A janë të sigurt avionët Boeing Max 8?

Lajme

A janë të sigurt avionët Boeing Max 8?

Më: 24 mars 2019 Në ora: 20:12
A janë të sigurt avionët Boeing Max 8?

Dy aksidente ajrore, pesë muaj larg njëri tjetrit, gati 350 viktima. Të dyja ishin me të njëjtin model avioni - Boeing Max 8. Hetuesit tani janë duke kërkuar për shenja se çfarë mund të ketë ndodhur me avionët. Këtë javë në programin Plugged In, gazetarja Greta Van Susteren bisedoi me ish-pilotë, hetues dhe analistë të aviacionit për të marrë mendimet e tyre.

Ndërsa familjet vazhdojnë të vajtojnë për viktimat e avionit në Etiopi, bashkësia ndërkombëtare po kërkon përgjigje.

Hetuesit e sigurisë dhe transportit në Francë po shqyrtojnë të dhënat e fluturimit nga avioni i rrëzuar për të kuptuar nëse aksidenti ndodhi nga gabimi i pilotit apo nëse avioni ishte difektoz.

"Kjo është pjesë e hetimit që duhet të shqyrtohet, sepse nëse kemi një sistem me probleme pilotët përpiqen të rimarrin kontrollin pa patur trajnimin e duhur për të marrë plotësisht kontrollin siç duhet", thotë Gregory Feith, hetues për sigurinë e avionëve.

Gjithashtu nën vëzhgim, vetë avionët. Disa pilotë kanë raportuar probleme me sistemin e automatizimit të Boeing 737 Max 8, të cilin ata thonë se ka një ndryshim kontrolli që është shumë dramatik dhe ka të ngjarë të jetë i rrezikshëm në momente kritike.

"Është punë sekondash, por kemi nevojë për kohë reagimi për ta identifikuar. Ky është problem. Dhe sekonda ka shumë rëndësi në këtë program kompjuterik të veçantë të avionit që duhet të korrigjohet", thotë Dennis Tajer me Shoqatën Allied Pilots.

Pasi një avion Boeing 737 Max u rrëzua në Indonezi në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të gjithë personat në bord, Boeing zbuloi informacione të rëndësishme rreth sistemit të ri të kontrollit të njohur si MCAS, në avionat e rinj, thotë piloti Dennis Tajer.

"Ne nuk ishim të trajnuar, nuk e njihnim këtë sistem, dhe nuk ishim të vetmit. Kompania jonë, American Airlines, dhe me sa kuptoj, të gjitha kompanitë anembanë botës, në manualet e tyre të fluturimit që ofrohen nga Boeing, nuk i kishin këto informacione. Kështu që ne i shtruam disa pyetje serioze: çfarë tjetër nuk na është bërë e ditur për këta avionë? "

Shumë vende kanë ndaluar të gjithë avionët Boeing 737 Max, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Etiopinë. Autoritetet e aviacionit, kanë përmendur shqetësime rreth ngjashmërive midis dy aksidenteve fatale.

Me Boeing që tani po përpiqet të rivendosë reputacionin e tij, analistët thonë se ndikimi do të jetë i kushtueshëm.

"Ka shumë të panjohura, por mendoj se në rastin më të mire kostua për Boeingun do të jetë në qindra miliona apo miliarda dollarë. Por në fund të fundit, kjo është një kompani që fitoi rreth 10 miliardë dollarë vitin e kaluar. Do të jetë e dhimbshme, por nuk është një kërcënim real për konkurrencën e tyre në të ardhmen", thotë eksperti Richard Aboulafia.

Edhe përballë tragjedive të tilla, statistikat dhe ekspertët thonë se udhëtimi ajror është ende forma më e sigurt e transportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat