Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri do të fillojnë shpejt të zbatohen

Lajme

Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri do të fillojnë shpejt të zbatohen

Më: 20 maj 2019 Në ora: 17:07
Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri do të fillojnë shpejt të zbatohen

Deri në fund të muajit qershor pritet të përmbyllen të katër marrëveshjet e arritura vitin e kaluar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Kështu është thënë pas përfundimit të takimit të dytë koordinues në mes të dy qeverive që sot është mbajtur në Tiranë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh koordinatori kombëtar Fatmir Limaj, pas përfundimit të takimit tha se tha se ishte një takim shumë konkret dhe përmbajtjesor dhe se nga ky takim ka dalë  me shumë optimist nga ajo çka i pret të dyja venet në të ardhmen.

Ai tha se nuk do të kufizohen vetëm me realizimin e këtyre marrëveshjeve, por do të shkojmë tutje gjithmonë në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit.

Limaj: Jemi dakorduar që katër marrëveshjet e Pejës të fillojnë së zbatuari

“Ka qenë një takim i gjatë, shumë konkret, shumë përmbajtjesorë, dhe mund të them me kënaqësi që në qershor presim përmbylljen e gjithë asaj që kemi thënë në gjashtë mujorin e marrëveshjeve, siç është marrëveshja e patentë shoferëve. Që nga sot qytetarët e Tiranës dhe Prishtinës mund të shkojnë dhe të aplikojnë për patentë shoferë, kjo është përfunduar. Roamingu sic është paralajmëruar me 15 qershor ka filluar faza deri më 2021 do të përmbyllet krejt, 90 përqind qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të kenë tarifa më të lira. Qarkullimi i qytetarëve përmes Kosovës dhe Shqipërisë duke respektuar marrëveshjen ndërkombëtare, vështirësitë teknike të cilat janë e kemi marrë vendimin për t’i zgjidhur këto ditët e ardhshme, nuk kemi probleme të tjera. Marrëveshja e katërt ka qenë pika doganore në Durrës, po ashtu gjatë implementimit të kësaj marrëveshje kanë pasur probleme teknike me të cilat sot na kanë raportuar drejtuesit dhe tani më besoj që nuk do të kemi probleme të tilla. Me kënaqësi ju them që për herë të parë kemi realizimin konkret të atyre marrëveshjeve që i kemi arritur në Pejë”, u shpreh Limaj.

Zëvendëskryeministri Limaj ka folur edhe për projektet e ardhshme që do t’i ketë Kosova me Shqipërinë.

Limaj: Kemi edhe projektin TAP

“U kuptuam që të krijojmë një ekip të punës për projektin TAP, Kosova është e interesuar qysh tani të merr informacione dhe të përgatitet për klasifikimin e territorit tonë. Ne nuk duam të presim deri në minutën e fundit, ne do t’i kryejmë detyrat tona për të krijuar projektin e rrjetit të klasifikimit të territorit të Republikës së Kosovës dhe duam që ai klasifikim të shkojë dhe ta merr drejtë nga territori i Shqipërisë. Këto janë ide që po i projektojmë që janë të rëndësishme për zhvillimet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Limaj.

I pyetur se përveç aspekteve teknike dhe kontraktuale sa i përket kufirit, doganave dhe roamingut se a ka ndonjë interferencë nga ndonjë institucion ndërkombëtar, Limaj tha si dy shtete janë duke gjetur pika që janë në koordinim të plotë me BE-në.

Limaj: Kemi gjetur pika që janë në koordinim me Bashkimin Evropian

“jo, absolutisht ne jemi duke respektuar detyrimet tona ndërkombëtare. Së pari duhet ta kuptoni se ne këtu kemi detyrime, obligime si shtete veç e veç, ne nuk lejojmë Shqipërinë me e qit në pozita të vështira, po as Shqipëria Kosovën. Jemi duke gjetur pika të cilat janë në koordinim të plotë me BE-në. Çdo gjë jemi në funksion të vizionit tonë strategjik drejt integrimeve evropiane, do të thotë duke respektuar obligimet tona shtetërore, ndërshtetërore si dy subjete të pavarura dhe duke respektuar kontratat tona ndërkombëtare që kemi”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, tha se nga ky takim kanë identifikuar një pjesë të marrëveshjeve të cilat tashmë janë përmbushur, janë realizuar, derisa kanë diskutuar edhe problematikat.

Ai tha se kanë gjithë vullnetin qoftë politik, qoftë ekzekutiv për t’i përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura në Pejë dhe për të shkuar edhe më tutje.

Braçe: Javët në vijim do të përballemi me këto që kemi diskutuar

“Do të duhet që ne të përballemi në javët në vijim me secilën nga këto problematika, veçanërisht ato që lidhen drejtpërdrejtë me lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve jo vetëm nga Porti i Durrësit, por edhe nga pikat kufitare e Morinës. Për të ndërtuar deri në fund atë hapësirë ekonomike e cila i jep mundësi të dyjave vendeve tona që t’iu shërbejë akoma më mirë qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Shqipërisë, një aspekt shumë të rëndësishëm për ta, në rritjen e mirëqenies së tyre në vendet respektive ose në këtë hapësirë ekonomike të përbashkët. Natyrisht që kemi trashëguar problematikën e cila lidhet drejtpërdrejt me  mënyrën e trajtimit të subjekteve operatorëve ekonomik në portin e Durrësit, apo në doganën e Morinës. Është historia e vjetër që e kemi diskutuar e stërdiskutuar për të cilën kemi folur vazhdimisht e që lidhet me kontratat koncesionare të skanimit të mjeteve në pi kat tona hyrëse. Do të duhet që të përballemi me forcë pikërisht me problematikën që ka shkaktuar ajo kontratë, me qëllim që të zgjidhen një herë e përgjithmonë pikërisht problemet që kanë rrjedhur prej asaj kontrate”, tha Braçe.

Ai tha se nga pikëpamja e kohës që harxhohet në pikat hyrëse dhe nga pikëpamja e kostos financiare, që sipas tij nuk janë të pakonsiderueshme për operatorët ekonomik që pastaj kthen në kosto për shërbimet që marrin qytetarët.

Braçe u shpreh se do të duhet angazhim edhe politik edhe ekzekutiv nga ana e Qeverisë së Shqipërisë për ta analizuar deri në fund këtë kontratë, me qëllim që t’i japin fund kësaj historia që riciklohet në pikat hyrëse dhe ka kosto për operatorët ekonomik nga Kosova dhe Shqipëria.

I pyetur për çështjen e eksportimit të energjisë elektrike se çka është duke ndodhur, zëvendëskryeministri Brace tha se kjo problematikë që lidhet me komunitetin e energjisë në Vjenë dhe buron nga insistimi i Serbisë rreth kësaj çështje.

Braçe: Jemi duke punuar edhe për eksportimin e energjisë

“Kjo është një problematikë që lidhet drejtpërdrejt me komunitetin e energjisë në Vjenë, ne jemi duke diskutuar me ta këtë problematikë që buron drejtpërdrejt nga insistimi i Serbisë lidhur me këtë çështje. Kështu që, do të na duhet edhe atje që të forcojmë përpjekjen tonë me qëllim ta çlirojmë përfundimisht edhe këtë hapësirë apo këtë korridor për transferimin e energjisë midis vendeve tona, jemi duke punuar për këtë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat