Vuçiq: Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur kontrollin mbi Kosovën

Lajme

Vuçiq: Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur kontrollin mbi Kosovën

Më: 28 maj 2019 Në ora: 20:40
Aleksander Vuçiq

Kuvendi i Serbisë ka miratuar raportin për Kosovën të përpiluar nga zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Raporti u miratua me 145 vota pro, katër kundër ndërsa 13 deputetë nuk kanë votuar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë diskutimeve dyditore të raportit në Kuvendin e Serbisë ka thënë se Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur kontrollin mbi Kosovën dhe se duhet të gjejë kompromis me Prishtinën për të normalizuar raportet.

Deputetët kanë diskutuar mbi raportin me 82 faqe, në të cilin paraqiten të dhënat mbi dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe rezultatet më të rëndësishme të zyrës për Kosovën.

Në raport thuhet se dialogu në çdo drejtim ka punuar për interesant e serbëve dhe gjatë periudhës së bisedimeve është arritur të ruhet qetësia në Kosovë dhe jashtë saj.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve kanë filluar në vitin 2011. Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij dialogu.

Pala serbe është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që kur kjo e fundit, në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Vuçiq ka thënë se nuk do t’i rikthehet procesit, për sa kohë që kjo taksë mbetet në fuqi, por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka këmbëngulur se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia të njohë Kosovën./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat