Arsyet pse arinjtë po zbresin nga mali – gjuetari shpjegon si mund të kapet ariu

Lajme

Arsyet pse arinjtë po zbresin nga mali – gjuetari shpjegon si mund të kapet ariu

Më: 12 maj 2019 Në ora: 17:49
Ariu

Kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve “Gollaku” Milaim Vitia ka treguar arsyen pse arinjtë zbresin në qytete apo në afërsi të qytetit. Ai ka thënë se vrasja e ariut është turp dhe se ata janë të mbrojtur me ligj dhe assesi nuk duhet mbytur.

Vitia ka folur për rastin e ariut “problematik” të Prizrenit duke thënë se ai nuk ka shkuar t’i sulmojë banorët por vetëm të kërkojë ushqim.

“Arinjtë zbresin në qytet apo në afërsi të qytetit për shkak që nuk kanë me çfarë të ushqehen. Shoqatat që merren me mbikëqyrjen e terrenit malor, duhet të vendosin ushqim në mënyrë që arinjtë apo kafshët e tjera të egra, të ushqehen”, ka thënë Vitia.

Kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve “Gollaku” , Vitia ka thënë se edhe shkatërrimi i florës dhe faunës është njëra nga arsyet pse arinjtë nuk rrinë në vendet e tyre malore.

Vitia po ashtu ka shpjeguar edhe mënyrë tjera se si mund të kapet një ari. “Nëse duan ta kapin, janë disa kurthe profesionale në të cilat vendoset ushqimi i duhur dhe ariu shkon aty”, ka shpjeguar Vitia për Insajderin.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të organizojë aktivitete që të vendosin ushqim shtazësh nëpër vende malore e më pas, kafshët e tilla si ariu apo të tjera, nuk kanë pse të zbresin poshtë tek njerëzit.

Po ashtu gjahtari Vitia ka folur edhe për numrin e arinjve që janë në Kosovë. Ai ka thënë se numri i tyre është jashtëzakonisht i vogël.

“Unë mendoj se në tërë Kosovën, janë rreth 3-4 arinjë, asnjë më shumë. Këta lëvizin nëpër malet e Suharekës, Deçanit e Prizrenit”, ka thënë Vitia.

Inspektorati i Agjencionit të Pyejeve gjatë ditës së djeshme ka marr vendim që ariu i cili ishte shfaqur afër vendeve banuese në Prizren të mbytej.

Mirëpo një vendim të tillë janë duke e kundërshtuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Prizrenit dhe shoqatat për mbrojtjen e kafshëve.

Leutrim Saiti zyrtar për media në Ministrinë e Mjedisit ka thënë se “Ariu është i mbrojtur me ligj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të vritet”, kishte shkruar Sahiti në Facebook.

Mendim të njëjtë kishte edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ai kishte potencuar se komuna e tij është kundër mbytjes së ariut dhe se kishte ofruar edhe opsion për trajtimin e çështjes.

“ Ne si komunë jemi kundër vrasjes së këtij ariu. Vendimi për vrasjen nuk është i yni. Ne kemi thënë se ai mund të futet ne gjumë me anë të disa pushkëve, por është thënë se ato mungojnë dhe ai duhet të vritet”, kishte thënë Haskuka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat