Ministri i Inovacionit në Serbi, Nenad Popoviq ka thënë se Rusia është e gatshme të angazhohet në negociatat për statusin e Kosovës nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen direkt këtij procesi.
Pas takimeve me zyrtarë rusë, Popoviq ka thënë se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës si futja e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe miratimi i ligjit për krijimin e Ushtrisë së Kosovës tregojnë se nuk ka garanci se marrëveshjet e arritura në Bruksel do të respektohen.
“Ky veprim i Prishtinës dhe mungesa e reagimit nga BE-ja e ka varrosur marrëveshjen e Brukselit. Tani ne kemi nevojë për një format të ri të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës i cili nën patronazhin e BE-së duhet të kryhet në kuadër të OKB-së me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës”, është shprehur Popoviq.
Ai ka theksuar se Rusia fuqishëm e mbron Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e trajton Kosovën si një pjesë integrale dhe të patjetërsueshme të Serbisë.
“Rusia do vazhdojë të sigurojë një mbështetje kryesore për ruajtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Serbisë në lidhje me Kosovës”, ka përfunduar Popoviq.