Kumanova larg përfaqësimit të drejtë

Kumanova

Kumanova larg përfaqësimit të drejtë

Më: 29 maj 2019 Në ora: 21:08
Komuna e Kumanovës

Rënie e dukshme e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtetin lokal në Kumanovë. Nga nëntë ndërmarrje apo institucione lokale që menaxhohen nga Komuna e Kumanovës, vetëm dy kanë udhëheqës shqiptarë, ndërkohë që para udhëheqjes aktuale, kuadrot shqiptare menaxhonin me tri të tilla. Ndërmarrja publike komunale “Tregu i Qytetit” dhe “Parkingjet” janë dy institucionet që udhëhiqen nga kuadro shqiptare, ndërsa para pushtetit aktual në Kumanovë, shqiptarët menaxhonin edhe Shtëpinë e pleqve “Zafir Sajto”. Ndërmarrja “Ujësjellësi”, ajo për “Pastrim dhe Gjelbërim”, Kopshti për fëmijë “Engjëlli Shajçe”, Biblioteka e Qytetit “Tane Georgievski”, “Gazsjellësi Kumanova”, konvikti “Profesor Mijalkoviq”, si dhe Shtëpia e pleqve “Zafir Sajto” menaxhohen nga kuadro të LSDM-së.

Situatë e njëjtë e rënies së përfaqësimit të drejtë vërehet edhe tek Njësitë rajonale të pushtetit qendror në Kumanovë. Spitali i qytetit, Stacioni i Policisë, Posta… tashmë udhëhiqen nga kuadro të LSDM-së, ndërkohë që më parë, ishte bërë “zakon” që njëri nga këto tre institucione, të ketë udhëheqës shqiptarë. Para pushtetit aktual, drejtor i Spitalit të Kumanovës ishte shqiptarë, apo edhe i Postës. Tani, Spitali, Posta dhe Policia udhëhiqen nga kuadro maqedonas të LSDM-së. Edhe Teatrin e Qytetit, përkundër disa negociatave, shqiptarët nuk kanë arritur të marrin nën udhëheqje. Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Këshillin komunal të Kumanovës, Osama Muadini, madje thotë se diskriminim të shqiptarëve ka edhe në vet administratën e Komunës.

“Shembulli më i mirë për këtë është vetë administrata komunale. Në administratën komunale, përfaqësimi i shqiptarëve nuk shkon më lartë se 15 për qind. Edhe më ofenduese është fakti që në hierarkinë e Komunës vetëm një është udhëheqës sektori, ndërsa të tjerët janë punëtorë me status të ulët. E njëjta pasqyrë është edhe në përfaqësimin e shqiptarëve në ndërmarrjet komunale, ku edhe aty ku kemi drejtorë shqiptarë, përfaqësimi nuk arrin më shumë se 15 për qind”, thotë Muadini. Në ndërkohë, ai thotë se edhe Ligji i ri për përdorimin e gjuhës shqipe fare nuk respektohet nga institucionet.

“Ligji i ri, i cili e avancon përdorimin e gjuhës shqipe në gjitha nivelet shtetërore dhe komunale, nuk respektohet nga kryetari dhe administrate komunale. Respektimi do të ndodhë atëherë kur institucionet përkatëse qendrore të fillojnë ti dënojnë krerët e gjitha institucioneve shtetërore për mos respektim të Ligjeve”, thekson Muadini.

Veç kësaj, në hyrje-daljet e qytetit të Kumanovës, mbishkrimet e ndërmarrjes Rrugët Shtetërore dhe ato të Komunës së Kumanovës vazhdojnë të jenë vetëm në maqedonisht, e diku-diku edhe në anglisht, por pa gjuhën shqipe. Për këtë temë, përkundër tentimeve tona disa ditë me radhë, nuk u prononcua këshilltarja shqiptare e LSDM-së në Kumanovë, Hana Xheladini, ashtu sikurse nuk u prononcua edhe këshilltari i BDI-së, Fatmir Idrizi. Diskriminimin e ndjejnë edhe qytetarët e rëndomtë. Idriz Alili, qytetar i Kumanovës, thotë se përfaqësimi i dobët i shqiptarëve në institucionet lokale është si rrjedhojë e politikave të dështuara të përfaqësuesve politik shqiptarë të zgjedhur nga vet qytetarët.

“Siç e dimë, përfaqësimi adekuat i shqiptarëve është e garantuar me Kushtetutë dhe rregullativa ligjore, po assesi nuk ka vullnet nga përfaqësuesit politik që përqindja e etniteteve që është e përcaktuar me regjistrimin e popullatës, të jetë e përfaqësuar përmes të punësuarve në administratën shtetërore. Sa i përket qytetit të Kumanovës, situata është e njëjtë si në qytetet e tjera, pasi nga ajo që kam përcjellë, për diskriminim flasin edhe Raportet vjetore të Avokatit të Popullit. Mendoj se duhet të merren masa urgjente nga përfaqësuesit politik me qëllim që të zbatohet ligji dhe qytetarët jo maqedonas mos të ndjehen të diskriminuar në shtetin amë”, thotë Alili.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat