Kreu i Vetëvendosjes te 'Shkencat Sociale': Studentët kanë të drejtë, fitorja vjen nga qëndresa

Lajme

Kreu i Vetëvendosjes te 'Shkencat Sociale': Studentët kanë të drejtë, fitorja vjen nga qëndresa

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 10:35
Albin Kurti

TIRANE-Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, në kushtet kur është bllokuar procesi mësimor, ndërsa pritet vendimi i Asamblesë së Pedagogëve nëse do të ketë grevë. Kurti u ka dhënë të drejtë studentëve për protestën, ndërsa shtoi se kauza e tyre është akoma më e drejtë kur mbështetet nga pedagogët. Ai tha se fitorja vjen nga qëndresa.

"Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet '90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse cdo herë dhe cdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë.

Edhe në Kosovë i kemi ndjekur protestat tuaja, por në prag të pranverës nuk ka si të mos vijë. Në protestat studentore në Shqipëri kemi vërejtur se studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive në sistemin arsimor. Monopolet në ekonomi dhe autoritarizmi në politikë janë njëlloj.

Kundërshtimin e studentëve e shoh edhe kundër kësaj skeme politike. Në trojet shqiptare kemi skema politike të ndërthurura që mirëmbajnë njëri tjetrin dhe protesta e studentëve është kundër privilegjeve që ekzistojnë jo vetëm në arsim, por edhe për nevojën që shoqëria shqiptare të kalojë në një transformim të ri, që është edhe me idenë kombëtare edhe atë Europiane.

Është e rëndësishme që të keni organizimin tuaj, jo ta ndërtoni përfaqësimin që të dialogoni me përfaqësuesit politikë, por të keni vendgrumbullimet e përbashkëta. Me qeverisjen e Vetëvendosjes nesër në Kosovë arsimi publik do të jetë falas. Nuk mund të lejojmë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë perspektivë të errët për shkak se nuk kishin mundësi në fillim të jetës së tyre" deklaroi Albin Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat