Kush ia përgatiti vrasjen Naser Murselajt – 32 vjeçari u gjet në oborr me plumb në gjoks

Lajme

Kush ia përgatiti vrasjen Naser Murselajt – 32 vjeçari u gjet në oborr me plumb në gjoks

Më: 9 maj 2019 Në ora: 19:08
Naser Murselaj

Djali që i gjithë rrethi i tij e njihte si punëtor, të pa fjalë, të kulturuar dhe asnjëherë të përfshirë në probleme, mëngjesin e sotëm u gjet me plumb në gjoks i shtrirë në oborr të shtëpisë, pa shenja jete. 

Mister i madh është krijuar për vrasjen e Naser Murselaj, 32 vjeç, nga fshati Qifllak i Komunës së Rahovecit. Kur dëgjon rrëfimin e familjarëve duket se kurthi është e menduar mirë nga personi që ia ka përgatitur vrasjen Naserit. Familja dyshon se krimi është kryer jashtë oborrit të shtëpisë sepse në vendin e ngjarjes (ku 32 vjeçari është gjetur i vdekur), nuk janë parë shenja të gjakut. Familja s’ka dëgjuar as krisma të plumbave.

Djali i axhës së Naserit, Xhaviti, rrëfen për ngjarjen e rëndë.

Në kujtim të Naserit, pranë shtëpisë së familjes Murselaj, ishin mbledhur kushërinj dhe të afërm të tjerë.

“Naseri u gjet në oborr i mbytur, tani e kemi lajmëru rastin në polici. Në orën gjashtë të mëngjesit e kemi pa trupin, as krisma nuk kemi dëgju…as shenja në fytyrë nuk ka pas.”, thotë Xhaviti.

Dyshon se krimi ka mundur të ndodh në ndonjë lokacion tjetër sepse nuk janë dëgjuar krisma e as nuk janë parë shenja gjaku në vendin ku Naseri është gjetur i vdekur.

“Policia e pa se e ka një shenjë në gjoks me plumb. Tani thanë se ka dyshime mos është i ardhur nga ndonjë vend tjetër se në oborr nuk paska shenja dhe gjak”, rrëfen Xhaviti.

Xhaviti që kishte ndenjur me Murselin mbrëmë deri në orën 20:00, shprehet i habitur se si ka mundur të ndodhë vrasja. Pasi për personalitetin e djalit të axhës flet vetëm fjalë të mëdha.

“Probleme s’ka pas me kerkond, u kan djalë i mirë dhe punëtor. Ka punu me mbet gjallë. As s’ka pas borxhe as ngatërresa. Veç ka qeshë, kumedit në çfarë problemi me kanë ai ka qesh. Ai ju ka ikë ngatërresave. Nuk u përla me llafe me ardhë deri te konflikti i madh. Brenda katunit as në rrethinë s’kemi pas telashe”, thotë Xhaviti për Express.

Deri më tani as policia dhe as Prokuroria Themelore e Gjakovës, përveç se kanë konfirmuar se bëhet fjalë për vrasje nuk kanë ndonjë dyshim se për çfarë motivi e vranë 32 vjeçarin dhe kush e bëri këtë krim.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj, tha për se organet e hetuesisë po punojnë për zbardhjen e vrasjes së Naser Murseljat duke shtuar se “është rast mjaftë i rëndë”.

Trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në Mjekësinë Ligjore, ka konfirmuar prokuroria.

Autopsia pritet të përfundojë deri nesër më pas trupi i pa jetë do t’i dorëzohet familjes për ceremoninë mortore.

Edhe familjarë më të largët të Naserit thanë se nuk kanë asnjë dyshim se kush mund t’ia ketë përgatitur vrasjen atij. Po ashtu vazhdimisht potenconin se nuk dinin gjë për motivin, mohonin kategorikisht se ai kishte mundur të ketë probleme me dikë.

“Skem asnjë dyshim te askush, me pas dyshim nuk rrim kështu. Edhe nëse e ke ofendu ka kesh, ka punu ka ly shtëpia”, tha një kushëri i Naserit.

14 persona u vranë për katër muaj në Kosovë

Për katër muaj në Kosovë janë vrarë 14 persona. Motivet e këtyre vrasjeve lirisht mund të cilësohen banale. Mosmarrëveshje në familje, probleme me trashëgiminë e pronës, gjakmarrje, vjedhje, etj, janë disa nga motivet që i futën nën dhe njëmbëdhjetë burra dhe tri gra brenda kësaj periudhe të shkurtër kohore.

Vrasjet kanë ndodhur në këto komuna:

Gjilan (1 grua), Ferizaj (1 burrë), Prishtinë (1 burrë dhe 2 gra), Gjakovë (1 burrë) Suharekë (2 burra), Lipjan (1 burrë), Skenderaj (1 burrë), Prizren (1 bebe, gjinia mashkullore), Rugovë (1 burrë), Viti (1 burrë) dhe Rahovec (1 burrë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat