Ahmeti tregon planin e tij me Mustafën për rrëzimin e Qeverisë

Lajme

Ahmeti tregon planin e tij me Mustafën për rrëzimin e Qeverisë

Nga: v.r Më: 17 qershor 2019 Në ora: 20:45
Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës dhe PSD-së, ka treguar vijën e kuqe që thotë t’ia ketë thënë liderit të LDK-së, Isa Mustafa, në takimin për t’u koordinuar për rrëzimin e Qeverisë Hardinaj, transmeton Bota sot.

Në Puls të KTV-së, Ahmeti ka thënë se e dëshiron rrëzimin e Qeverisë qysh sonte, por ka shtuar se për këtë ka kërkuar një koordinim më të mirë opozitar dhe që të ketë garanci për një vijë të kuqe, që LDK-ja të mos përfundojë më vonë në koalicion me PDK-në.

“Me dëshirë e rrëzojmë qeverinë. Kam pas një takim edhe me Mustafën ku kemi folur për rrëzimin. I kemi thënë se kemi dhënë votat për mocion dhe jemi të interesuar për dy gjëra, të kemi koordinim të opozitës e jo që të merren vet ato dyja e të na thonë hajdeni edhe ju dhe që koordinimi opozitar të shkojë drejt një marrëveshje që çon në rrëzim të qeverisë e alternativë për të ardhmen. Minimumi është garancion për vijat e kuqe. Jemi të interesuar që LDK-ja s’përfundon pastaj në koalicion me PDK-në. Kjo ishte ndër gjërat kryesore dhe e dyta ishte që mundësisht të bëhen përpjekje maksimale për të mos e rrëzuar me Listën Serbe”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se megjithatë nuk ka parë bashkëpunim të nesërmen kur ka parë se shefat e Grupeve Parlamentare të LDK-së dhe VV-së ishin pajtuar për tekstin në mocionin për rrëzim të Qeverisë.

Duke folur për kushtin që të mos rrëzohet Qeveria me votat e Listës Serbe, Ahmeti ka thënë se nuk dëshiron që “t’i japim zgjedhjen Vuçiqit që të na çojë në zgjedhje kur të dojë ai”.

“Duhet t’ia heqim ndikimin Listës Serbe të paktën për këto çështjet e mëdha. Ama Qeveria e meriton rrëzimin qysh sot për shkak të skandaleve, për 53 milionëshin e për Telekomin”, ka shtuar ai.

Ahmeti, që mban edhe postin e shefit të Ekipit Negociator, ka thënë se fokusin më të madh e ka në punën si kryetar i Prishtinës.

Ahmeti: Askush të mos i gëzohet përleshjeve në LDK

Shpend Ahmeti ka porositur se askush në politikë s’duhet t’i gëzohet problemeve të brendshme në një parti tjetër, duke folur për përleshjet në zgjedhjet e brendshme të LDK-së.

“Askush s’duhet t’i gëzohet problemeve të tilla, e në anën tjetër kjo tregon se po bëhet një hap më shumë se që duhet. Ndjenja që po i afrohen pushtetit e secili të gjejë vendin e vet po sjell këto. Konkurrenca që e shohim sot po mendoj se është e mirë për LDK-në. Askush s’duhet t’i gëzohet problemeve të brendshme politike të një subjekti tjetër. Kur ishim në VV, kur arritëm fuqinë më të madhe nisën problemet më të mëdha, jo për pushtet, por nisën të kenë diskutime kush kujt po ia ngreh tepihun e nisën dyshime në njëri tjetrin. S’di a janë sëmundje e Kosovës apo çka”, ka shtuar ai.

Ahmeti flet për spitalin, parkingun nëntokësor e trafikun urban

Sa i përket spitalit, Ahmeti ka thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’u tregojë se sa hapësirë u duhet për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, në mënyrë që të përgatitet terrenin. Ahmeti ka treguar se kanë kërkuar edhe nga QKUK-ja që të merren vesh se cilat shërbime mund të kalojnë në Spitalin e Prishtinës.

Kur ka folur për Trafikun Urban, Ahmeti ka thënë se nuk ka qytet në botë në të cilin transporti publik del në fitim. Qëllimi, sipas tij, është që të stimulohen qytetarët që të përdorin më pak makinat e tyre, e më shumë autobusin.

Ai ka thënë se këtë vit do të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e parkingut nëntokësor në hapësirën e kampisti universitar në Prishtinë. Ka sqaruar se aty banorët rezidentë do të mund të paguajnë një shumë prej 8 eurosh për veturën e parë, për qëndrim mujor. Derisa, me gjasë, ora për parkim aty do të jetë 80 centë. Rruga “George Bush” do të mbyllet për qarkullim, duke mbetur një shirit vetëm për qarkullim të autobusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat