Haziri: LDK i dha Republikës formë, besim dhe shpresë

Lajme

Haziri: LDK i dha Republikës formë, besim dhe shpresë

Më: 15 mars 2019 Në ora: 20:12
Foto

Me një manifestim madhështor, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka shënuar 29–vjetorin e themelimit.

Kryetari i Degës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se këtë meritë të sukseseve të partisë ia atribuon themeluesve të saj, transmeton Klan Kosova.

“Krejt këtë suksese dhe meritë deri sot ia atribuojë themeluesve të parë. Ne në Gjilan nuk e kemi lëshuar asnjëherë rreshtin e madh të rezistencës, veprimit politik dhe të angazhimit me besim të thellë se kjo ideologji e mbron familjen e Republikën dhe me besim në Zot ne kemi arritur këtu ku jemi sot. LDK në Gjilan sot është krenare që shënon 29 vjet të ecjes së saj. LDK është partia më e vjetër, më e organizuar, më e strukturuar dhe partia e vetme që këtij vendi i dha  formë, besim e shpresë se Republika jonë mundet dhe duhet të zhvillohet për t’u bërë e barabartë me të gjithë të tjerat”, ka thënë Haziri.

Ai në fjalimin e tij ka folur në superlativ për ish Presidentin e Kosovës dhe ish kryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri.

“I falemi njeriut, i cili këtë Republikë e themeloi si kompromis të dhimshëm dhe të vetëm në Ballkan për t’i pushuar gjakrat e luftës. I falemi njeriut që në kohën e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, në vend të armëve thirri për paqe. I falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha, por për të realizuar ëndrrën e vetë. I falemi dr. Ibrahim Rugovës”.

Haziri me këtë rast ka adresuar kritika të mëdha për qeverinë aktuale, duke thënë se në emër të vendimeve të mëdha, Kosovës po i sjellin vendime të këqija.

“Kjo familje politike e Ibrahim Rugovës, këtij vendi, përveç që ia dha identitetin e një Republike dhe një populli që tashmë udhëheq dhe vendosë vetë, ia dha edhe demokracinë dhe në këtë demokraci fitojnë edhe rivalët tanë. Këta që po udhëheqin sot, kanë ardhur në emër të vendimeve të mëdha, por po sjellin vendime të këqija. Sot, Kosova po vazhdon të vuaj nga vendimet e këqija. Kosova sot po e përjeton presionin e miqve më të mëdhenjë tanë, e që u dashtën dekada të tëra që Ibrahim Rugova dhe mijëra shqiptarë në Europë e Amerikë ta ndërtojnë këtë miqësi. Ka ardhur koha që këtyre ‘të vendimeve të mëdha’ t’iu tregohet që në këtë vend jetohet për vendime të drejta, të vogla dhe të përditshme”.

Në fund, kryetar Haziri ka kërkuar që të respektohet platforma e akademik Isa Mustafës dhe e kryesisë, pas shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake, në mënyrë që të tjerët të marrin mësim dhe model i zhvillimit të demokracisë.

“Këto duhet të jenë zgjedhje, jo për t’i larguar të tjerët, për për t’iu ofruar atyre, ku njerëzit nuk eliminojnë, por bashkohen për t’u bërë më shumë, zgjedhje ku respektohet veprimtari, por i hapet dera të riut, zgjedhje ku gratë vendosin e burrat implementojnë, zgjedhje ku të rinjtë kërkojnë dhe burrat e gratë e implementojnë. LDK’së i duhet unitet e marrëveshje për ta ruajtur këtë familje të madhe politike e cila është e vetmja shpresë për integrime euro-atlantike. Unë e falënderoj shumë dhe më vjen keq që nuk e kemi në mesin tonë për shkaqe shëndetësore kryetarin tonë, Isa Mustafa. E falënderoj ish kryetarin Fatmir Sejdiu dhe ish kryetarët e Kuvendit, Nexhat Daci e Kolë Berisha. Koha për ndryshime po vjen. 30-vjetorin do ta festojmë me LDK në qeveri dhe shumicë në Kuvend. Urime”, ka theksuar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat