Bujanoc: Mirënjohje për komisarin e lartë për pakica nacionale pranë OSBE-së

Lajme

Bujanoc: Mirënjohje për komisarin e lartë për pakica nacionale pranë OSBE-së

Nga: Sevdail Hyseni Më: 4 prill 2019 Në ora: 06:15
Lamberto Zannier në Bujanoc

Të mërkurën e tre marsit, në Bujanoc, qëndroi komesari i lartë për pakica nacionale pranë OSBE-së, Lamberto Zannier dhe përfaqësuesit e tjerë të kabinetit të tij.

Gjatë takimit të përbashkët midis kryetarit të Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi dhe delegacionit nga radhët e OSBE-së, u diskutua lidhur me pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe ngecjen në avancimin e të drejtave të shqiptarëve të garantuara me ligj dhe konventa ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij takimi, Ambasadori Zannier u njoftua edhe për ngecjen e zgjidhjes së problemit të teksteve, nevojën për hapjen e drejtimeve të reja në Paralelen e Fakultetit në Bujanoc dhe domosdoshmërinë e angazhimit të përbashkët për krijimin e mundësive të reja për studentët e diplomuar.

Image

Integrimi në institucione do të ishte mundësi e mirë për angazhimin e kuadrove të diplomuar dhe do të kontribonte në rritjen e perspektivës për të rinjtë. Status quo-a në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë.

Gjithashtu, me rastin e këtij takimi të nivelit të lartë, kryetari Shaip Kamberi, në emër të qytetarëve të Bujanocit, ndau Mirënjohje të veçantë për angazhimin dhe përkrahjen që Bashkimi Evropian po i jep kësaj komune.

Pas ceremonisë së ndarjes së Mirënjohjes kryetari Kamberi, falënderoi ambasadorin Sem Fabrizi për punën, përkushtimin dhe kontributin që Bashkimi Evropian e ka dhënë dhe po vazhdon ta jep për Komunën e Bujanocit dhe Luginën e Preshevës në përgjithësi.

Bashkimi evropian ka përkrahur realizimin e shumë projekteve të rëndësishme për përmirësimin dhe avancimin e jetës së përditshme të qytetarëve, tha në vazhdim kryetari Kamberi.

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat