I arratisuri nga Kosova, Radojçiq në takim me Vuçiqin

Lajme

I arratisuri nga Kosova, Radojçiq në takim me Vuçiqin

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 16:16
Milan Radojiçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takua me përfaqësuesit e Listës Serbe. I pranishëm ka qenë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, për të cilin është lëshuar urdhërarrest në Kosovë. Aty kanë folur kundër përfshirjes së serbëve në FSK

Vuçiq ka thënë se shqiptarët dëshirojnë të përfshijnë numër sa më të madh të serbëve nga Kosova në Ushtrinë e Kosovës dhe iu ka bërë thirrje atyre që të mos kyçen.

“Ata kanë shpallur konkurse për Ushtrinë e Kosovës gjegjësisht ushtrinë shqiptare e sidomos për këtë po insistojnë në Anamoravë nëpër fshatrat serbe, prej Kuscit të Epërm deri në Novobërdë, prej Pajsanit, Parteshit, Budrigës së Poshtme dhe fshatra tjera. Duan të mbledhin sa më tepër serbë për Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiq për “TV Përva”.

Vuçiq ka thënë se “përfaqësuesit e serbëve të Kosovës” janë ankuar se nuk ka mallra serbe nëpër shitore të Shtërpces, në Graçanicë dhe pjesët tjera të Kosovës për shkak të vendosjes së taksave prej 100 për qind për import të këtyre mallrave.

“Do të përpiqemi ta zgjidhim edhe këtë dhe që bota të bëjë presion të vërtetë ndaj fëmijës së saj të përkëdhelur, ndërsa ne do të gjejmë rrugë dhe mënyra  ta furnizojmë popullin tonë”, ka thënë Vuçiq.

Në takim kanë marrë pjesë i ashtuquajturi drejtor i zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, nënkryetari Igor Simiq, por edhe Milan Radoiçiq, i cili është gjithashtu nënkryetar i Listës Serbe për të cilin Gjykata në Prishtinë ka shpallur urdhër arrest për shkak të dyshimit për lidhjen e tij me vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare LDD Oliver Ivanoviq. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe ish ministri i Qeverisë së Kosovës Nenad Rikallo dhe ministri Dalibor Jevtiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat