Bërnabiq nuk sheh kurrfarë shenje për arritjen e kompromisit me Kosovën

Lajme

Bërnabiq nuk sheh kurrfarë shenje për arritjen e kompromisit me Kosovën

Më: 4 janar 2019 Në ora: 10:19
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se nuk sheh kurrfarë shenje për arritjen e kompromisit me Kosovën, por se i njëjti duhet arritur nëse Serbia e dëshiron Bashkimin Evropian.

Ajo për televizionin serb “Pink” ka thënë se mendon që Kosova e Serbia janë vazhdimisht e më larg arritjes së kompromisit, para së gjithash, për shkak të taksës 100% për mallrat serbe, për shkak të formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe lajmërimit për fshirjen e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë.

“Unë mendoj se ne po largohemi nga kompromisi”, tha Ana Bërnabiq. Ajo shtoi se konflikti i ngrirë me Kosovën nënkupton se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, duke theksuar se çështja e Kosovës duhet zgjidhur ndërsa zgjidhja gjendet në arritjen e kompromisit i cili do të garantonte paqe, stabilitet dhe jetë më të mirë për serbët në Kosovë.

Sipas saj, Serbia është në pozicion të mrekullueshëm pasi që negociator kryesor i saj është shefi i shtetit, presidenti Aleksandar Vuçiq, me të cilin është e vështirë të negociohet, duke shtuar se Qeveria serbe do të ndihmojë sa të ketë mundësi.

Shtoi se serbët në Kosovë duhet të jenë krejtësisht të sigurt.

“Unë personalisht besoj se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje dhe se ne duhet të bëjmë krejt çka të mundemi që të arrijmë deri tek zgjidhja e cila është kompromisi i cili do të garantonte paqe, siguri dhe jetë më të mirë për serbët në Kosovë e Metohi dhe mbijetesë për kishën tonë”, tha ajo.

“Kosova e Metohija është krahinë në Serbi, prandaj le të bisedojmë”, porositi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat