Çka i tha Rama Bërnabiqit për Kosovën në letrat që ata shkëmbyen

Lajme

Çka i tha Rama Bërnabiqit për Kosovën në letrat që ata shkëmbyen

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 20:49
Edi Rama dhe Ana Bërnabiq

Serbia ka shprehur synimin që të hyjë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me tendencën që t’i prishë marrëdhëniet mes dy vendeve. Nëpërmjet dy letrave dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka shprehur shqetësimin se gjërat në rajon po shkojnë tmerrësisht keq, shkaku i Kosovës. Kësisoj, ajo ka shkuar aq larg sa t’i kërkojë Ramës ta rishikojë pozicionin e tij mbështetës për shtetin që shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008. Në letërkëmbimin, Rama shpreh habinë me kërkesën e Bërnabiqit, teksa i ka kujtuar asaj vuajtjet që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës në shekullin e kaluar, dhe pengesat e tanishme ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Siç e thoni në të dyja letrat, vendi im ka vendosur besimin më të madh në Republikën e Kosovës dhe autoriteteve të saj. Kjo është me të vërtetë lidhja jonë natyrore si një komb, që rrjedh jo vetëm nga lidhja jonë e veçantë me Kosovën, por më e rëndësishmja nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë Kosovës për të forcuar shtetësinë dhe për të ndërtuar një vend demokratik, multietnik dhe shumë-besimesh”, shkruan në letërkëmbimin e Ramës, që mban datën 3 dhjetor 2018.

Më tej, kryeministri shqiptar ia kujton homologes, vuajtjet e Kosovës nga lufta e fundit si pasojë e politikave shfarosëse të Serbisë.

“Në dhjetë vjet pavarësim, kemi parë që Kosova të shërojë plagët e një populli të shekullit të kaluar që ishin shkaktuar brutalisht nga politikat shfarosëse dhe pastrimi etnik, dhe tani po përparon vazhdimisht në drejtim të konsolidimit të sovranitetit, qeverisjes së mirë, si dhe perspektivës euro-atlantike. Njohja e Kosovës nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, si dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës - janë dëshmi për këtë përparim”, i shkruan Rama-Bërnabiqit.

Në letër thuhet se, edhe ata që ende nuk e njohin Kosovën, e pranojnë si një partner rajonal të besueshëm, i etur për të kontribuuar në një Ballkan të sigurt, stabil dhe të begatë. Për më tepër, vlerat evropiane të Kosovës dhe gatishmëria për të shikuar drejt së ardhmes, sipas Ramës, janë të mishëruara në kuadrin kushtetues, “i cili garanton standardet më të larta për të drejtat e qytetarëve, përfshirë komunitetin pakicë”.

“Si e tillë, e dashur homologe, është thjesht e pamundur për mua të kuptoj ankesën tënde ‘... për të rishikuar qëndrimin tonë në çështjen e mbështetjes së Pavarësisë...’”, shkruan Rama.

Rama ia përsërit Bërnabiqit qëndrimin e betonuar të Tiranës zyrtare ndaj Pavarësisë së Kosovës.

“Pozicioni i Shqipërisë është se, Kosova është një vend i pavarur dhe sovran që merr vendimet e veta, të cilat Serbia dhe të tjerët duhet t’i respektojnë, si reflektim i vullnetit sovran të popullit të Kosovës nëpërmjet udhëheqësve të vet, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Në fakt, Kosova është atje për të qëndruar, si një realitet i pakthyeshëm që ka sjellë qëndrueshmëri në cepin tonë të botës”, ka shkruar Rama.

Edhe pse qëndrimet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë diametralisht të kundërta në raport me Kosovën, Rama ia ka thënë kryeministres serbe se kjo nuk duhet të bëhet pengesë për detyrimin e përbashkët drejt forcimit të bashkëpunimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Më pas Rama flet për përpjekjet tij dhe të presidentit Vuçiq, në katër vjetët e fundit, në funksion të ngritjes së marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në nivel tjetër.

“Gjithashtu, e çmoj faktin se si Shqipëria ashtu edhe Serbia kanë qenë në krye të detyrës për përmbushjen e qëllimeve dhe rezultateve të Procesit të Berlinit, dhe në këtë mënyrë përpiqen drejt një rajoni më të mirë të ndërlidhur. Ndërsa jemi pajtuar që nëpërmjet bashkëpunimit të ripërtërirë rajonal, të punojmë me bindjen se, një kornizë e tillë e bashkëpunimit do të jetë gjithëpërfshirëse dhe fitimprurëse për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sigurisht përfshirë edhe Kosovën”, shkruan ne letërkëmbimin e Ramës.

Por ky Proces, i supozuar t’i ndihmojë bashkëpunimit, shkruan më tej Rama, ra në ujë për fajin e Serbisë. Dhe kjo, sipas tij, “u dëshmua qartë nga bllokimet dhe pengesa agresive që Serbia po ia bënë vazhdimisht Kosovës lidhur me pjesëmarrjen e saj në forume ndërkombëtare (përfshirë angazhimin tuaj të fundit kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL), por edhe për tregtinë, infrastrukturën,

telekomunikimet, lidhshmërinë energjetike, dhe jo më pak, pengesat ndaj studentëve”.

Teksa kryeministri shqiptar i jep mbështetje procesit të dialogut, ai ia zbulon maskën dhe qëllimin e Serbisë prapa këtij procesi.

“Shqipëria ka mbështetur që nga fillimi dialogun e BE-së, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nuk mund të ndihmojmë, por të dëshmojmë se nën maskimin e dialogut Serbia ka iniciuar armiqësi dhe pengesa ndaj Kosovës, të cilat janë të dëmshme për frymën e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal dhe nuk janë të denja për një vend kandidat në Bashkimin Evropian”, shkruan Rama.

“Ne besojmë se ndjekja e rrugës së dialogut me sinqeritet dhe realizëm do të ishte alternativa e vetme e mundshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të detyrueshme për të dyja palët, si dhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”. Kësisoj, Rama në fund të letrës ka siguruar homologen serbe se do të vazhdojnë të kontribuojmë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, përmes

marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të dëshmojë lidership aktiv në kuadër të Procesit të Berlinit dhe organizatave ndërkombëtare.

Javët e fundit, Serbia ka ndërmarrë fushatë agresive duke u kërkuar shumë vendeve që rishikojnë pozicionin e tyre mbështetës ndaj Kosovës. Kësisoj, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, pretendon t’ia ketë anuluar Kosovës së paku 10 njohje. Ministria e Punëve të Jashtme ka mohuar të jetë ky numër, megjithëse pranon se ka tërheqje të njohjeve./Koha

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat