Fryma kombëtare e  kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës

Lajme

Fryma kombëtare e  kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 8 qershor 2019 Në ora: 08:26
Kalendari i veprimtarive të Akademise Stoa Bujanoc 2019

Java e parë e qershorit, ka ngritur në këmbë Akademinë “Stoa”, nga Bujanoci, me talentete e reja dhe profesorin e nderuar dhe shumë të respektuar prof. Bejzad Avdiu, për të vazhduar hapërimin drejt shtigjeve të reja të kontakteve me personalitet të shquara të kulturës shqiptare gjithandej trojeve etnike.

Akademinë “Stoa”, koj shoqatë kulturore, që drejtohet nga profesor Bejzad Avdiu, tashmë, ka bërë emër në realizimin e emisioneve me personalitete të shquara të kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. 

Misioni kulturor i kësaj Akademie, nga qershori i këtij viti, sjell një varg emisionesh edukativo – arsimore dhe kulturore, shumë me rëndësi për adhuruesit e fjalës së shkruar artistike, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të privuar nga e drejta për ta zhvilluar kulturën e mirëfilltë kombëtare në këto territore të etnikumit shqiptar.

Image
Bejzad Avdiu

- Jemi në prag të përgatitjet e duhura, për fillimin verës kulturore me realizimin e emisioneve speciale me personalitete të kulturës shqiptare. Kultura e leximi janë bazë për formimin e personalitetit të njeriut, janë tërësia e arritjeve të një populli në fushën e zhvillimin shoqëror e mendor, shprehet profesor Bejzad Avdiu, drejtues i Akademisë “Stoa”.

Akademia “Stoa”, me siç dihet, është një organizatë joqeveritare e cila merret me kulturë dhe bashkëpunon me shumë shoqata të tjera kulturore, duke mos përjashtuar edhe ato që kanë për bazë të veprimtarive, jo vetëm veprimtaritë letre por edhe ato me taban kombëtare siç është  Shoqata “Dheu i Shejt, nga Lezha vendlindja e heroit tonë kombëtare Skënderbeu.

Emërtimi i saj i ka rrënjët e thella qysh në antikitet. I pari, i cili i vuri themelet një akademie të tillë ishte filozofi grek Platoni. Pas vdekjes së tij, pasardhësit, e njohur si predikues të rrymës filozofike “stoikët”, formuan Akademinë “Stoa”.

I frymëzuar nga këto ide përparimtare, të cilat flenë në shpirtin e lashtë të një populli, në të cilin shpaloset historia e lavdishme e shqiptarëve nga pellazgo-ilirët e deri sot, i dha guximin që edhe prof. Bejzadi, ta formoj Akademinë “Stoa”, në Bujanoc.

Vlen të ceket se gjatë viteve të fundit talentet e Akademisë “Stoa”, kanë zhvilluar emisione edukativo –arsimore me personalitete të shquara të jetës kulturore si: Idriz Ajeti, Dritëro Agolli, Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Qerim Ujkani, Adem Demaçi, Nazmi Rrahmani, Xhevahir Spahiu, Ylljet Aliçkaj, Flora Brovina, Besnik Mustafaj, Sabile keçmezi – Basha, Sabri Maxhuni, Mehmet Rukiqi, Bardhyl Londo, Sali Bashota, Gani Xhafolli etj.

Emisionet me këto personalitete të mirënjohur të kulturës shqiptare, disa prej të cilëve, nuk janë më në mesin e të gjallëve, janë emetuar nëpër televizionet lokale dhe rajonale të Luginës së Preshevës, në mediet e shkruara dhe transmetuar në portalet elektronike dhe youtube.

Nga burimet e konfirmuara të kësaj Akademie, bëhet e ditur se nga mesi i javës tjetër, vargut të emisioneve speciale do t’i bashkohen personalitete e kulturës si: Rabije Bytyqi, Daut Demaku, Hajro Ulqinaku, Kim Mehmeti etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat