Rexhep Meidani: Një ditë vetë BE-ja do të kërkojë një shtet shqiptar

Lajme

Rexhep Meidani: Një ditë vetë BE-ja do të kërkojë një shtet shqiptar

Më: 18 qershor 2019 Në ora: 00:27
Rexhep Meidani

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, në një intervistë për KTV-në ka thënë se një ditë vetë Bashkimi Evropian do të kërkojë një shtet të vetëm shqiptar.

Në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Meidani ka kujtuar angazhimin e familjeve shqiptare në Shqipëri për të hapur dyert për refugjatët nga Kosova.

Në ditën e promovimit të librit të tij “Rendi global dhe shteti komb” në Prishtinë, Meidani, që ishte president në periudhën 1997-2002, ka folur për mobilizimin e Shqipërisë për situatën e viteve të luftës në Kosovë.

“Është një periudhë sa e vështirë po aq edhe me përmasë historike. Një angazhim total i shtetit shqiptar për të mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës, për të mbrojtur çështjen e shqiptarëve, dhe arritëm me sukses këtë rezultat që kemi sot, lirinë dhe pavarësinë. E kisha parashikuar të botoja librin në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por nuk arrita për disa muaj. Po bëhet promovimi më 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës me futjen e trupave të NATO-s që është ngjarje po aq e rëndësishme me përmasa historike”, ka thënë ai.

Meidani ka kujtuar se si Shqipëria kishte arritur të depërtonte në mjedisin ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Sa i përket, eksodit në pjesën e parë ndihmë kryesore dha vetë populli shqiptar, familja shqiptare, e cila hapi dyert. Ajo si të thuash e mbrojti qeverinë, shtetin shqiptar, që ishte i papërgatitur. Në fazën e parë ky ishte kontributi i familjeve shqiptare për të shmangur katastrofë humanitare. Me kalimin e ditëve filloi organizimi i qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për kapërcimin e situatës kritike. Gjëja që është e veçantë është se pikërisht në këtë periudhë NATO-ja aplikoi edhe një pamje të re, pamje humanitare. Në shumë kampe, NATO-ja dha kontributin për të ndihmuar familjet shqiptare, për të ndihmuar”, ka thënë ai.

Për pasluftën në Kosovë, Meidani ka thënë se momenti i shpalljes së pavarësisë mbylli njëherë e përgjithmonë kapitullin me pretendime të serbëve.

“Sot shikojmë një Kosovë demokratike, që respekton të drejtat e njeriut, ku edhe komunitetet tjera kanë përfaqësimin, pavarësisht se Beogradi vazhdon të synojë të dëmtojë këtë ritëm zhvillimi, perspektivën pozitive të shtetit të ri të Kosovës. Kam bindjen se kjo situatë është e pakthyeshme dhe vetëm po dëmtojnë veten”, ka shtuar Meidani.

Për rolin e Shqipërisë në Kosovë, ai ka thënë se ky rol s’është sikur ai që ishte vjet më parë. Sipas tij, tani dy shtetet kanë institucione njëjtë të fuqishme.

“Natyrisht më s’është ai rol i shumë viteve më parë sepse aktualisht institucionet e Kosovës janë po aq të fuqishme sa në Shqipëri, por një bashkërenditje e veprimtarisë politike, sidomos ndërkombëtare, e të dy qeverive është e mirëpritur. Ndërkohë, asnjë shenjë të patertarizmit ndaj qeverisë së Kosovës sepse janë po aq të fuqishme sa të Shqipërisë. Ky bashkëveprim t’i shërbejë perspektivës pozitive, emancipimit demokratik e zhvillimit ekonomik”.

“Nëse dy zëra shqiptarë do të jenë brenda BE-së, vetë BE-ja do të jetë e interesuar të ketë një zë”

Duke folur për relacionin shtet-komb dhe komb-shtet, që është edhe në librin e tij të ri, Meidani ka thënë se s’mund të ketë komb kosovar dhe se pretendimet për një gjë të tillë janë të gabuara.

“Natyrisht që është pjesë e prekur dhe nuk dëshiroj të përmend emra sepse janë edhe ish-kolegë të mi që kanë ngritur këtë tezë e janë kundërvënë tezës. Flitet për komb shqiptar. Mund të flasësh për shtet kosovar, ose shqiptar të Kosovës ose shqiptar të Shqipërisë. Por kombi shqiptar i Shqipërisë apo shqiptar i Kosovës është një. Janë pjesë e një të tëre dhe çdo tentativë për të futur një koncept të tillë jo vetëm që s’është pozitive, por nuk i përgjigjet as realitetit aktual. Edhe nëse merret si krahasim situata e popullsisë gjermane me Austrinë, flitet për histori shumë të largëta kur mund të jetë bërë diferencimi, ndërkohë kontakti i sotëm, shumë i fuqishëm elektronik, nuk lejon krijime të kombeve në mënyrë të tillë artificiale ndërkohë që ne kemi ruajtur njëjtën gjuhë, zakone, traditë dhe s’mund të pretendohet se në këtë kontakt shumë të fuqishëm sot mund të krijohet një komb kosovar. Tentativa e tillë është shumë e gabuar”, ka shtuar ai.

Për të ardhmen, Meidani ka parashikuar bashkim të shqiptarëve brenda BE-së e këtu ka thënë se vetë BE-ja do të jetë e interesuar të ketë bashkim kombëtar shqiptar.

“Hapi i parë është procesi i integrimit evropian duke realizuar sa më shpejtë liberalizimin e vizave. E meritojnë qytetarët. E kanë merituar më parë, por burokracia i bën këto vonesa nganjëherë. Hapi i dytë është vetë procesi i integrimit evropian e në këtë proces ne do të shikojmë njëri-tjetrin pranë, do të thotë se do të jemi bashkë brenda BE-së. Integrim brenda shqiptarësh, shumë më shumë se që mendojmë sot. Mund të jetë edhe një integrim politik. Kam bindjen që mund të kërkojë kohën e vet, por nëse dy zëra shqiptarë do të jenë brenda BE-së, vetë BE-ja do të jetë e interesuar të ketë një zë. E ky zë është po një shtet shqiptar i përfaqësuar në BE”, ka thënë Meidani.

Nga Prishtina, Meidani ka porositur krerët e pozitës dhe opozitës në Shqipëri që të ulen në tavolinë për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale në vend.

Për librin e tij ka thënë se ka punuar shumë gjatë. Në të ka thënë se ka përfshirë përvojën si president e përvojat tjera pas mbarimit të detyrës.

Libri i fundit i Meidanit është një botim më i gjerë i librit të botuar para 14 vitesh.

“Duke ndjekur të gjitha zhvillimet në Kosovë, unë përgatita një libër që ka përmasë më modeste sesa botimi i tashëm, me një vëllim faqesh rreth 200. Titulli ishte ‘Kurthet e shtetit komb’, ku shumë elemente brenda materialit lidheshin me Kosovën dhe gjithë ngjarjet që lidheshin me popullin shqiptar. Libri ishte botuar më 2005 në Shqipëri dhe ndërkohë në Spanjë, më 2008, me plotësime të mëtejme. Më 2008 përsëri kur pata në dorë botimin në spanjisht isha i pakënaqur dhe nisa punën për një botim më të gjerë e të rëndësishëm për të hapur një perspektivë për të ardhmen jo vetëm të kombit shqiptar por në përgjithësi për të qytetarisë shqiptare. Brenda tetë vjetësh punova në këtë material. Ishte material që lidhej me kontakte të ndryshme me referime në takime ndërkombëtare, konferenca e takime të ngushta e paralelisht në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarinë. Pas akumulimit 10-vjeçar u ula në vitin e fundit të sistemoj gjithë materialin dhe në fund u binda që kisha arritur rezultatet”, ka shtuar ai, por duke theksuar se sërish pretendon për një vëllim të ri duke thënë se akoma s’është i kënaqur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat