Inskenimet e forcës nga Vuçiqi të pashembullta

Lajme

Inskenimet e forcës nga Vuçiqi të pashembullta

Më: 19 prill 2019 Në ora: 09:19
Beograd

Atij ia japin votën shtresat e varfëra, të pashkolluara. Kundër tij rebelojnë qytetarët e arsimuar. Presidenti serb Vuçiq ka thirrur ditën e premte një miting në Beograd, "më të madhin në 50 vitet e fundit".

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do t'ia tregojë të gjithëve ditën e premte (19.04). Në Beograd këtë ditë "do të dalin në rrugë 15 herë më shumë njerëz se ata të opozitës," tha Vuçiq. Për të bërë krahasimin ai ka marrë si shembull një demostratë të madhe, që u zhvillua në Beograd më 13 prill. Mitingu u tij në Begrad do të jetë më i madhi në 50 vitet e fundit. "130 mijë vetë" thonë "parashikimet" e bëra publike nga ai.

Kush janë idhtarët e tij?

Baza e partisë në pushtet, Partia Serbe e Prosperitetit (SNS) është mobilizuar tashmë në shumë qytete nga turneu që ka muaj që po bëhet nga presidenti kushtuar "Të ardhmes së Serbisë". Kush janë njerëzit që e ndjekin presidentin e shtetit pa e kritikuar dhe i japin votën që të marrë shumicën absolute? "Ata janë të paktën 45-vjeçarë, me nivel të mesëm dhe të ulët arsimor dhe që jetojnë në jugun dhe lindjen e varfër të Serbisë, si dhe në rrethinat e qyteteve," thotë në bisedë me Deutsche Wellen Zoran Gavriloviq, drejtori i zyrës për studimet shoqërore ( (BIRODI).

Atë që Vuçiq ka thënë disa herë para këtyre idhtarëve në provincat serbe, do ta përsërisë në Beograd: Që opozita përbëhet nga manjatë, fashistë dhe njerëz të dhunshëm. Që ai përfaqësorn Serbinë e mirë. Njësoj si gjatë vizitës së Vladimir Putinit më 17 janar ai nuk ia lë asgjë rastësisë. Kolonat me autobuzë do të nisen ditën e premte nga qytezat provinciale në drejtim të Beogradit. Janë po ato mjete transporti që disa kompani refuzuan të shtunën e kaluar të punonin për organizatorët e protestave të opozitës. Madje edhe disa linja normale për në Beograd u anulluan.

Gjatë një konsultimi në Beograd me kryesinë e partisë, takim që u transmetua në gjithë vendin nga televizioni privat "TV Pink" të martën e fundit (16.04), Vuçiq nuk la të dyshohej se e zotëron situatën. Ai paralajmëroi opozitën: Çdo lloj pengese ndaj qytetarëve që duan të vijnë ditën e premte në Beograd, do të ndëshkohet. Vuçiq u shfaq luftarak para funksionarëve të partisë dhe foli si gjithnjë, pa mëshirë. Po ashtu si muajt e kaluar ai akuzoi demostruesit opozitarë se kanë lidhje me politikanët kosovaro- shqiptarë të Prishtinës. Armiqtë e Serbisë duan të rrezikojnë stabilitetin.

Mesazhe të politikës së jashtme?

Image
Protesta në Nish

Për takimin që pritet të mbahet në Berlin, midis politikanëve të Ballkanit perëndimor nën regjinë e Angela Merkelit dhe Emmanuel Macronit ai tha: "Atje nuk na pret gjë e mirë". Ai pret t'i bëhet presion që Serbia të njohë Kosovën. "Ata përkrahen edhe nga elementë vendas, për të arritur sa më afër synimit". Me "ata" ai kishte parasysh Perëndimin, dhe me "elementë" kishte parasysh qytetarët opozitarë dhe protestues. Me këtë "lidhje me Kosovën" presidenti serb i vendos vazhdimisht kundërshtarët politikë njësoj me tradhëtarët e atdheut.

Kjo është një provë e përgjithshme e asaj që do të dëgjohet dhe shihet ditën e premte. Presidenti tregon në mënyrë të sinkronizuar artin e tij luftarak kundër shumë kundërshtarëve: Në fjalimin e tij ai del kundër ish-armiqve të luftës nga Prishtina, kundër politikanëve perëndimorë që kërkojnë njohjen e Kosovës së shkëputur dhe kundër opozitarëve fashistë, që financohen nga manjatët.

27 serbë të Kosovës do të ecin disa qindra kilometra në këmbë për në Beograd. Në këtë mënyrë ata duan të dëshmojnë devocion para presidentit dhe shtetit serb. Vuçiq u ka premtuar atyre vende nderi afër tij, në mitingun e madh.

Parrullat e Vuçiqit priten mirë nga baza. Zgjedhësit e tij informohen kryesisht nga televizioni publik RTS, si dhe nga televizioni privat TV Pink. Devocioni absolut i të lajmeve të këtyre dy mediave kundrejt presidentit të shtetit është i vetëkuptueshëm. "Analistët" e afërt me qeverinë në TV Pink, një stacion bulevardesk me tendencë vullgare, dalin çdo orë në program. Kamerat e stacionit televiziv ndjekin kryetarin e shtetit në çdo hap. "Shikuesit e rregullt të stacioneve besnike të shtetit, sidomos të TV Pink janë ata që i japin votën Vuçiqit. Ekziston një lidhje statistikore midis shikuesve të Pinkut dhe votave për partinë në pushtet," tregon përmbledhtas studiuesi i çështjeve sociale, Gavriloviq për rezultatet e disa studimeve empirike.

Kush është kundër?

Image
Vucic në televizionin Pink

Që nga muaji dhjetor qytetarët e Serbisë kanë dalë në protesta kundër presidentit Vuçiq. Ato e akuzojnë atë për censur të lirisë së shtypyit si dhe sjellje jodemokratike. Të dielën e kaluar mijëra vetë kërkuan dorëheqjen e presidentit, liri të mediave dhe kushte të lira për zgjedhje. Numri i pjesëmarrësve ka qenë i diskutueshëm.

Vuçiq thotë kanë qenë 7.500 vetë. Një politikan i opozitës thotë 100 mijë. Revista gjermane "Der Spiegel" dha vlerësime konservatore të numrit të njerëzve, 10 mijë. Mediat ruse dhe amerikane folën për 50 mijë pjesëmarrës. Sigurisht që para parlamentit dolën më tepër njerëz se sa do të donte qeveria, dhe më pak se sa kishte shpresuar opozita.

Sociologu Slobodan Cvejiq nxorri në një studim se janë shtresat e arsimuara, që i organizojnë me internet rrymat e komunikimit dhe informimit, ato që dalin në rrugë të shqetësuar për demokracinë e Serbisë. "Pjesëmarrësit e protestave janë njerëz urbanë dhe të shkolluar mirë," thotë ai.

Asgjë e re nga Serbia

Image
Grafiti në rrugë në Beograd. AV janë inicialet e Alexander Vucic

Ditën e premte Vuçiq, thotë Zoran Gavriloviq, do komunikojë me zgjedhësit e tij besnik dhe konsumatorë të përhershëm të mesazheve televizive, dhe do të arrijë me transmetimin live efekt edhe më të madh.

Demostrimi i tillë i forcës nuk është gjë e re. Edhe autokrati Milosheviq i përgjigjej në kohën e tij krizave me "mitingje" të tilla, me marrshime masive të idhtarëve në sheshe publike. Edhe në atë kohë ndërmarrjet shtetërore dhe firmat e transportit u detyruan të shërbenin. Homazhi për kryetarin e shtetit ishte një lloj detyrimi pune./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat