Media serbe: Asnjë hap i Kosovës drejt BE-së pa heqje të taksës

Lajme

Media serbe: Asnjë hap i Kosovës drejt BE-së pa heqje të taksës

Më: 14 janar 2019 Në ora: 10:45
Dialogu ne Bruksel

Brukseli ka një porosi të qartë për krerët e politikës së Kosovës. Heqja e taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës është kusht për vazhdimin e rrugës së integrimit në BE.

Prishtina nuk do të mund ta bëjë asnjë hap drejt Bashkimit Evropian nëse nuk heq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

E përditshmja serbe “Novosti” nëpërmjet burimeve të saja nga Komisioni Evropian ka bërë të ditur se taksa paraqet bllokadën kryesore.

“Integrimet evropiane janë të lidhura me bashkëpunimin rajonal, raportit të mirë të fqinjësisë dhe pajtimit. Të tri këto parime janë të cenuara me vendimin e taksës nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë një burim i “Novosti”.

Po ashtu, çështja e vizave, që është një tjetër synim i rëndësishëm i Prishtinës, janë në një proces të njëjtë, të lidhur me atë të integrimeve.

“Novosti” sugjeron se BE do t’i marrë parasysh të gjitha elementet që kanë krijuar gjendjen e tanishme.

“Në lidhje me taksën qëndrimi ynë është i qartë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100 për qind është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s për tregti të lirë dhe shkelje e planit për marrëveshje dhe stabilizim në lidhje me integrimin e Kosovës në BE”, u shpreh Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, për “Novosti”, përcjell lajmi.net.

Në lidhje me vazhdimin e dialogut, burime të “Novosti” sugjerojnë se BE pret përgjigje nga komisari Johanes Hahn në mënyrë që të organizohet një takim mes Brukselit, Beogradit dhe Prishtinës ku mund të arrihet një zgjidhje për taksën në kontekstin e dialogut që mund të zbutet nga Federica Mogherini.

“Bashkimi evropian pret që Serbia dhe Kosova shpejtë t’i plotësojnë obligimet e tyre lidhura me dialogun, marrë parasysh lidhjen direkte për normalizimin e raporteve dhe aspiratave ndaj BE-së”, shtoi Kocijançiq.

Përfaqësuesja e lartë së fundmi ka takuar ekipin e ri dialogues nga Prishtina por synim i Brukselit është që sa më shpejtë të zhvillohet një takim i ri në nivel të lartë mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat