sepse jam në moshë të shtyrë?!!), përpiqem të përfundoj botimin e veprave të Hoxha Tahsinit, dhe më beso që ndjeva keqardhje që s’do ta kisha këtë mundësi. Megjithatë, po të shkruaj  pakë  fjalë për mbresat që fitova nga bisedat tuaja në këtë libër.

Agim Mato, që ashtu si dhe unë, të dy kemi lindur në qytetin e bukur të Sarandës (ishte qytet i bukur!!!) dhe të qarën tonë të parë na e kanë dëgjuar valët e detit, me të cilat edhe jemi rritur; por Agimit i dhanë dhe e ushqyen me talentin e tij si poet, që edhe pse me vështirësi të mëdha për kohën, mundi që në moshë të re, të botoi librin e tij me poezi, e tani si shkrimtar dhe i vlerësuar me  çmime si dhe  mbajtës i titullit “Mjeshtër i Madh”,  por edhe botues i shumë titujve duke përmendur “Antologjinë me poet italianë dhe shqiptarë”, ecën sukseshshën në rrugën e tij, jo aq të lehtë.

 Të përfytyroj, e dashur Ajete, të ulur e duke biseduar pranë këtyre njerëzve që jetojnë dhe punojnë çdo ditë duke krijuar, siç ke bërë me Z. Sabit Rustemi, shkrimtarin, botuesin dhe drejtorin e revistës Agmia, aq sa të vë në mendime kur shprehet se gjithçka e bën me forcat e veta, sepse nga institucionet përkatëse shumë i ka munguar ndihma e nevojshme, ose dhe Z. Shefqet Dibrani, që edhe pse i shkolluar në tjetër profesion, është i dashuruar pas letërsisë, i lindur për kritikë letrare që nuk është e lehtë, sepse kërkon lexim, kulturë, njohës të vlerave artistike etj. Dhe pse është mërgimtar, në jetën e tij gjen kohë për të shkruar monografi, duke e u lumturuar me atë çka shkruan, sepse letërsia, ndofta, është nga kënaqësitë e tija më të shtrenjta.

Ti, e dashur Ajete, dite, gjithshtu, që librin t’a kompozoje me larmi tematike, gjë e cila i rritë vlerën librit e të shtynë ta lexosh me endje. Kështu me arsimtarin, Z. Mehmet Rukiqi, që qysh në rininë e tij, i është kushtuar mbledhjes së folklorit në fshat, pra ishte pasioni dhe dashuria e tij duke marrë dhe rrugën për në trevat shqiptare (Shkup, Tetovë, Bujanoc, Preshevë, Ulqin etj.), e që ka mbledhur dhe botuar mbi 1000 këngë dasme, boton edhe monografi dhe gjen kohë të merret me pajtimin e gjaqeve.

 Të frymëzon puna e Znj. Sabile Keçmezi Bashës, që di të koordinojë gjithë ato punë e ngarkesa mbi supet e saja dhe duke e lexuar, më lindi dëshira t’a takoja këtë zonjë, sepse e admirova zotësinë e saj.

  E, duke vazhduar me bisedën e shkrimtarit Lazër Stani, që është “dashnori” i gjuhës së tij shqipe. Por, jo vetëm, edhe admirues dhe hyjnizues i femrës në përgjithësi, e në veçanti, asaj shqiptare.

 E, duke vazhduar me intervistën e shkrimtarit Lazër Stani, pse të mos e them, që më përshkonte mendimi se, edhe intelektual të tjerë do të kishin dashur të ishin krah këtyre intelektualëve në këtë libër.

 Dhe sa mirë bëre, e dashur Ajete, që librin e kompozove jo vetëm me larmi tematike, por ndoqe edhe hapsirën demografike. 

Studiusi, lektori, hulumtusi, autori i disa librave, arbëreshi Zef Chiaramonte, përmes bisedës së tij na sjellë arbëreshët, që i kam ëndërruar t’i vizitoj, të njoh dhe të marrë pjesë në ndonjë ngjarje me doket dhe zakonet e tyre, që janë historia jonë  e pesë shekujve më parë, e që tani disa kanë humbur, por që tek ata, ende ruhen.

 Dhe sa mirë bëre që na çove edhe në Tivar, tek poeti, studiusi, veprimtari në fushën e kulturës dhe asaj shpirtërore, organizatori i punës shkencore dhe i takimeve me mërgimtarët,(Biseda me Atë Pashko Gojçaj). Por nuk ndale vetëm në Tivar, por nëpërmjet bashkëbisedimit na njohe  edhe albanologen amerikane, Znj. Carrie Ann Morgan, që merret me studimin e kulturës tonë dhe gjuhës shqipe, e në veçanti me dialektet e saj. Siç është dhe Zj.Ana Kapitanova, që mbron tezën se shqiptarët janë popull autokton në Ballkan. Ajo, e do Shqipërinë dhe popullin e saj që siç thotë edhe vetë “Për shpirtin e madh, mikpritjen dhe traditën që ende ruhet”

  E, pastaj, me intervistën e Znj. Albana Alia, e cila të entuziazmon dhe të inspiron me vullnetin e saj, me përkthimet  që është një punë e vërtetë krijuese sepse: ulë  dhe ngre vlerat e materialit që përkthyesi merr përsipër të bëj. Por, edhe për hapat e saja sa të shpejta aq edhe të sigurta për të qenë dhe zënë vend aty ku ka arritur.

Dhe vazhdon me zonjat “E ZONJA”, ato të përkushtuarat siç është edhe Znj. Nurie Avdiu, që me pasion punoi pa u ndalur në profesionin e shenjtë të mësuesisë, dhe jo vetëm, por edhe për përhapjen e jetës kulturore, e njëkohësisht, mbron edhe doktoraturën e saj.

 Po, Z. Antonio  Belushi?!! Sa bukur e me kopetencë flet për dashurinë e arbëreshëve tanë dhe sa mërzitet e shqetësohet për ‘degët e lisit’  që i donte t’i kishte plot e përplot ( fq 86). Po, edhe një gjë tjetër: E marrë me mend dhe e kuptoj së tepërmi për punën e lodhshme që ka përballuar Z. Belushi që gjithçka e ka realizuar me forcat e veta si atë krijuese, financiare e fizike, në realizimin e veprës për arbëreshët e Greqisë, dhe më beso, e dashur Ajete, gjatë leximit të kësaj bisede (Z.Belushi) shumë herë ndjehesha e emocionuar. Them kështu, sepse, e kam provuar vetë në hulumtimin dhe realizimin e veprës së Hoxha Tahsinit, që isha e vetme dhe e pa mbështetur, gjatë këtyre viteve të shumta, pothuajse sakrifice dhe përkushtimi.

Por, pastaj, si ‘qershia mbi tortë’, ishte biseda e Prof. Anton Nikë Berishës!! Më dha vërtet shumë kënaqësi për shumë gjëra, e mbi të gjitha për kulturën, dijet, vullnetin, punën e tij të përkushtuar shkencore, për BUJARINË duke u dhënë ndihmën e tij të çmuar krijuesve të tjerë. Dhe duke u njohur me këtë personalitet, nëpërmjet bisedës tënde, të dhashë shumë të drejtë, kur më pate folur me admirim  për vlerat dhe ndihmën që Profesori të ka dhënë në hartimin e këtij libri. 

Vetëm të njihesh me krijitarinë e Prof. Berishës, në librin tënd, të ngjallet një krenari, një frymëzim dhe admirim për punën e Profesorit, dhe natyrshëm të lind mendimi: si ia ka arritur këtij suksesi?! Dhe në moment, më lindi dëshira “imagjinare” të asistoja në takimin e profesorit me arbëreshët që i do aq fort, e të dëgjoja leksionet e tija në auditor.

Ti Ajete, ke bërë një punë të bukur. Dhe jo vetëm të bukur, por edhe të ndjerë. Të ndjerë, sepse je takuar me intelektualë të mirëfilltë. Dhe kjo, të ka dhënë, jo vetëm kënaqësi intelektuale, por dhe krenari. Po, po, krenari shqiptare. E them kështu, se nga sa të njoh unë, kam kuptuar se  ti ndjehesh jo vetëm mirë, por edhe krenohesh për krijimtarinë e kujdo shqiptari. Se ti e do Shqipërinë, e do përparimin shqiptar.

 Dhe më bëhet sikur e shoh mobilizimin tënd në përballjen, njohjen, dhe evidentimin kur ke nisur bisedat. Se e di që të është dashur të njiheshe me  krijimtarinë e secilit. Po, më bëhet, përsëri, sikur të shoh, pasi ke vjelë sukseset e bashkëbiseduesve, punën e tyre krijuese të shumë e shumë viteve, dhe ti ndjehesh fatlume dhe e gëzuar tek mban në dorë rrëfimet e tyre.

Por, nuk ishte vetëm kjo meritë e jotja, por ti dite të bëje pyetje të mira e të mënçura për t’i ngacmuar gjatë bisedës me këta intelektualë të shquar.

Fjalët dhe biseda e secilit bashkëbisedues, jam e bindur, se të ka ndjekur për ditë të tëra. Timbrin e zërit të tyre, të bëhej se e dëgjoje çdo ditë, pse jo dhe shumë herë në ditë, derisa i hodhe në letër, e pastaj edhe në libër. Dhe jam e bindur, dhe më duket se ta shoh gëzimin, kur mbajte në dorë kopjen e parë të librit të dalë nga shtypshkronja.

 E ndjej gëzimin tënd. Eshtë i pa treguar ai gëzim që ”harron caqet” dhe merr “revansh” dhe të shpie deri në lumturi. Po, po, deri në atë lumturi që të mbush shpirtin! Jam e bindur, gjithashtu, edhe pse ti e ke librin tënd të tretë, s’do kesh shpëtuar nga këto lloj emocione. Dhe, pastaj, sikur pyes veten: po ata intelektualë që ti i ke intervistuar, me kaq krijimtari të  gjerë, me një listë të madhe me tituj, kush e di sa gëzim dhe kënaqësi kanë përjetuar, pas asaj pune të gjatë, të lodhëshme dhe me plot gojën vetmohuese, për t’u privuar nga detyrat dhe kënaqësitë e jetës. Kështu e ka krijimtaria. Kështu ajo e kërkon. Është rrugë e gjatë dhe e vështirë, por e shoqëruar me plot emocione që ta bën jetën më të bukur!

 E dashur Ajete!

Ti je bërë mikja e tyre, sepse të kanë mbushur shpirtin sukseset e tyre, dhe ti, jo vetëm frymëzohesh, por jam e sigurt se edhe lumturohesh. Se  kështu je gatuar ti: të kënaqesh me sukseset e kujdoqoftë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat