Ish-Presidenti Sejdiu: Borxhi ynë përmbyllet vetëm kur arrijmë ta ruajmë, zhvillojmë dhe integrojmë Kosovën

Lajme

Ish-Presidenti Sejdiu: Borxhi ynë përmbyllet vetëm kur arrijmë ta ruajmë, zhvillojmë dhe integrojmë Kosovën

Nga: A.SH Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 16:30
Fatmir Sejdiu

Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës, ish-Presidenti Fatmir Sejdiu permes një postimi në Facebook ka kujtuar kohën kur ishte President i vendit duke shkuar se,  kur më është besuar udhëheqja e Ekipit të Unitetit, mbi vete kam ndjerë përgjegjësinë e madhe morale, intelektuale e njerëzore. Gjithashtu në të njëjtën kohë e ndjej veten me fat që isha në krye të vendit, në momentin më të rëndësishëm për vendin tim, për qytetarët e mi.

Postimi i plotë:     

Borxhi ynë përmbyllet vetëm kur arrijmë ta ruajmë, zhvillojmë dhe integrojmë Kosovën e 17 shkurtit 2008

Çdo 17 shkurt ka emocionin e veçantë, ngase na rikthen në Ditën e Diel të 17 shkurtit 2008.
Kurdo dhe kudo na përcjellë emocioni i kësaj date, emocioni i këtij momenti të shumëpritur, i cili u finalizua me Deklaratën e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Për këtë ditë dhe emocion, qytetarët e Kosovës nuk kursyen as jetën. Përpjekjet e të cilëve s’reshtën deri në pjekjen finale të 17 shkurtit 2008.
Kjo datë historike për vendin tonë, paraqet po kështu edhe realizimin e një përpjekje të madhe për respektimin e të drejtave të njeriut, të mohuara padrejtësisht.
Padrejtësitë dhe pabarazitë e ndërtuara mbi fatet e njerëzve të Kosovës dhe mbi fatin e vet Kosovës, po merrnin fundin e tyre, duke quar drejtësinë dhe barazinë në vendin e merituar. 
Kur nga Presidenti Historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, më është besuar udhëheqja e Ekipit të Unitetit, mbi vete kam ndjerë përgjegjësinë e madhe morale, intelektuale e njerëzore. 
Kjo përgjegjësi më ka përcjellë kudo ku kam shkuar, me këdo që jam takuar. Kjo përgjegjësi më ka përcjellë në netët e shumta pagjumë, sikur edhe në ditët kur punoja deri në 20 orë. 
Kjo përgjegjësi më ka përcjellë për të bërë realitet 17 shkurtin e vitit 2008, kur edhe u realizua amaneti dhe projekti i madh i Njeriut të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Padrejtësitë e kohës nuk janë të panjohura për qytetarët e vendit tim.
Koha padrejtësisht mori ideatorin e pavarësisë së vendit, gurin themeltar e të palëkundshëm që peshon në vendin e vet. 
Kjo padrejtësi mori Komandantin Legjendar Adem Jasharin dhe gjithë familjen e tij duke mbetur shembull i paparë i sakrificës më sublime por atdheun.
Duke realizuar këtë projekt nacional realizuam ëndrrat e shumë brezave.
Ëndrra e dikurshme, realiteti i 17 shkurtit vetëm sa fuqizoi vendimin e botës së qytetëruar, dhe solli veç paqe e stabilitet në vend dhe rajon, edhe përkundër pretendimeve e paragjykimeve se do të prodhojë diçka tjetër. 
Këtë vendim dhe veprim e forcuan edhe më shumë miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët në rrjedhë të përkrahjes së vazhdueshme e njohën shtetin e Kosovës. Edhe sot sikur atë ditë jetoj me emocionin kur në zyrën time erdhën njohjet e para për shtetin tonë.
E ndjej veten me fat sikur të gjithë qytetarët e vendit tim që patëm rastin të përjetojmë këtë moment të shumëpritur për të cilin gjenerata para nesh vepruan e punuan pa ndalë.
E ndjej veten me fat që isha në krye të vendit, në momentin më të rëndësishëm për vendin tim, për qytetarët e mi.
E drejta jonë e realizuar më 17 shkurt 2008, u fuqizua me vendimin e madh të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 
Për më shumë se një dekadë, ka pasur zhvillime të mira dhe të rëndësishme të cilat vetëm sa kanë fuqizuar, subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës.
Kosova dhe qytetarët e saj kapërcyen sfidën e madhe të tranzicionit, ndërtuan suksesshëm institucionet kruciale të vendit, si Policinë e Kosovës, AKI-në, FSK-në, sistemin Gjyqësor dhe Prokurorial, po ashtu ndërtuan sistemin arsimor dhe shëndetësor.
Natyrisht, më shumë se kurrë ka nevojë që në këto fusha të investohet dhe punohet edhe më shumë, edhe më mirë. Nëse në dekadën e parë të shtetit primare ishte ndërtimit i tyre, në dekadën e dytë duhet të jetë fuqizimi. 
Kosova çdo ditë e më shumë është fuqizuar përmes anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë të rëndësishëm si në Fondin Monetar Ndërkombëtarë, në Bankën Botërore dhe mekanizma tjerë.
Në këtë rrugëtim të Dekadës së Parë, Kosova është anëtarësuar edhe në UEFA dhe FIFA.
Të gjithë jemi dëshmitarë se sportistët tanë, artistët tanë përgjatë këtyre 11 viteve, përfaqësuan denjësisht shtetin e tyre kudo në botë, u bënë ambasadorët më të mirë të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, ka ende shumë për t’u bërë. Qytetarët tanë meritojnë më mirë dhe më shumë.
Meritojnë të lëvizin lirshëm. Vajzat dhe Djemtë e Kosovës meritojnë të jenë pjesë e barabartë e moshatarëve të tyre.
Në Dekadën e Dytë të shtetit të Kosovës, duhet fuqizuar çdo sektor të jetës sonë, duhet kërkuar dhe duhet dhënë më shumë në çdo rrafsh të jetës, në arsim, në shëndetësi, në kulturë, në ekonomi, në politikë.
Po aq sa duhet punuar në rrafshin e brendshëm, po aq shtrohet e shtohet nevoja të punohet edhe në atë ndërkombëtar. Kosova duhet të fuqizohet në rrafshin ndërkombëtarë duke shtuar numrin e njohjeve, dhe jo duke lejuar që të pësojë nga propagandat e këqija të cilat provojnë të kontestojnë këtë datë historike të vendit tonë, dhe provojnë të kontestojnë edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 
Kur po hyjmë në Dekadën e Dytë të Pavarësisë dhe në përmbyllje të Dekadës së Dytë të Lirisë, më shumë se kurrë vendi ynë ka nevojë që të mos e shtrembërojë rrugën.
Ecja jonë e suksesshme në familjen e madhe të vendeve të lira demokratike varet nga ne,
Më shumë se kurrë duhet të jemi të përkushtuar në ruajtjen dhe zhvillimin e raporteve miqësore, posaçërisht me vendet të cilat na ndihmuan që ta jetësojmë ditën e 17 shkurtit.
Borxhi ynë përmbyllet vetëm kur arrijmë ta ruajmë, zhvillojmë dhe integrojmë Kosovën e 17 shkurtit 2008!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat