I dyshuari për vrasje poston foto nga burgu, prokurori i rastit i habitur me këtë veprim

Lajme

I dyshuari për vrasje poston foto nga burgu, prokurori i rastit i habitur me këtë veprim

Më: 9 janar 2019 Në ora: 18:10
Liridon Uruqi dhe viktima

Liridon Uruqi nga Gjilani, natën e 28 korrikut të vitit të kaluar dyshohet se vrau me armë zjarri shokun e tij, Fatlind Arifin (22) në Bresalc të Gjilanit.

Uruqi përveç që është i akuzuar për vrasje të rëndë të shokut, ndaj tij rëndojnë edhe akuza për vrasje në tentative të ndodhura në po të njëjtën natë.

Por, pavarësisht se i njëjti qëndron në Burgun e Prizrenit, nën masën e paraburgimit, nuk ka hezituar që të publikojë fotografi në rrjetet sociale. Madje ai ka pozuar në borë pranë një veture luksoze të tipit ‘Audi’.

Lidhur me këtë veprim aspak ligjor, Indeksonline ka kontaktuar prokurorin e rastit, Agron Uka.

Uka është shprehur i habitur nga ky veprim duke thënë se nuk është informuar për diçka të tillë dhe se do të kërkojë informata shtesë nga Drejtori i Burgut në Prizren bashkë me gjykatësin e rastit.

“Ai është në Burgun e Prizrenit, në vuajtje të dënimit dhe se qysh e kush i ka publiku ato fotografi, pra sesi kanë rrjedhë ato, a janë realizuar tash apo më parë e si ka ardhur deri tek publikimi, nuk e di. Është në paraburgim edhe i është vazhduar masa e paraburgimit. Ndërsa me datat 11 dhe 12 shkurt do të del para gjyqësisë, pra ka seancë gjyqësore. Ai është e pamundur që të jetë lëshuar në vikend apo diçka e ngjashme, edhe pse ai është në Burgun e Prizrenit dhe saktësisht nuk kam biseduar ende me askënd pasi tani u informova. Besoj do të marrë shpejtë informacionet e duhura nga gjyqtari i rastit. Ai nuk ka të drejt të lirohet apo diçka e tillë në fazën ku është tani rasti, por që për këtë do të kërkohet përgjigje edhe nga Drejtori i Burgut të Prizrenit”, ka thënë Uka.

Tutje prokurori Uka ka deklaruar se i akuzuari në këtë rast, Liridon Uruqi nuk ka pranuar fajësinë në gjykimin fillestar.

“Përpos kësaj, i akuzuari në këtë rast në gjykimin fillestar nuk e ka pranuar fajësinë. Pra ai e ka ndryshuar krejtësisht deklaratën, ka thënë se ishte në ndikim të narkotikëve dhe se nuk e ka dit çfarë ka ndodhur. Por kur është bërë testi dhe ekspertiza dhe çdo gjë tjetër tek psikiatri është konstatuar se pati substancë narkotike pra tre tima si i thonë apo një ‘joint’ nuk ndikon në aspektin psiko-fizik të tij. Pra, ekspertiza neve na ka dalë e pastër sa i përket hetimit. Kështu që gjykimi vazhdon dhe ky akuzohet për tri vepra. Vrasje të rëndë dhe dy vrasje në tentativë në të njëjtën natë”, ka shtuar Uka.

Në natën kur ka ndodhur rasti të pranishëm ishin 8 persona dhe i njëjti fillimisht kishte tërhequr këmbëzën e revoles në drejtim të të dëmtuarve tanimë dëshmitarë, K.Hazirit, L.Mujit dhe G.Abazit.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat