“Topless” në plazh, lihet në fuqi dënimi ndaj 3 aktivisteve

Lajme

“Topless” në plazh, lihet në fuqi dënimi ndaj 3 aktivisteve

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 09:34
Ilustrim

Gjykata më e lartë e New Hampshire në Shtetet e Bashkuara ka lënë në fuqi dënimin e 3 femrave, të cilat kishin dalë “topless” në plazh, duke argumentuar se të drejtat e tyre kushtetuese nuk janë shkelur.

Në vendimin me 3 vota pro lënies në fuqi dhe dy kundër, gjykata vendosi se ligji për ekspozimin e pahijshëm në qytetin Laconia të New Hampshire nuk është diskriminues mbi baza gjinore, e aq më pak të shkelë lirinë e shprehjes për gratë.

Duke cituar vendimet nga disa gjykata të tjera, gjykatësja Anna Barbara Hantz Marconi shkroi se gjykatat “përgjithësisht lënë në fuqi ligjet që pengojnë femrat, por jo meshkujt, të ekspozojnë gjoksin kundër sfidave të mbrojtjes së barabartë”.

“Ne kemi zbuluar se urdhëresa nuk shkel të drejtat kushtetuese të të pandehurave për mbrojtje të barabartë ose lirinë e shprehjes sipas Kushtetutës shtetërore dhe asaj Federale, – shkroi më tej Marconi. – Si e tillë, ajo nuk kufizon padrejtësisht të drejtat themelore të të pandehurave. Kështu që ne biem dakord se qyteti në fjalë ka autoritetin për të nxjerrë urdhëresa të tilla”.

Por, në një mendim ndryshe, gjykatësit James P. Bassett dhe Gary E. Hicks dolën në përfundimin se urdhëresa ishte antikushtetuese, sepse i trajton meshkujt dhe femrat në mënyra të ndryshme.

Heidi Lilley, Kia Sinclair dhe Ginger Pierro ishin pjesë e fushatës “Çlironi thithkat”, një fushatë globale në mbrojtje të të drejtave të grave për të dalë “topless”. Ato u arrestuan në vitin 2016, pasi hoqën veshjet e sipërme në një plazh të Laconias dhe refuzuan të visheshin kur plazhistë të rastit u ankuan. Pierro, asokohe ishte duke bërë joga, ndërsa dy femrat e tjera banjo dielli.

Ligji kundër ekspozimeve të pahijshme në Laconia ndalon seksin, ndërsa veçon femrat kur ndalon “shfaqjen e gjoksit femëror pa të paktën një mbulesë të errët të thithkave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat