U detyrua ta lë vendin në moshën 17 vjeçare, refugjati nga Kosova rrëfen për jetën e tij në Kanada

Lajme

U detyrua ta lë vendin në moshën 17 vjeçare, refugjati nga Kosova rrëfen për jetën e tij në Kanada

Më: 7 maj 2019 Në ora: 07:34
Miftar Shala

Miftar Shala u detyrua ta lë Kosovën në vitin 1999, kur ishte vetëm 17 vjeç. Tash ai është 37 vjeç, i martuar, ka fëmijë dhe jeton në Kanada. 

Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga lufta, Shala e mban mend tmerrin që e kishte përjetuar gjatë ikjes. 

Ai i ka shpalosur kujtimet e tij në një intervistë me Mike Killeen të televizionit ‘CBC Vancouver News’. 

Miftari gjatë intervistës tha se nuk kalon ditë që nuk e mendon për tmerret e luftës.

“Unë ende kam kujtime të freskëta për njerëzit e vdekur që kam parë dhe shtëpitë e shkatërruara, shpërthimet, plumbat që fluturojnë kudo.”, tha Shala. 

Image

Miftari së bashku me familjen e tij, si shumë të tjerë, kaluan malet për të shpëtuar. Ata u vendosën fillimisht në Maqedoni me shumë refugjatë të tjerë. 

Atje u deshtë të bënin një zgjidhje: Të qëndronin aty apo të iknin në një kontinent të ri për të nisur një jetë të re. 

“Kanadaja ishte opsioni ynë i fundit”, tha Shala. 

“Ne kurrë nuk kemi ëndërruar, nuk e kemi menduar se do të përfundonim në Kanada sepse ishte shumë larg për ne”, tha tutje ai. 

Familjes së tij iu afrua një grua nga qeveria kanadeze. Ajo i kishte premtuar se do t’i dërgonte në Kanada me shpejtësi, nën një program të përshpejtuar për kosovarët me familje në vend. 

Gjashtë javë më voni ata ishini nisur për në Ontario dhe pastaj ishin dërguar në Richmond. 

Vështirësia e parë për Shalën ishte mësimi i gjuhës angleze, por ishte bërë më e lehtë për shkak se shikonte shumë televizion. 

Ai u diplomua atje dhe tani drejton një kompani të shpërndarjeve. Prindërit, dy motrat dhe vëllai ende i jetojnë në Richmond. 

“Kanadaja më dha një shans të dytë në jetë, një jetë më të mirë. Unë shkoj në shtrat dhe nuk duhet të shqetësohem se mos vjen ndokush për të vrarë, familja ime është e sigurt këtu dhe mundësitë janë të pafundme.”, tha Miftari. 

Në fund Shala tha se tashmë Kanadaja është një shtëpi për ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat