Se gjërat lëndohen, o lumi im...

Kultura

Se gjërat lëndohen, o lumi im...

Nga: Sejdi Berisha Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 15:34
Sejdi Berisha

SE GJËRAT LËNDOHEN, O LUMI IM...

Për atë lisin e rrahur shekujsh

Me njëmijë ëndrra

Aty bëra një sy gjumë

Kur më doli gjumi

Kisha qenë i mbërthyer

Në gjoksin tënd të ngrohtë

Atëherë ia plasa vajit si fëmija

Sërish më zuri gjumi

Kur u zgjova

Pranë lumit kisha qenë

Në te laheshin mjellmat

Si në ëndrrat e lumturisë

Ndërsa pulëbardhat

E kishin zbritur qiellin në tokë

Isha i lodhur nga rrugëtimi

Sërish më zuri gjumi

Kur hapa sytë

Pranë vatrës kisha qenë

Duke u dridhur si thupra në ujë

Unat e oxhakut më shikonin

Por gjyshin nuk e kisha afër

Cigaren për t’ia ndezur

Me ato gacat e serta

Prapë më zuri gjumi

Tash në gjirin e tokës

Nuk di se kujt i thash

Shko tek ai lisi i vjetër

Në zgurrojën e tij

Një copë letër mund ta gjesh

Në te janë të shkruara

Vetëm pesë shkronja

Deshifrojini nëse mundeni

Ose ruajeni atë fletëz

Nëse nuk e gjeni

Atëherë shkoni tek ai vigu

Nëpër të cilin kalohet lumi

Përqafojeni atë dru mali

Atëherë në drurin mbi lumë

Pesë shkrola do t’i shihni

Dhe humbni pak kohë me historinë

Sa dhemb

Sepse gjërat lëndohen  

O lumi im...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat