Dështon gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve

Lajme

Dështon gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve

Më: 29 janar 2019 Në ora: 14:50
Foto

As pas më shumë se një viti, nuk ka arritur të mbahet seanca ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për dallavere lidhur me vizat italiane.

Shkak i dështimit të seancës të së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë mungesa e të akuzuarve Liridona Beqiri, Hamza Beqiri, Ragip Gashi dhe Kujtim Avdyli.

Gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica ka thënë se të akuzuarit, kanë qenë të ftuar me rregull, mirëpo sipas saj, ftesën nuk e kanë pranuar personalisht.

Në këtë seancë, të pranishëm ka qenë edhe ish-deputeti Ukë Rugova dhe palët e tjera, përfshirë edhe prokurorja Florie Shamolli, , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja ka njoftuar palët se para se të caktohet shqyrtimi i radhës do të bisedojë me prokuroren dhe mbrojtësit për veçim të procedurës ndaj disa të akuzuarve, në mënyrë që të procedohet më shpejt me këtë lëndë.

Ndryshe, seanca ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe të tjerëve, ishte caktuar pas më shumë se një viti.

Rasti i ish-deputetit Ukë Rugova dhe të tjerëve në janar të vitit të kaluar ishte bartur te gjykatësit vendës, pas përfundimit të mandatit të misionit të EULEX-it.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Seanca e fundit ishte mbajtur më 22 nëntor 2017, nga ana e gjykatësve të EULEX-it, ndërsa që nga ajo datë më nuk ishte caktuar asnjë seancë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat