4 mijë maturantë të Prishtinës i nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Maturës

Lajme

4 mijë maturantë të Prishtinës i nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Maturës

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 12:01
Foto

4 mijë maturantë të Prishtinës në 29 qendra sot i janë nënshtruar pjesës së parë të Testit të Maturës, ku testit i janë nënshtruar në lëndën e gjuhës shqipe dhe angleze.

Testimi i maturantëve të kryeqytetit ka filluar në orën 9 dhe nuk është paralajmëruar për ndonjë problem. Ishte paralajmëruar se do të vendoseshin zhurmues të valëve për të shmangur çdo formë të kopjimit, por një gjë e tillë nuk është realizuar.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar maturantët e  shkollës së mesme të mjekësisë “Dr Ali Sokoli”, me ç’rast ka thënë se deri më tani çdo gjë është duke shkuar mirë. Ai tha se pret që të ketë rezultate reale.

Bytyqi: Presim rezultate reale

“Shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë ashtu siç edhe janë planifikuar dhe përgatitur të gjitha hapat që ky test të jep rezultatet e duhura, të jep rezultatet çka realisht janë edhe reale në shkollat tona. Ne vizituam këtu së bashku edhe me drejtorin e shkollës së mjekësisë ‘Ali Sokoli’ dhe pamë që gjithçka ka filluar mbarë, ka filluar me kohë, nuk është vërejtur ndonjë problematikë në fillimin e mbajtjes së testit. Shpresojmë që  gjatë tërë ditës deri në mbyllje të testit gjithçka do të jetë në kushtet të cilat janë planifikuar”, tha ai.

Sa i përket mos vendosjes së zhurmueseve të valëve, Bytyqi  shpreson që ato do të vendosen për pjesën e dytë të testimit.

Ndërsa, ka potencuar se nuk do të ketë ndëshkime për ata që zihen duke kopjuar.

Bytyqi: Nuk është arritur për fazën e parë, presim në fazën e dytë

“Nuk është arritur për fazën e parë, presim në fazën e dytë. Për shkak të procedurave, sepse ka qenë një përkrahje e Bankës Botërore dhe nuk kanë arritur t’i sigurojnë për këtë datë, shpresojmë që në fazën e dytë do të jenë të gatshëm që të vendosen...Ashtu siç është planifikuar edhe vitin e kaluar, cdo parregullsi e cila do të ndodh, kudo që të ndodh do të pasojnë ndëshkimet qoftë për nxënësit, vëzhguesit apo kushdo që do të tolerojë që të bëjë shkelje të procedurave”, tha ai.

Kurse, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, tha se në të gjitha shkollat testimi ka filluar me kohë dhe nuk është raportuar ndonjë problem.

Shala: 29 qendra testuese këtë vit dhe janë 4 mijë maturantë

“Komuna e Prishtinës i ka 29 qendra testuese këtë vit dhe janë 4 mijë maturantë të cilët i nënshtrohen testit të maturës. Në të gjitha shkollat ose qendrat ku janë këta maturantë janë krijuar kushte për zhvillimin e testit në rrjedha normale. Ju uroj sukses maturantëve dhe besoj se do të dalin me suksese të mira, pasi që këtë vit po vërehet që ka pak më shumë rregull dhe censura tek telefonat, po besoj që do të ketë rezultate reale”, u shpreh ajo.

Nesër, testimit do t’i nënshtrohen maturantët e regjionit të Ferizajt dhe Gjilanit, më 14 qershor regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës, ndërsa me 15 qershor regjioni i Pejës dhe Mitrovicës. E njëjta renditje do të jetë edhe për pjesën e dytë të testimit që do të mbahet nga 19 deri më 22 qershor.

Provimit shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen mbi 28 mijë nxënës nga e gjithë Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat