Në Evropë, me histori të përgjakur

Lajme

Në Evropë, me histori të përgjakur

Më: 19 qershor 2019 Në ora: 18:21
Ilustrim

“Po qe se respektohet kriteri shkencor, atëherë nuk mund të ketë kurrfarë keqkuptimesh, ngaqë interpretimi i ngjarjeve dhe fakteve është pjesë e të kaluarës historike, që nënkupton objektivitet dhe jo fshehje të tij apo retushim, Sa i përket recetave evropiane ‘për pastrimin e historisë nga urrejtja’ dhe të ngjashme, mund të thuhet se këto janë qëndrime politike, që nuk i ndihmojnë çështjes, pos që e ngatërrojnë”, thonë për gazetën KOHA studiuesit shqiptarë të historisë

Destan JONUZI

Shkup, 19 qershor – Ballkani njihet për një të kaluar të zymtë dhe brishtë historike, të përgjakur e me masakra. Historia e çdo populli që ka përjetuar dhunë, represion e torturë, agresorin e paraqet si armik, ndërsa në vendet (p.sh Serbia) të cilat kanë ushtruar agresion, dhunë dhe gjenocid (Kosovë, Bosnjë), në librat e historisë së tyre veprimet e tyre përshkruhet si triumfaliste dhe heroike. Tanimë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në këto ngjarje të tmerrshme, bëjnë përpjekjet e tyre të fundit që të futen nën ombrellën e Bashkimit Evropian (BE), si do të duket e nesërmja nëse fëmijët e sotëm vazhdojnë ta shohin fqiun me dioptri armiqësore. Për rrjedhojë a mund të krijohet një histori e përbashkët e popujve të Ballkanit?

QËNDRIMET POLITIKE QË NGATËRROJNË HISTORINË

Studiuesi Jusuf Buxhovi në një prononcim për gazetën KOHA thotë se nuk mund të ketë histori të përbashkët nga popujt e Ballkanit, që kanë kaluar nëpër armiqësi dhe gjenocide të njohura me shkaktarë të njohur. “Përkundrazi, historia duhet të trajtohet përgjegjshëm te të gjitha shtet, të deridjeshmet dhe të sotmet, në përputhje me kriteret shkencore, gjë kjo që bëhet në programet shkollore nga institucionet përgjegjëse për tekstet shkollore. Po qe se respektohet kriteri shkencor, atëherë nuk mund të ketë kurrfarë keqkuptimesh, ngaqë interpretimi i ngjarjeve dhe fakteve është pjesë e të kaluarës historike, që nënkupton objektivitet dhe jo fshehje të tij apo retushim. Sa i përket recetave evropiane ‘për pastrimin e historisë nga urrejtja’ dhe të ngjashme, mund të thuhet se këto janë qëndrime politike që nuk i ndihmojnë çështjes, pos që e ngatërrojnë”, vlerëson Jusuf Buxhovi.

Ndryshe nga ai, studiuesi Sevdail Demiri thotë se një problem të tillë popujt evropian e kanë tejkaluar para një shekulli, të cilin sipas tij duhet ta tejkalojnë edhe popujt e Ballkanit pa pengesa dhe eufori. “Këtë problem e kanë tejkaluar para një shekulli popujt evropianë, dhe nëse edhe ne ballkanasit themi se jemi evropianë, do të duhej ta tejkalonim këtë pengesë pa eufori. Nëse ka elita shoqërore, intelektuale dhe akademike, të cilat e shohin realitetin në sy, për hir të së ardhmes, do të duhej të krijonin një rrëfim më objektiv dhe më shkencor për historinë e popujve ballkanikë, një histori pa hiperbolizime dhe pa shtrembërime të fakteve historike”, deklaroi për gazetën KOHA, Demiri.

Nga ana tjetër, studiuesi Nijazi Muhamedi thekson se në këtë fazë Ballkanit po i imponohet një integrim i shtrembër në Evropë. “Vizioni i BE-së për evropianizim të Ballkanit është i deformuar, është një vizion pa një thellësi shikimi interkulturor që popujt e Ballkanit do t’i fuste në shtegun e një paketimi të qëndrueshëm dhe humanist. Historia kulturore e Ballkanit, në rrafshe individuale kryesisht në të kaluarën, ka shënuar disa angazhime interferencash mes popujve të Ballkanit që mund të konsiderohen bile më evropiane se ky i tanishëm që po na shitet nga Brukseli si vizion”, u shprehë për gazetën KOHA, Muhamedi.

NXËNËSIT DUHET TË MËSOJNË TË VËRTETËN E PLOTË HISTORIKE

Ndërkaq, analisti Nexhmedin Spahiu duke folur për këtë çështje për gazetën KOHA, thotë se nxënësit duhet të mësojnë të vërtetën e plotë historike. “Nxënësit duhet të mësojnë të vërtetën e plotë historike. E vërtetë që nga 1804 e këndej shqiptarët janë masakruar nga serbët por ka ndodhur edhe e anasjelltas. Kryengritjen e parë serbe e kanë shuar me gjak shqiptarët dhe bullgarët myslimanë. 12.000 kryengritës serbë janë ngulur në hunj. Nga 952 kafka të kryengritësve serbë është ndërtuar Çele Kulla në Nish. Çdo gjë që ka ndodhur në kohën e Perandorisë Osmane në historiografinë tonë themi turqit. Por e vërteta është se gjithë popujt e Ballkanit ishte pjesë e këtyre përgjakjeve. Pra masakrat u zhvilluan kush më pak e kush më shumë nga të gjitha palët”, potencon Spahiu. Historiania bullgare, Maria Todorova në librin e saj “Ballkani imagjinar”, shkruan se historia kundrohet si histori kulture, mes popujve të Ballkanit, të cilat janë ngritur mbi filozofinë jetësore dhe ndë komunikuese të popujve të Ballkanit. Ndërsa, intelektual serb, Milan Bogdanoviq tenton së fundmi të ngrejë një vizion etik qortues, kritik mbi historinë e gjenocidit dhe kolonizimit serb ndaj shqiptarëve, që sipas autorit duhet të denoncohet si anë e errët e historisë serbe. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat