Deputeti i partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka reaguar pas sulmit që i është bërë sot deputetit të Kuvendit të Kosovës Sllobodan Petroviq. Ka thënë se një veprim i tillë lidhet drejtpërdrejt me politikën e aparatit shtëtëror të Serbisë, që drejtohet nga Aleksandër Vuçiq.
“Sllobodan Petroviqi njihet si politikan që promovon një politikë të bashkëjetesës me shqiptarët në Republikën e Kosovës. Ai është sulmuar disa ditë pasi që është linçuar publikisht si « tradhtar i popullit serb » nga Vuçiqi dhe nga strukturat propaganduese politike e mediatike të orkestuara e të dirigjuara nga Presidenti i Serbisë”, shkruan Ymeri.
Reagimi i plotë i tij:
Sulmi i sotëm ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sllobodan Petroviq, i cili është edhe kryetar i Partisë Liberale Serbe, është produkt i drejpërdrejtë i politikës së presionit, shantazhit dhe kërcënimeve kundër serbëve të Kosovës, nga ana e aparatit shtetëror të Serbisë, që drejtohet nga Presidenti i atjeshëm, Aleksandër Vuçiqi.
Sllobodan Petroviqi njihet si politikan që promovon një politikë të bashkëjetesës me shqiptarët në Republikën e Kosovës. Ai është sulmuar disa ditë pasi që është linçuar publikisht si «tradhtar i popullit serb» nga Vuçiqi dhe nga strukturat propaganduese politike e mediatike të orkestuara e të dirigjuara nga Presidenti i Serbisë.
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet urgjentisht t’i ngrisin masat e sigurisë për shtetasit e Republikës së Kosovës të përkatësisë etnike serbe, sidomos të personaliteteve publike, të cilët nuk i përshtaten politikës së Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandër Vuçiqit dhe të satelitit të saj në Kosovë: Listës Serbe.
Pas vrasjes së kryetarit të Iniciativës Qytetare – SPD, Oliver Ivanoviq, sulmi fizik ndaj Sllobodan Petroviqit është produkti i radhës i politikës së dhunshme shtetërore të Serbisë ndaj politikanëve serbë të Kosovës, të cilët nuk pajtohen me Presidentin e gjithëpushtetshëm në Beograd.
Sikurse dje Millosheviqi, Aleksandër Vuçiqi po e përdor sot Kosovën dhe shqiptarët edhe për t’i njollosur oponentët e tij politik serb, me qëllim që ta forcojë pushtetin e tij autoritar në Beograd.
Diplomacia ndërkombëtare, e veçanërisht Bashkimin Evropian, duhet ta rrisin presionin ndaj Presidentit Vuçiq, për ta ndaluar urgjentisht dhunën e shtetit të Serbisë ndaj serbëve të Kosovës dhe për ta ndërprerë përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe të linçimit publik të rivalëve të tij politikë.