Serbia formon gjykata kundër Kosovës, e asaj s’ka kush t’ia kërkojë as shqiptarët e zhdukur

Lajme

Serbia formon gjykata kundër Kosovës, e asaj s’ka kush t’ia kërkojë as shqiptarët e zhdukur

Më: 21 mars 2019 Në ora: 10:27
Ilustrim

Familjarët  e personave të pagjetur tash e dy dekada vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe në pritje për më të dashurit e tyre.

Kërkesë e familjarëve të të zhukarëve ka qenë edhe është që çështja e të pagjeturve të mos përdoret për interesa personale, grupore e politike, por të jetë çështje me prioritetet dhe humanitare.

Pas dy dekadave bartësve të institucioneve, tash iu ka rënë ndërmend se çështja e të pagjeturve duhet të diskutohet me palën serbe. Çfarë absurdi! Derisa pala serbe arriti ta gjejë dhe ta aktivizojë senatorin  Dick Marty, për të bërë raport të rremë prej qindra faqesh dhe ta zyrtarizojë si dokument në Këshillin e Evropës dhe mbi bazat e këtij raporti ta formojë një Gjykatë Speciale, e cila do të merret ekskluzivisht me krimet e pretenduara nga ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Edhe pas formimit të Gjykatës Speciale, shteti serb nuk u ndal me kaq. Tash Beogradi vazhdon ta akuzojë shtetin e Kosovës, tani duke kërkuar formimin e një gjykate tjetër speciale,  siç thonë ata “ dhunimin e femrave serbe gjatë luftës në Kosovës”. Çfarë ironie. Shteti, militarët e  paramilitarët e të cilit, gjatë luftës në Kosovë dhunuan 20 mijë gra dhe vajza shqiptare, tash kërkon gjykatë për të dënuar shqiptarët për këto krime që kryen serbët.

Dhe karshi krejt kësaj propagande të shtetit serb, reagimet e institucioneve te Kosovës ishin shumë të zbehta, thuajse janë pajtuar me akuzat më çnjerëzore të palës serbe.

Derisa prijësit e institucioneve të Kosovës formojnë grupe të fshehta  për pajtim me palën  serbe, Serbia po e shton aktivitetin e vet propagandues dhe nga agresori, po tjetërsohet në viktimë tek ndërkombëtarët. 

E gjithë kjo propagandë serbe gjen teren si pasojë e heshtjes dhe si rezultat i mos punës të institucioneve të Kosovës. 

As pas 20 viteve të përfundimit  të luftës, shteti i Kosovës nuk ka ngritë asnjë aktakuzë kundër krimeve serbe në Kosove.

Nuk ka të evidentuara demet e luftës e as për  numrin e të vrarëve. Shfrytëzohet një numër prej 13 mijë  të vrarëve, që burimin e kanë nga një shoqatë e Beogradit.

Kosova ka shpenzuar me milion euro në emër të lobimit, por nuk ka shpenzuar as një cent për të ngritur aktakuzë ndaj Serbisë për të gjitha krimet e bëra.

Ekzistojnë institucione ndërkombëtare të specializuara që merren dëmet e luftës, por askush nuk merret me këtë punë.

Pra, po të ekzistonte vullneti dhe angazhimi i duhur udhëheqësit Republikës së Kosovës do ta gjenin  një person të specializuar për ta prezantuar të vërteten për vrasjet, dhunimet, dëbimet dhe djegien e Kosovës. E argumentimi i krimeve serbe do të ishte arma me fortë, për të demaskuar pretendimet e raportit të Dick Marty-t dhe për të rrënuar akuzat serbe kundër shtetit te Kosovës.

Podujevë,

Më 21/03/2019

Shoqata për Persona të zhdukur dhe krime të Luftës    

“Përkorë”-Podujevë

Latif Mehmeti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat