Polici që i iki arrestimit në Veri është bashkëshorti i deputetës së Lista Srpska Jelena Bontic

Lajme

Polici që i iki arrestimit në Veri është bashkëshorti i deputetës së Lista Srpska Jelena Bontic

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 14:46
Jelena Bontic

Rade Radisavljevic, i shpëtoi aksionit të policisë  muajin e kaluar në pjesën veriore, ani pse ky zyrtar i policisë së Kosovës është një nga të dyshuarit për përfshirje në rrjetin e kontrabandës. Media nga burimet ka konfirmuar se ky polic po strehohet në Serbi, derisa hetimet për të po vazhdojnë. Polici i arratisur është burri i Jelena Bontic, deputete nga radhët e Listës Srpska në Kuvendin e Kosovës. Bie në sy që Bontiç  në formularaët e deklarimit të pasurisë ka treguar se ka 100 mijë euro para të gatshme në banka. Ndërsa, bashkë me burrin e saj kanë deklaruar edhe nga 5 mijë euro kredi.

Rreth 300 pjesëtarë të Policisë të Kosovës ishin angazhuar, ditën kur në komunat veriore të vendit, e edhe në disa komuna të tjera, u organizua një nga aksionet më të mëdha të pasluftës kundër kontrabandës, ryshfetit, detyrimit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në aksion që u realizua nga Inspektorati Policor i Kosovës, Policia e Prokuroria Speciale u arrestuan 19 persona, te të cilët rëndonin dyshime të njëjta.

Megjithatë, ditën e 28 majit, aksioni hasi edhe në disa probleme, pati të plagosur, shkëmbim zjarri, barrikada e arrestime, siç është rasti i zyrtarit të UNMIK’ut.

Përveç kësaj, të gjithë ata që figuronin në listën e të dyshuarve nuk mundën të vendoseshin nën pranga.

Pjesë e një rrjeti të kontrabandës ishte edhe polici Rade Radisavljevic, që atë ditë  nuk arriti të arrestohej nga policia, e tash është në arrati.

Radisavjlevic është bashkëshorti i deputetes së Listës Serbe, Jelena Bontic, derisa edhe për këtë ka dyshime të njëjta si për të arrestuarit tjerë.

Media ka konfirmuar nga burime brenda hetuesisë se personi që ka ikur nga hetuesia vendore është burri i deputetes së Kuvendit të Kosovës.

“Po, Rade Radisavljevic është personi që atë ditë nuk është arritur të kapet në aksionin që u zhvillua në veri. Ai është një polic që ka punuar në Mitrovicën e Veriut dhe edhe mbi të rëndojnë akuzat e njëjta për kontrabandim me mallra e keqpërdorim të pozitës zyrtare. Rasti i tij po vazhdon të hetohet nga inspektorati. I njëjti është burri i deputetes së Kuvendit të Kosovës”, deklaroi një zyrtar i lartë në hetuesinë vendore.

Ky burim pohon se dyshimet janë se edhe ai mund të jetë strehuar në Serbi, pasi që i iku aksionit të arrestimit. Me mbiemrin e njëjtë si të Radisavljevic është edhe një i kërkuar tjetër.

Milan Radisavljevic është personi tjetër që nuk arriti të arrestohej nga policia e vendit. Emri i tij figuron në listën që i humbi atë ditë njësisë speciale, e për të cilën media ka raportuar se po bëhen hetime për të parë se si të njëjtat ranë në duar të mediave serbe.

Media nuk ka arritur të konfirmojë lidhshmërinë që të dy këta mund të kenë në mes vete, veç faktit se të njëjtit po vazhdojnë të hetohen e të mbeten në kërkim nga organet e drejtësisë.

Se deputetja Bontic është e martuar me personin që dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të organizuar të kontrabandës, mund të merret vesh edhe në deklarimin e pasurisë që ajo ka bërë për vitin 2019’të.

Te përshkrimi i të hyrave vjetore, deputetja ka të deklaruara pagën e saj të Kuvendit të Kosovës, prej 25 mijë euro në vit, si dhe të bashkëshortit pagë prej 7 mijë e 500 euro në vit, që ashtu siç ka mësuar është pjesëtarë i policisë së Kosovës, në Leposavic.

Image

Bontic ka deklaruar edhe 100 mijë euro para të gatshme, e 5 mijë euro kredi. Këto para i ka të ndara në dy banka në Leposaviq e Shtërpcë. Edhe bashkëshorti i saj, polici që është në kërkim ka një kredi me vlerë 5 mijë euro.

Aksioni u zhvillua në datë 28 maj, në disa rajone të ndryshme të vendit, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, derisa, 19 të arrestuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim.

Operacionit i kishte paraprirë një hetim  disa mujor i IPK-së, PK-së, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policorë dhe të disa qytetarëve në: “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si: “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”, etj.

Sic ishte raportuar edhe në media, të arrestuarit gjatë aksionit janë: Zenel Bahtiri, Ramadan Rrustemi, Ali Pllana, Jasno Doroviq, Albert Maxhuni, Reshat Kuqi, Izet -, Krista Subotiq, Milja Mileneviq, Besim Merovci, Biljan Medelkoviq, Verelub Dimitroviq, Dejan Spasojeviq, Bozide Milosavoviq, Zvezdan Spasojeviq, Abdurrahim Hoxhiq, Oliver Kozmanoviq, Ana Bosovie Baraq dhe Blagoje Lazoviq./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat