17 muaj që nga vrasja e Ivanoviqit, i dyshuari kryesor ende në arrati

Lajme

17 muaj që nga vrasja e Ivanoviqit, i dyshuari kryesor ende në arrati

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 23:17
Oliver Ivanoviq

Nesër edhe zyrtarisht bëhen një vit e pesë muaj që prej vrasjes së ish-liderit të SDP-së në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.

Rasti ishte marrë në dorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, teksa pas disa muajsh hetime kishte pasur edhe arrestime.

Megjithatë, në pranga nuk përfundoi i dyshuari kryesor, njëherit i cilësuari si ‘bos’ i krimit në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojiçiq.

Nesër në shenjë përkujtimi do të vendosen edhe lule tek vendi ku është vrarë Ivanoviq.

Zëvendëskryetarja e partisë së Ivanoviqit, Ksenija Bozhoviq, thotë se pas 17 muajve që nga rasti, është e papranueshme ta mendosh se hetimet nuk kanë dhënë rezultat.

“Është e vështirë ta pranosh se hetimet nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, përkundër premtimeve, pra nuk ka përgjigje për pyetjen se kush e urdhëroi dhe kush e kreu vrasjen e Ivanoviqit”, tha ajo.

Megjithatë, sipas saj familjarët ende shpresojnë në drejtësi dhe se siç shprehet ajo nuk do të heqin dorë pa u zbuluar se kush qëndron prapa krimit të kryer.

Rasti Ivanoviq, ishte bërë shpesh herë arsye përplasjeje mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Këto të fundit shpesh herë e kishin akuzuar Prishtinën se nuk po i ofron informacione dhe se nuk po bashkëpunon në hetimet për vrasjen e tij.

Teksa nga Prokuroria Speciale e Kosovës kishin bërë  të ditur se i kanë zgjeruar hetimet lidhur me këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat