Kosova në zi, humb pilotin e artë dhe sportistin!

Lajme

Kosova në zi, humb pilotin e artë dhe sportistin!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 mars 2019 Në ora: 14:30
Hivzi Dreshaj, kur ka qenë pilot

Ka ndërruar jetë papritur në moshën 59-vjeçare Hivzi Dreshaj, i njohur si Hivzi Peja. I ndjeri ka pasur bagazh të bujshëm si pilot dhe ka qenë edhe skiator i suksesshëm në vitet e 70-ta. Vdekja e papritur e tij ka pikëlluar opinionin shqiptar, për faktin se ka humb një pilot të shquar dhe një sportist të fushës së skijimit. Hivziu njihej si njeri human, gjithnjë i buzëqeshur dhe profesionist në aeronautikë, pilot i përkryer apo një pilot i artë.

Image

Hivzi Peja

Dreshaj ka qenë mjeshtër i fluturimit dhe i njohur edhe me akrobacionet e tija që ka bërë me avion! Shokët dhe miqtë e tij tregojnë se ai edhe si i rinj kur ka qenë e ka dashur me fanatizëm fushën e aviacionit dhe ka qenë shumë i guximshëm. Afrim Nimani është i tronditur kur ka dëgjuar lajmin për vdekjen e Hivziut. “Paska ndërruar jetë piloti i famshëm Hivzi Dreshaj.

Image

Afrim Nimani dhe i ndjeri Hivzi Dreshaj

Disa vite pata nderin të punojmë dhe bashkëpunojmë ne Aviacionin e Kosovës, kujtime nga intervenimet e shumta më pilotin famoz Hivzi Dreshaj, në Sudan, Algjeri, Kroaci, Dubrovnik, Fushat e Kosovës, do të mbesin gjatë në kujtime... Akrobacionet e tij me aeroplan shpesh na lënin pa frymë. Prehu në paqe piloti im i dashur dhe kurrë i paharruar. Lavdi heroit të qiellit shqiptar të cilin aq shumë e deshti!”, shkruan Nimani në profilin e tij në facebook.

Në pyetjen nga gazeta kombëtare “Bota sot”, se si Afrimi u njoh me të ndjerin, ai përgjigjet: “Atëbotë kishim disa pilot profesional dhe disa teknik profesional të aviacionit, edhe pse ishte aviacion për shërbime bujqësore, ambiciet tona ishin të krijonim Aviacionin Civil të Kosovës dhe ne ishim një bërthamë. Por në ndërkohë ndodhën gjërat tjera dhe ai projekt kombëtar mbeti në gjysmë. Shpresoj së ëndrrën tonë, një ditë djemtë dhe vajzat tona do ta bëjnë realitet”. Profesori Jakup Kasapolli, njeriu që dha shumë dhe po jep për sportin e Kosovës, është i trishtuar me vdekjen e Hivziut. “I ri shumë bre, na shkoi në atëbotë! I shprehi ngushëllime familjes së tij. Sot aeronautika e Kosovës paska humbur një person me vlera të mëdha të kësaj lëmije. Hivzi Dreshaj i takon plejadës së njohur të aeronautikës kosovare dhe jo vetëm. Ishte anëtar i reprezentacionit të ish YU në pilotimin akrobatik edhe në gara ndërkombëtare. Bashkë me vëllaun e tij Idrizin ishin ndër mësuesit e parë të pilotëve të rinj të Kosovës të viteve tetëdhjeta.

Image

Jakup Kasapolli

Ëndrra e tij e parealizuar ishte që Kosova një ditë të themeloj eskadrilën e pilotëve të Kosovës në kuadër të ushtrisë së Kosovës, por edhe të aviacionit në shërbim të zhvillimit të vendit dhe pilotët e parë sportiv e më vonë edhe pilotëve motorik. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, shprehet Kasapolli.  Varrimi i të ndjerit bëhet nesër me 16 mars në varrezat e Qytetit në Pejë. Funerali niset nga xhamia e kuqe në orën 13.00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat