Zgjedhjet lokale në Greqi, rekord kandidatësh shqiptarë

Lajme

Zgjedhjet lokale në Greqi, rekord kandidatësh shqiptarë

Më: 24 maj 2019 Në ora: 09:28

Plot 69.821 janë kandidatët për zgjedhjet europarlamentare dhe për pushtetin lokal, që zhvillohen të djelën në Greqi. Pranë tyre, nga e njëjta pozitë tashmë, renditen në një sfidë të paprecedentë me dhjetra përfaqësues të denjë të komunitetit shqiptar në vend. Vota e emigrantëve shqiptarë-shtetas grekë më 26 maj pritet të luajë rol deciziv për mjaft bashki të vendit, madje dhe atë më kryesoren, Bashkinë e Athinës, ku jetojnë e punojnë përqindja më e lartë e emigrantëve. Në shumicën e listave të gjata të fletëvotimeve përfshihen emra shqiptarësh, ndërsa kërkesat nga partitë e mëdha mbeten të hapura edhe për zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019.

Nëse reagimi do të jetë i duhuri dhe normalisht i pritshmi, me pak fjalë, nëse votojnë të gjithë dhe mbështesin bashkatdhetarët, atëherë e djela do të jetë padyshim një ditë historike. Si dhe komuniteti më i mohuar dhe vazhdimisht i snobuar nga të gjitha palët, zyrtarisht dhe përfundimisht realizon integrimin legjitim në familjen e gjerë europiane me një kapitull të ri, me fitoren më të madhe që të vetëm dhe vetëm ata mund të arrijnë: shanse të barabarta edhe në Greqi! Sa e njohin sadopak historikun e emigracionit në vendin ballkanik fqinj, në fakt një numër jashtëzakonisht i madh shqiptarësh, e kuptojnë më së miri se çfarë do të thotë konkretisht kjo, të sigurosh shanse të barabarta me helenët vendas!

Por edhe nëse të gjitha kandidaturat nuk marrin fitoren e shumëpritur, pjesëmarrja dhe vetëm, votimi nga emigrantët apo fëmijët e emigrantëve (të konsideruar paturpësisht “brezi i dytë i emigrantëve” në Greqi), përdorimi i të drejtës më sublime duke paraqitur kartën e identitetit grek është një akt që nuk duhet anashkaluar nga askush dhe për asnjë arsye, këtë fundjavë.

Mbështesim garën e ERMELA JANA dhe EDA GEMI
Sfida më e madhe e të djelës janë dy kandidaturat për zgjedhjet europarlamentare nga spektri i majtë politik grek: Eda Gemi me partinë “Lëvizjen për Ndryshim” (ish-PASOK) dhe Ermela Jana me partinë “Potami”. Të dy kandidatet janë lindur në Shqipëri, kanë studiuar në Greqi dhe në vende të tjera europiane, ndërsa sot kanë karrierë akademike tepër të suksesshme. Si Eda Gemi ashtu dhe Ermela Jana janë specializuar në sferën e emigracionit dhe të drejtave të njeriut, me eksperiencë të vyer dhe kontribut të jashtëzakonshëm në evidentimin dhe zgjedhjen e çështjeve madhore për integrimin e komuniteteve emigrante në shoqërinë europiane, si dhe mbizotërimin identitetit europian në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor.
Pushteti lokal: Ja emrat që votojmë të djelën!

Në çdo kënd të Greqisë, numri i plotë i kandidaturave të emigrantëve shqiptarë është sa i madh, aq edhe i vështirë për t’u përcaktuar apo saktësuar, për vetë faktin se emrat nuk dallohen dhe kandidatët janë plotësisht të integruar në shoqërinë vendase ku dhe gëzojnë respekt të plotë.

Në Athinë dhe zonat përreth të Atikës disa prej kandidatëve për këshilltarë të bashkisë apo këshilltarë të guvernatorit rajonal janë: Arjana Bariaba, Kristi Dedja, Sajmir Kostandin Stathi, Sotir Shehu, Skerdilajd Agalliu, Gani Xheka- i cili mori shtetësinë greke në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në tragjedinë e Matit, në verën 2018, Lefter Kuqo, Adiljan Koxhaj, Vivian Horieti, Eliona Gjergo Tanka, Juli Rexhepaj dhe Lisandër Niko Daullja.

Kandidaturat e bëra publike nga Selaniku dhe veriu i Greqisë janë: Luan Zika, Loreta Spaho, Ana-Keti Çela Pendidhu, Anila Rezhda, Spiros Janakis, Kristina Sulillari Aleksandru
Ndërsa në ishullin e Kretës konkuron Maria Kapllani, e lindur dhe rritur në Greqi, në profesion gazetare, e cila madje ka punuar dhe në kanalin e madh televiziv Star Channel.
Gjithashtu, minoritarët grekë të Shqipërisë, jo vetëm që kanë mjaft kandidatura në të gjitha fletëvotimet e të djelës, por për herë të parë një minoritar, Andreas Kurtis, kandidon për guvernator të Atikës, me 80% të emrave në listë ekskluzivisht minoritarë që jetojnë e punojnë në zonë, mes tyre shkrimtarë e shkencëtarë të mirënjohur për komunitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat